Gjatë kësaj jave, në Kosovë është vërejtur sërish një luhatje e çmimeve të karburanteve, pas rënies pak në vlerë ditëve të fundit.
Aktualisht, një litër naftë sot në vendin tonë është duke u tregtuar me 1.60 centë, derisa ditë më herët një litër e së njëjtës lëndë, tregtohej prej 1.48 deri në 1.50 centë për litër.
Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, në një prononcim për media sot, ka thënë se lufta në Ukrainë është duke pasur ndikim të madh në tregun e derivateve në vend, për shkak të importit të naftës nga vendet e tjera.
Ai thotë se përkundër shtrenjtimeve të larta që ndodhën disa ditë më herët, kur një litër naftë kishte shkuar deri në 1.82 centë, ditëve të fundit kjo shifër kishte zbritur në 1.50 centë, kurse sot çmimi për një litër naftë ka shkuar sërish në 1.58 centë.
Sipas Berjanit, krahas naftës, benzina është duke u tregtuar me 1.40 centë për litër.
Berjani shtoi tutje se kjo rritje e çmimit të derivateve në vend, është duke ndodhur në të gjithë botën dhe jo vetëm në Kosovë, prandaj para se të ndalet lufta mes Ukrainës dhe Rusisë, nuk do të ketë as stabilizim të qëndrueshëm të çmimeve të derivateve në Kosovë. /Buletini Ekonomik/