Megjithë kultivimin nëpër sipërfaqe jo të pakta anembanë vendit, në tregjet e Kosovës gjithnjë thuaja, krahas patates-prodhim vendor, gjendet edhe patatja e importuar nga vende të tjera, madje në sasi të mëdha. Prandaj, gjithnjë tregtohet nëpër markete dhe dyqane të pemëve dhe perimeve me dy lloj çmimesh: patatja vendore me çmime më të ulëta dhe ajo e importuar paksa më e shtrenjtë.
Blendrita Avdiu
Patatja, një nga produktet më tradicionale vazhdon të mbetet sot e kësaj dite pjesë e pandashme e tryezës kosovare, të asaj urbane dhe rurale. Si e tillë, vazhdon të konsumohet shumë, thuajse në të gjitha stinët. Në Kosovë, në shumë familje rurale, tashmë ka vite që vlerësohet e llogaritet edhe si produkt bujqësor me mundësi përfitimi. Sepse kultivohet dhe rritet mirë, me një përkujdesje jo edhe aq të madhe thuajse në shumicën e sipërfaqës së tokës së punueshme në Kosovë, ndërkohë që rendimentet e këtij produkti janë mbresëlënëse. Prandaj, sot, shumë familje në vendin tonë kultivojnë pataten edhe për tregtim, pra për përfitim financiar, ndërkohë që në fshatin e njohur pikërisht për kultivimin e patates, në Pestovë të Vushtrrisë, vite më parë është ngritur edhe fabrika për përpunimin dhe finalizimin e produkteve të ndryshme nga patatja.
Në këtë mënyrë, edhe në vendin tonë ka zënë të komercializohen përfitimet nga ky produkt, sikundër në shumë vende të botës që këto aktivitete, praktikisht janë zhvilluar që para dhjetëra vitesh. Megjithë kultivimin nëpër sipërfaqe jo të pakta anembanë vendit, në tregjet e Kosovës gjithnjë thuaja, krahas patates-prodhim vendor, gjendet edhe patatja e importuar nga vende të tjera. Prandaj, gjithnjë tregtohet nëpër markete dhe dyqane të pemëve dhe perimeve me dy lloj çmimesh: patatja vendore me çmime më të ulëta dhe ajo e importuar paksa më e shtrenjtë.
Aktualisht, një kilogram i patates vendore nëpër disa markete në kryeqytet, sillet rreth 79 centë për kilogram, ndërkohë që në tregje ajo kushton vetëm 50-60 centë për kilogramë. Patatja vendore shitet edhe me thes, e që kushton 1 euro e 49 centë.
Në tregun e gjelbër të kryeqytetit, patatet e prodhuara në vitin e kaluar, që nga shitësit emërtohen si patate të vjetra, shiteshin 50 centë në shumicën e shtandeve, për një kilogram. Por, pati edhe sosh që tregtoheshin 60 centë.
Në anën tjetër, patatja e importuar, e njohur si patatja e re, në tregje dhe markete kushton ndjeshëm më shtrenjtë. Një kilogram i patateve të reja (me gjasë prodhim i sivjetshëm), kryesisht nga importi, në Tregun e gjelbër të Prishtinës, shitej nga 80-90 centë kilogrami. Ndërsa, patatja e re e importuar, në disa markete në Prishtinë kushton edhe deri në 1 euro e 50 centë, që është një dallim i madh në çmim krahasuar me atë të tregjeve të gjelbra, osë thuaja dyfish më shumë.
Sipas menaxherëve të marketeve dhe shitësve në tregje në Prishtinë, arsyeja e çmimit të lartë të patates së re është për faktin se është më e freskët dhe se është e importuar.
“Patatja e re kushton më shtrejtë për shkak të importit pikë së pari, e më pas edhe për faktin se ajo është më e freskët sesa ajo vendore. Patatja e re është e sivjetshme ndërsa ajo vendore shitet në treg e vitit të kaluar”, tha njëri nga menaxherët e një marketi në Prishtinë.
Siç pohojnë edhe shitësit dhe menaxherët, importi i kësaj patate bëhet kryesisht nga vendet e ndryshme, siç është Greqia, Egjipti, Shqipëria, e që kohë më parë ky perim është importuar edhe nga vendet më të largëta siç është Ukraina dhe Brazili.
Në anën tjetër, shitësit e pemëve dhe perimeve, në kushte anonimiteti, thanë për Buletinin Ekonomik se kërkesa për këtë produkt bujqësor është e madhe nga qytetarët dhe se shitja është e vazhdueshme. Ajo ka qëndrueshmëri të madhe, edhe pse siç thonë ata, furnizohen pothuajse çdo ditë me të.
Ndërkohë, një raport i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural rreth “Analizës së Patates”, i publikuar në fillim të vitit 2021, tregon se patatja është kultura kryesore fryt-rrënjore, që kultivohet dhe konsumohet në masë të madhe në Kosovë. Sipas këtij raporti, gjatë vitit 2019, sipërfaqja me perime ishte 18,911 ha, që krahasuar me vitin 2018 kjo sipërfaqe ka shënuar rritje për 5.7 për qind.
“Të gjitha kulturat perimore kanë shënuar rritje në sipërfaqe krahasuar me vitin 2018, përveç kategorisë së bishtajoreve të tjera dhe perimeve të tjera të cilat kanë shënuar rënie. Patatja mbulon 3,688 ha apo 19.5% të sipërfaqes me perime”, thuhet në raport.
Po ashtu, raporti specifikon se çmimi për njësi të importuar ka lëvizur nga 0.28 €/kg në vitin 2018 deri në 0.32 €/kg në 2019, ndërsa në vitin e fundit çmimi ishte 0.31 €/kg. Edhe në vitin 2019 sasia e importuar e patates së freskët ishte 5,566 tonë, ndërsa vlera e importit 1.7 milionë euro, përderisa sasia e importuar u rrit për 57 për qind në vitin 2019, vlera shënoi rritje për 73 për qind, e kjo si rezultat i rritjes së çmimit për njësi të importuar për 0.03 €/kg.
Të dhënat e këtij raporti tregojnë se gjatë vitit 2019, janë importuar 5 mijë e 566 tonë, prej të cilave 581 tonë janë importuar nga Egjipti, 464 tonë nga Shqipëria, 217 tonë nga Maqedonia e Veriut, 198 tonë nga Bjellorusia, ndërsa pjesa tjetër e importit ishte nga vendet tjera si Francë, Mali i Zi, Greqi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, patatja e përpunuar është importuar kryesisht nga Austria rreth 2 mijë e 1 tonë, nga Gjermania 1 mijë e 847 tonë, nga Polonia 1 mijë e 61 tonë, nga Turqia 873 tonë, nga Holanda 726 tonë, nga Belgjika 716 tonë, nga Greqia 670 tonë, ndërsa nga vendet e tjera është importuar më pak.
Po ashtu gjatë periudhës 2015-2019, Kosova kishte eksportuar gjithsej 61 mijë e 448 tonë patate të freskta apo në shifra monetare rreth 8 milionë euro ishte vlera e eksportit për këtë periudhë. Në vitin 2016 është eksportuar sasia më e madhe e patates së freskët 14 mijë e 629 tonë apo 11.9 milionë euro. Pastaj, në vitin 2017 ka pasur rënie të eksportit në 12 mijë e 609 tonë apo 1.5 milionë euro, duke vazhduar me këtë rënie edhe gjatë vitit 2018 dhe 2019, kur edhe është shënuar sasia më e ulët e eksportit të patates së freskët (10,219 tonë apo 1.46 milionë euro), gjithmonë duke iu referuar të dhënave të po të njëjtit raport.
Ndërkaq, në vitin 2019 Kosova ka eksportuar 10 mijë e 219 tonë patate të freskta në vlerë prej 1.5 milionë euro, ku prej tyre 89 për qind janë eksportuar në Shqipëri, 8 për qind në Maqedoninë e Veriut dhe 3 për qind në Malin e Zi. /Buletini Ekonomik/