Kosova mund të blejë grur në Amerikë, pasi Serbia ditë më parë ka pezulluar për një kohë shitjen e tij.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar se Kosova mund të blejë grur edhe ga shtetet e tjera perëndimore.
Autoritetet e Kosovës e kishin ngritur këtë çështje gjatë këtij muaji kur lufta në Ukrainë po zhvillohej me intensitet ndërkohë që në vend po flitej për rritje çmimesh dhe mungesë të produkteve bazike që mund të shfaqen muajve në vijim.
Përë këtë Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka folur me ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier.
Lexo më shumë:
Kosova deri tash ka mbjellë 60 për qind të 75 mijë hektarëve të planifikuar me grurë
Në njoftimin për media që ishte dërguar thuhej se Presidentja kërkoi mbështetjen nga SHBA-të në adresimin e pasojave ekonomike nga ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore bazë në Kosovë.
Në fillim të këtij muaji u bë e ditur se Serbia nuk do të eksportojë më grurë nëpër shtetet e tjera.
Si arsye për pezullim, Vuçiq e ka dhënë rritjen e jashtëzakonshme të eksportit në ditët e fundit.
Ndikim në rritjen e eksporteve nga ky shtet ka pasur edhe lufta e Rusisë në Ukrainë, pasi këto dy shtete janë prodhueset më të mëdha të grurit në botë.
Megjithatë, në këtë situatë Bashkim Zejnullahu nga Shoqata e Mullistëve të Kosovës kishte thënë se vendi ka rezerva të mjaftueshme të grurit.
Edhe në fund të muajit shkurt, Ministrja e Ekonomisë, kishte deklaruar se Kosova ka rezerva të grurit për tre deri në gjashtë muaj.
Ndërsa, ministrja Hajdari u shpreh se MINT ka marrë një përgjigje pozitive nga ambasada e SHBA-së sa i përket importit të grurit në të ardhmen.
“Kosova nuk ka pasur varësi për import të grurit nga Ukraina, por nga Serbia. Pra, Kosova mund të jetë blerës i ardhshëm i grurit amerikan”, tha ajo.
Në anën tjetër, Ministrja Hajdari shtoi se vendi duhet të përgatitet për rritjen e Rezervës shtetërorë.
Sipas statistikave që Dogana e Kosovës i ka dërguar Gazetës Express, Kosova më së shumti importon grurë nga Serbia.
Në vetëm dy muajt e parë të këtij viti, vendi ka importuar grurë nga Serbia në vlerë gati 2 milionë euro, që i bie se rreth 82 përqind e importit është realizuar vetëm nga ky shtet.
Importi i grurit nga Serbia ka qenë në vlera milionëshe edhe gjatë dy viteve të fundit.
Në vitin 2020, vlera e importit ka qenë rreth 15 milionë euro, derisa në vitin 2021 ka qenë gati 23 milionë euro.
Përkthyer në përqindje, gjatë vitit 2021, rreth 85 përqind e importit të grurit ka qenë nga Serbia, kurse gjatë vitit 2020 ka qenë rreth 56 përqind.
Të tjera vende prej të cilave Kosova ka blerë grurë këtë vit janë edhe Kroacia, Hungaria, Maqedonia e Veriut.
Më herët, importin e grurit, vendi e ka bërë edhe nga shtete, si: Turqia, Italia, Austria, Rusia, Gjermania, Bullgaria, Ukraina dhe Holanda.
Artikuj të ngjajshëm:
Murati: Janë dhënë subvencione për grurë për sipërfaqe të cilat nuk kanë ekzistuar fare