Shqipëria nisë punimet për projektin e erës në det të hapur

Shqipëria është duke punuar në projektin e erës në det të hapur të mbështetur nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), sipas Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Projekti aktualisht është në fazën e studimit, ka thënë Balluku, përcjell balkangreenenergynews.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është cituar rishtazi të ketë thënë se vendi ishte “duke lëvizur para dhe duke shkuar më tej me studimin për energji të erës”, dhe që “do të përfitojë nga sasi shtesë të energjisë nga prodhimi në det të hapur”.

Reklama e sponzorizuar

Rama, që kishte folur në samitin e BERZH në Londër, tha se Shqipëria poashtu është duke eksploruar prodhimin e hidrogjenit përmes parqeve solare.

Shqipëria po zhvillon një tender për 100 MW parqe me erë në tokë

Aktualisht, Shqipëria nuk ka ndonjë kapacitet të instaluar të energjisë nga era, ndonëse ka potencial të theksuar.

Megjithatë, ajo filloi ofertën në mesin e vitit 2021 për një total prej 100 MW të parqeve me erë në tokë, dhe kuota fillestare mund të rritet në 150 MW.

Zhvilluesit e mundshëm mund të aplikojnë për projekte ndërmjet 10 MW dhe 75 MW dhe ofertuesve të suksesshëm do t’u jepen marrëveshje 15-vjeçare të blerjes së energjisë me një çmim fiks. Plani është që kontratat të miratohen deri në fund të qershorit 2023.

Po ashtu, ministria e infrastrukturës dhe energjisë më herët ka pranuar aplikime për pesë projekte të energjisë së erës me zero subvencione prej 10 MW secili, që do të ndërtohen në gadishullin e Karaburunit në jugperëndim.

IRENA: Shqipëria ka potencial për të vendosur 616MW kapacitet të energjisë nga era deri në 2030

Në një raport të publikuar vitin e kaluar, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Rinovueshme (IRENA) vlerësoi potencialin me kosto efektive diellore dhe të erës të Shqipërisë në mbi 7 GW, që është më shumë se trefishi i kapacitetit total të instaluar të prodhimit të energjisë elektrike të vendit.

Rreth 616 MW të potencialit të energjisë së erës mund të shpërndahen deri në vitin 2030, sipas raportit të IRENA.

Balluku: Ndërtimi i parkut solar Karavasta me kapacitet 140 MW fillon

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me Ramën më herët këtë javë, Balluku poashtu deklaroi se ndërtimi i parkut solar Karavasta do të fillonte gjatë muajit mars dhe do të duhet të kompletohet brenda 12 muajve.

Parku solar prej 140 MW do të jetë një ndër më të mëdhat në Europë, sipas Ballukut.

Ndryshe, në janar, operatori i sistemit të transmisionit, OST, kishte thënë se impiantet të energjisë nga era dhe solare të lidhura në rrjetin e saj do të duhet të arrijnë 220.4 MW në 2023, një rritje pothuajse dhjetë fish nga kapaciteti aktual.

Shqipëria ka një nga përqindjet më të larta të energjisë së ripërtëritshme në Evropën Juglindore falë kapaciteteve të saj të mëdha hidroenergjetike, por është gjithashtu shumë e varur nga reshjet vjetore, të cilat shpesh e detyrojnë atë të importojë energji elektrike.