Tregjet europiane janë hapur me ndryshime të vogla në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët vijojnë të monitorojnë luftën në Ukrainë dhe zhvillimet ekonomike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rritje me rreth 0.2%, me bankat që realizojnë fitimet më të mëdha në rritje me 0.9%.
Bisedimet e fundit mes Kievit dhe Moskës dështuan të bëjnë progres, ndërsa të hënën Ukraina refuzoi të dorëzohet në qytetin port në Mariupol, pas ultimatumit të vendosur nga forcat ruse.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy deklaroi për mediat se ultimatumet nuk do të funksionojnë dhe ukrainasit do të luftojnë deri në fund. Ndër zhvillimet e tjera, presidenti i FED, Jerome Powell, deklaroi se banka qëndrore është e hapur për të rritur sërish normat e interesit për të luftuar inflacionin e lartë.
Investitorët po monitorojnë edhe nënvariantet e omicron, që po përhapen në të gjithë Europën, ndërsa Kina po përballet me infektimet më të larta që nga viti 2020. /Scan tv/