“Bordi i Transparencës në mbledhjen e radhës ka vendosur të ulë më tej çmimet e karburanteve. Tashmë nafta do të shitet për 211 lekë për litër, e po kaq do të tregtohet edhe benzina. Ndërsa çmimi i gazit ka mbetur i pandryshuar dhe vijon të shitet për 93 lekë për litër. Pikat e karburanteve në kryeqytet kanë reflektuar ndryshimet në çmim menjëherë pas vendimit të Bordit.”
Në raport me çmimin fiks të ditëve të fundit që u tregtuan deri në mëngjesin e së martës, nafta dhe benzina shiten me rreth 6 lekë më pak, pasi që prej datës 12 mars tregtoheshin për 217 lekë me vendimin e parë të Bordit të Transparencës të ngritur me vendim qeverie, transmeton TCH.
Këto çmime sipas vendimit të Bordit të Transparencës do të jenë të vlefshme për dy ditë, për periudhën 15 dhe 16 mars e më pas grupi i punës do të mblidhet sërish për të pasqyruar çmimet e reja për konsumatorët.
Vendimi i bordit është detyrues për të gjithë operatorët që operojnë në sektorin e hidrokarbureve në vend dhe në rast të shkeljeve të konstatuara nga autoritetet për kompanitë që e shmangin atë do të aplikohen gjoba deri në heqje të licencës në rast të përsëritjes sipas aktit normativ të qeverisë që ka marrë tashmë fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare një ditë më parë.
Çmimi i naftës ndërkohë ka vijuar rënien në tregjet ndërkombëtare. Këtë të martë zbriti poshtë nivelit të 100 dollarëve për fuçi, shumë më ulët se një javë më parë kur çmimi i saj kërceu në 130 dollarë për fuçi, teksa rënie është vërejtur edhe për çmimin e gazit.