Mbjelljet pranverore në Kosovë ka ditë që kanë filluar. Konkretisht, mbjelljet e tërshëres tashmë thuaja se kanë përfunduar, mbjelljet e patates janë në realizim e sipër qysh nga java e kaluar, ndërsa ato të misrit pritet që të fillojnë së shpejti.
Eksperti i Bujqësisë, Imer Rusinovci, ka thënë për Buletinin Ekonomik se meqenëse pikërisht gjatë fushatës së mbjelljeve të shumë kulturave praverore po mbreteron një mot me temperatura të ulëta, në këto temperature nuk rekomandohet mbjellja e kulturave termofile, siç është misri. Ai ka saktësuar se ka një rregullë agronomike që fermerët duhet ta zbatojnë në praktikë, e që është arrritja e pragut minimal të temperaturës, që p.sh. tek misri duhet të jetë 8-12 gradë Celsius, në shtresën e tokës ku duhet vendosur fara për mbjellje.
Në këtë këndvështrim, siç thotë ai, mbjelljet e misrit duhet të realizohen konformë arritjes së pragut të temperaturës e që për konditat agro-ekologjike është dhjetëditëshi i dytë dhe i tretë i prillit.
Sipas tij, fermerët duhet të presin arritjen e pragut minimal të temperaturës në shtresën e vendosjes së repromatrialit, që do të thotë se të njëjtat (mbjelljet e misrit) mund t’i realizojnë pa problem deri në fund të muajit prill. “Pra, pritja edhe për 4-5 ditë deri në ngritjen e temperaturave në shtresën e rizosferës për realizimin e mbjelljeve të misrit (kulturë kjo që mbillet në sipërfaqe të mëdha kultivuese – e dyta pas grurit), te fermerët vendor duhet të jetë pikësynim agronomik”, ka thënë Rusinovci.
Në anën tjetër, sa i përket kohës optimale për mbjellje pranverore ai tha se varet edhe për cilën kulturë është fjala.
Sipas tij, mbjelljet e tërshëres ca ditë më heret dhe kjo kulturë tashmë ka përfunduarsë mbjelli. Mbjelljet e patates janë në realizim e sipër qysh nga java e kaluar, ndërsa ato të misrit pritet të nisin së shpejti dhe të realizohen deri në fund të këtij muaji.
Me fjalë të tjera, siç thekson ai, afatet optimale agroteknike të mbjelljeve të kulturave pranverore janë në varësi të specieve. “Gjithmonë nisemi nga shembujtë konkret të kulturave dominuese siç është gruri (që tek ne mbillet në tetor), përkatësisht misri i cili në kondita tona agro-ekologjike mbillet nga 15-25 prill”, ka thënë tutje Rusinovci.
Ai iu rekomandon fermerëve që domosdo duhet t’i zbatojnë me përpikëri afatet e mbjelljeve sipas kërkesave të specieve bimore, pasi që kjo masë agroteknike ndikon në realizimin e prodhimeve përfundimtare.
Mirëpo, sipas Rusinovcit, nëse për ç’farëdo arsye skadon afati agroteknik optimal i mbjelljeve, qoftë ajo organizative, teknike, kohore apo arsye të tjera, mbjelljet mund të realizohen edhe me vonesë, konkretisht 10 deri në 15 ditë pas afateve të volitshme, me kusht që fermerët të shtojnë sasitë e repromatrialeve siç janë farërat dhe plehërat për 10-15 për qind, pasiqë sipas tij, vetëm kështu siguria e mbjelljeve dhe mbirjeve është e balansuar. Rusinovci sqaron se në mbjelljet e vonuara, nëse nuk shtohen sasitë e repromatrialeve, bimët karakterizohen me numër jo të duhur të mbirjeve për njësi sipërfaqësore dhe për pasojë planifikimet nuk mund të realizohen në nivelet e prodhimit. (Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/