Ministri i Financave, Hekruan Murati u ka bërë thirrje punëdhënësve në sektorin privat që të shqyrtojnë mundësinë e dhënë nga Qeveria e Kosovës, që tu rrisin pagat punëtorëve të tyre.
“Bëj thirrje për të gjithë punëdhënësit në sektorin privat që të shikojnë mundësinë e rritjes së pagave për punëtorët e tyre”, ka thënë Murati.
Murati në konferencën për media bashkë me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se nga kjo pako mbështetëse, do të përfitojnë pothuajse të gjitha kategoritë që janë përballur me vështirësi gjatë këtyre muajve.
Ai bëri të ditur se kategoria e parë e cila do të përfitojë menjëherë shtesën prej 100 eurove do të jenë pensionistët.
“Në radhë të parë do të jenë pensionistët që do ta marrin këtë shtesë me pensionin e radhës që pritet të shpërndahet në fund të kësaj jave. Pastaj do të jenë pagat në sektorin publik për të cilat kemi të dhëna që do të shpërndahen në fund të muajit, edhe mbështetja për asistencën sociale do të shpërndahet sipas afatit të rregullt”, u shpreh Murati.
Ministri theksoi se për punëtorët e sektorit privat dhe studentët gjatë ditëve në vijim do të hapet procesi i aplikimit për të përfituar shtesën prej 100 eurove.
“Për punëtorët e sektorit privat dhe studentët gjatë ditëve në vijim do të hapim procesin e aplikimit meqenëse për ta nuk kemi të dhëna të llogarive bankare për ti ndarë këto mjete”, u shpreh Murati.
Sipas tij, për mbështetjen që Qeveria ka paralajmëruar e që përfshinë pensionistët, punëtorët e sektorit publik e privat dhe studentët, duhet të bëhen edhe disa ndryshime ligjore.
“Për t’u përmbushur e tërë pakoja e mbështetjes, na duhet që t’i kemi edhe disa ndryshime ligjore, është marrëveshja me Bankën Botërore për zgjerimin e skemës sociale, është Ligji për pagën minimale dhe Ligji për rishikimin e Buxhetit që na mundëson që t’i kemi këto mjete shtesë, për këtë mbështetje shtesë”, ka thënë Murati.
Murati ka shtuar se Ligji për pagën minimale, përveç që rrit pagën, ofron edhe rritje të pagës neto për të gjithë punonjësit
“Ligji për pagën minimale përveç që rrit pagën për të gjithë përfituesit që janë nën nivelin 264 euro po ashtu ofron edhe rritje të pagës NETO edhe për punëtorët e sektorit publik dhe privat. Çdo kush që e ka pas pagën mbi 250 euro deri më tani do të përfitoj diku rreth 80 euro në vit, 6.80 euro në muaj”, tha Murati.