Drejtuesit e disa prej firmave më të mëdha të energjisë në botë u zotuan se do të rrisin prodhimin këtë vit, duke u mbrojtur gjithashtu nga akuzat se po përfitojnë nga lufta në Ukrainë.
Shefat e ExxonMobil, Chevron dhe të kompanive të tjera thanë në Uashington se ata nuk kishin shumë ndikim te çmimet e naftës, të cilat janë rritur ndjeshëm pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Çmimet mbeten 15% më të larta nga sa ishin në fund të janarit.
Rritja ka sjellë një shtim të kostove të energjisë për familjet në mbarë botën.
Në SHBA, ku do të mbahen zgjedhjet lokale në nëntor, kjo temë është kthyer gjithashtu në një çështje kryesore politike, duke rënduar mbështetjen ndaj Presidentit Biden.
SHBA dhe anëtarë të tjerë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (ANE) kanë shfrytëzuar vazhdimisht rezervat për të lehtësuar krizën.
Vetëm javën e kaluar, SHBA-ja u zotua të lëshojë 180 milionë fuçi naftë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, ndërsa ANE njoftoi të mërkurën se anëtarët e tjerë do të lëshonin 60 milionë fuçi të tjera nga magazinat e tyre.
Por, drejtuesit e kompanive të energjisë paralajmëruan në seancën dëgjimore të Kongresit në SHBA se nuk kishte një “zgjidhje të shpejtë” për këtë problem.
Ata thanë se investimet e tyre, shumë prej të cilave kanë filluar të kryhen, do të rrisin prodhimin që këtë vit, por paralajmëruan gjithashtu se problemet e personelit dhe të furnizimit që vijnë nga situata e pandemisë bënin që të nevojitej më shumë kohë për të filluar me prodhimin e ri.
“Çfarë mund të bëhet për të siguruar që produktet jetike të energjisë të mbeten të disponueshme dhe të përballueshme?” pyeti Darren Woods, shefi ekzekutiv i ExxonMobil.
“Megjithëse nuk ka një zgjidhje të shpejtë për këtë problem, përgjigja në planin afatshkurtër, derisa të ketë alternativa më të disponueshme dhe më të përballueshme, është e drejtpërdrejtë. Ne duhet të rrisim furnizimin me naftë dhe me gaz natyror.”
Sa janë rritur çmimet e naftës?
Çmimet e energjisë kishin filluar të rriteshin që përpara pushtimit të Rusisë, pasi kompanitë e patën të vështirë për t’iu përgjigjur problematikave që erdhën nga pandemia, e cila shkaktoi një kolaps të kërkesës në vitin 2020, e ndjekur nga një rikthim më i shpejtë i saj krahasuar me pritshmëritë.
Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, aleatët perëndimorë goditën Rusinë me sanksione të ashpra, duke sjellë ndërprerje në tregjet e naftës dhe duke rritur shqetësimet për furnizimet e tyre.
Rusia është eksportuesi i dytë më i madh në botë i naftës së papërpunuar dhe përbën rreth 10% të prodhimit global.
Çmimet e naftës janë rritur me afërsisht 70% nga një vit më parë. Kjo rritje është përshpejtuar më shumë gjatë muajve të fundit./ BBC