Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) me anë të një njoftimi ka thënë se është duke mbledhur informatat lidhur me punësimet e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
AKK bën me dije se ka pranuar telefonata dhe interesime të individëve të ndryshëm në lidhje me rolin që mund të ketë ky institucion në trajtimin e këtyre pretendimeve.
“AKK ka pranuar edhe telefonata dhe interesime të individëve të ndryshëm në lidhje me rolin që mund të ketë AKK në trajtimin e këtyre pretendimeve. Rrjedhimisht, në lidhje me këtë temë, AKK, njofton se zhvillimi i procedurave hetimore administrative në AKK mund të iniciohen edhe sipas detyrës zyrtare, kërkesave dhe denoncimeve nga palët me interes, pra edhe në rastet kur AKK informohet nga mediat”, njofton AKK, përcjell Telegrafi.
Sipas AKK-së, zhvillimi i procedurave hetimore administrative pushojnë në rastet kur për temën e njëjtë zhvillohen hetime penale nga Policia apo Prokuroria e Kosovës.
“Zhvillimi i procedurave hetimore administrative pushojnë në rastet kur për temën e njëjtë zhvillohen hetime penale, nga Policia e Kosovës apo Prokuroria. AKK është institucion kompetent për trajtimin e rasteve të pretenduara për konflikt te interesit sipas Ligjin 06/L-011. Me datë 05 prill 2022, Prokuroria themelore të Prishtinës, përmes njoftimit publik ka konfirmuar që kjo prokurori ka iniciuar hetime për të njëjtin rast. Rrjedhimisht, AKK nuk mund të ndërmarr procedura hetimore administrative që për njëjtin rast janë iniciuar hetime nga Prokuroria”, thekson Agjencia.
Në fund, AKK tregon se për sa i përket pretendimeve për konflikt të interesit thotë se ka filluar mbledhjen dhe trajtimin e informatave relevante.
“Në lidhje me pretendimet për konflikt të mundshëm të interesit në këtë proces, AKK ka filluar mbledhjen dhe trajtimin e informatave relevante duke përfshirë edhe kontaktin me autoritetin përgjegjës për parandalim te interesit në kuadër te KEK-ut. Procedura për shqyrtimin e konfliktit te interesit është konfidenciale”, përfundon AKK.