Banka Botërore planifikon një financim prej 170 miliardë dollarësh për të lehtësuar “krizat e shumta”

Banka Botërore

Presidenti i Bankës Botërore, “thellësisht i shqetësuar për vendet në zhvillim” në kushtet e luftës së Rusisë në Ukrainë, Covid-it dhe rritjes së inflacionit

Banka Botërore po përgatit një paketë ndihme financiare prej 170 miliardë dollarësh në përgjigje ndaj krizave globale të mbivendosura: luftës në Ukrainë, pandemisë dhe inflacionit, të cilat po godasin veçanërisht vendet më të varfra, tha presidenti i këtij institucioni.

David Malpass paralajmëroi se pushtimi i Ukrainës nga Rusia kishte shtuar presionet e shkaktuara nga kriza e Covid-19 dhe nga rritja e kostos së jetesës. Sipas tij, ekziston nevoja për të ofruar një ndihmë të shpejtë.

Reklama e sponzorizuar

Sipas propozimeve që do të diskutohen me qeveritë anëtare të Bankës Botërore në takimin e kësaj jave të organizatës me bazë në Uashington, 50 miliardë dollarë do të shpenzohen gjatë tre muajve në vijim, ndërsa një financim shtesë prej 120 miliardë dollarësh do të sigurohet përgjatë vitit të ardhshëm.

“Jam thellësisht i shqetësuar për vendet në zhvillim,” u tha Malpass gazetarëve. “Ata po përballen me një rritje të papritur të çmimeve për energjinë, për plehrat kimike dhe për ushqiminet. Kështu, janë shtuar gjasat për një rritje të normave të interesit. Secili prej këtyre faktorëve i dëmton rëndë këto vende.”

Presidenti i Bankës Botërore tha se rritja e ҫmimeve të ushqimit dhe të energjisë, normat më të larta të interesit, lufta në Ukrainë dhe izolimet e Kinës për shkak të koronavirusit nënkuptonin që ekonomia globale tani pritet që të rritet me 3.2% këtë vit, krahasuar me 4.1% që kishte parashikuar në janar.

Organizata simotër e Bankës Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, do të ulë parashikimet e rritjes ekonomike kur të publikojë perspektivën e saj gjashtëmujore për ekonominë botërore. Në një kapitull të botuar përpara publikimit zyrtar të këtij raporti, FMN shprehu shqetësimet e saj për një rritje të borxhit privat, i cili mund të ulë rritjen ekonomike me 0.9% në vendet e përparuara dhe me 1.3% në vendet në zhvillim, përgjatë tre viteve të ardhshme.

“Njerëzit po përballen me ndryshime në zhvillimin që lidhet me arsimin, shëndetësinë dhe barazinë gjinore,” tha Malpass. “Ata po përballen me një ulje të aktivitetit komercial dhe të tregtisë. Gjithashtu, kriza e borxhit dhe zhvlerësimi i monedhës përbëjnë një barrë që rëndon më shumë mbi të varfërit.”

“Krizat e ushqimit janë të këqija për ҫdokënd, por ato janë akoma më shkatërruese për më të varfërit dhe shtresat më vulnerabël. Ka dy arsye për këtë. Së pari, vendet më të varfra në botë priren të jenë vende importuese të ushqimit. Së dyti, ky ushqim përbën të paktën gjysmën e shpenzimeve totale në buxhetet e familjeve në vendet me të ardhura të ulëta, kështu që ai rëndon mbi to më së shumti.”

Malpass tha se bankat qendrore nuk duhet të mbështeten ekskluzivisht te normat e interesit për të trajtuar problemin e inflacionit. “Bankat qendrore duhet të përdorin më shumë mjete sipas politikave aktuale.”

“Hendeku i pabarazisë është zgjeruar materialisht, pasi pasuria dhe të ardhurat janë përqendruar në segmente të ngushta të popullsisë globale. Rritja e normave të interesit, nëse bëhet mjeti kryesor për të trajtuar inflacionin, do të shtonte në fakt sfidën e pabarazisë me të cilën po përballet bota.”

Presidenti i Bankës Botërore shtoi: “Ne po përgatitemi për një përgjigje të vazhdueshme ndaj këtyre krizave të shumta. Gjatë javëve të ardhshme, do të diskutojmë me bordin tonë një paketë të re 15-mujore në përgjigje ndaj krizës. Kjo paketë prej rreth 170 miliardë dollarësh do të mbulojë periudhën nga prilli i vitit 2022 deri në qershor të vitit 2023. Presim të financojmë rreth 50 miliardë dollarë nga kjo paketë në 3 muajt e ardhshëm.”

Si Banka Botërore, ashtu edhe FMN, janë të shqetësuara për numrin e vendeve që kanë probleme me pagesat ndaj kreditorëve të tyre, në kushtet e ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe të rritjes së normave globale të interesit.

Malpass tha se duheshin përmirësime në kuadrin e përbashkët – një mekanizëm për të ndihmuar vendet me barrën e tyre të borxhit – i cili është kritikuar se është shumë i ngadaltë dhe mjaft i kufizuar. “Për shkak të niveleve të larta të borxhit dhe të deficitit, vendet ndodhen në një situatë të rënduar financiare”, tha ai./ The Guardian