BE, ndalimi i plotë i importeve të qymyrit rus do të shtyhet deri në mes të gushtit

Delegatët e Bashkimit Europian do të miratojnë ndalimin e importeve të qymyrit rus, një masë e cila do të hyjë në fuqi plotësisht duke filluar nga mesi i gushtit, një muaj më vonë se sa ishte planifikuar fillimisht. Kjo erdhi pas presionit të Gjermanisë për të shtyrë aplikimin e kësaj mase.

Ndalimi gradual i importeve të qymyrit rus nga BE është masa kryesore në paketën e pestë të sanksioneve kundër Rusisë të propozuar këtë javë nga Komisioni i BE-së, si një reagim ndaj vrasjeve të civilëve në qytetin ukrainas Bucha.

Pasi të miratohet, ky do të jetë ndalimi i parë i BE-së për importet e energjisë nga Rusia, që nga fillimi i asaj që Kremlini e quan “operacioni special ushtarak” në Ukrainë më 24 shkurt.

Reklama e sponzorizuar

Nafta dhe gazi, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të importeve nga Moska, nuk do të preken ende.

Komisioni i BE-së fillimisht kishte propozuar një periudhë të ezaurimit të kontratave ekzistuese prej tre muajsh, që do të thotë se Rusia praktikisht mund të vazhdonte të eksportonte qymyr në BE për 90 ditë pas vendosjes së sanksioneve, sipas një dokumenti të parë nga Reuters.

Por, kjo periudhë është zgjatur në katër muaj, sipas disa burimeve për Reuters.

Shtyrja u bë si rrjedhojë e presionit që erdhi kryesisht nga Gjermania, importuesi kryesor i qymyrit rus në BE.

Megjithëse sanksionet pritet të hyjnë në fuqi në fund të kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme, pas publikimit në fletoren zyrtare të BE-së, kompanitë ruse do të mund të eksportojnë qymyr në BE deri në mes të gushtit, sipas kontratave ekzistuese.

Diplomatët mbajtën dy takime të enjten për të adresuar edhe disa çështje të tjera teknike, duke përfshirë ndalimin e hyrjes së anijeve ruse në portet e BE-së, gjë që ka sjellë shqetësime kryesisht në vendet ku sektori i anijeve është i rëndësishëm, si për shembull Qiproja. Megjithatë, nuk kishte dyshime për miratimin e të gjithë paketës.

Kontratat afatshkurtra

Një diplomat tha se shumica e kontratave të qymyrit ishin afatshkurtra dhe periudha e ezaurimit prej 90 ditësh do të bënte të mundur që shumica e tyre të përfundonin pa qenë nevojë për t’i anuluar, duke shmangur kështu edhe rreziqet ligjore.

Megjithatë, disa kontrata zgjasin më shumë se një vit.

Pjesa më e madhe e blerjeve të qymyrit rus nga Europa bëhet në tregun spot dhe jo me kontrata afatgjata. Këto blerje spot do të ndërpriten menjëherë pas vendosjes së sanksioneve.

Pavarësisht se është tërhequr nga propozimi fillestar, ndalimi i planifikuar i BE-së për qymyrin rus është më ambicioz se ai i Britanisë, e cila ka thënë se do të ndalojë importet e qymyrit nga Rusia deri në fund të vitit.

Komisioni i BE-së ka vlerësuar se ndalimi i importeve të qymyrit mund t’i kushtojë Rusisë 4 miliardë euro humbje të ardhurash në vit.

Komisioni nuk pranoi të komentojë.

Ndalimi i importeve të qymyrit rus nga BE-ja pritet që të rrisë importet globale të qymyrit që nuk vjen nga Rusia, duke sjellë kështu një rritje të çmimeve, megjithëse importuesit nga vendet që nuk janë anëtare të BE-së mund të përfitojnë nga ulja e çmimit për qymyrin rus./ Reuters/monitor/