Çmimet e larta dhe inflacioni 10 për qind sinjalizojnë për zymtësinë financiare të Kosovës

Mehmet Gjata

Sipas ASK-së, rritja e çmimeve të konsumit në dy muajt e parë të këtij viti pothuajse e ka dyfishuar inflacionin në Kosovë (në mars arriti kuotën 10 për qind), në krahasim me mesataren vjetore të vitit 2021, kur inflacioni vjetor ka qenë mesatarisht 3.4 për qind. Dhe, në bazë të vrullit aktual të ngritjes së çmimeve, ka gjasë reale që do të pasojnë ditë edhe më të ngrysura, kohë edhe më shqetësuese sa i përket ecurive dhe zhvillimeve në sferën inflatore të vendit.

 Mehmet GJATA

Ngritja kaotike e çmimeve thuajse në të gjithë sektorët e tregtimit të mallrave në Kosovë, është “trampolinë” për ngritje rapide të inflacionit në vend. Pastaj, përkeqësimet e tjera në zhvillimet ekonomike vijnë varg e vijë.

Reklama e sponzorizuar

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur këtyre ditëve se “indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit tregon për rritje të çmimeve për 10 për qind në muajin mars, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar”.

Sipas ASK-së, në këtë përqindje është shënuar edhe rritja e inflacionit.

Rritja e çmimeve të konsumit në dy muajt e parë të këtij viti pothuajse e ka dyfishuar inflacionin në Kosovë, në krahasim me mesataren vjetore të vitit 2021. Sipas Indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit, që del nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, inflacioni vjetor gjatë vitit 2021 ka qenë mesatarisht 3.4 për qind. Dhe kjo rritje kaq e madhe e inflacionit s‘ka shpjegim tjetër: kryekëput është pasojë e ngritjes së çmimeve të konsumit dhe të shërbimeve.

Sipas ASK-së, ngritja më e madhe e çmimeve vërehet te faturat e energjisë elektrike me 13 për qind (gjithsesi, në bazë të faturave të muajt mars, të arritura nëpër shtëpitë e konsumatorëve të rrymës, rritja e çmimit të energjisë është shumë më e madhe se kaq), pasuar nga gazi me 11.4 për qind. Vajrat dhe yndyrnat ushqimore kanë pasur rritje prej 11.3 për qind, pijet alkoolike për 5.9 për qind, ndërkaq veshjet për 4.9 për qind, u tha në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit.

Çmimet në tregun e Kosovës kanë shënuar rritje që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, por rritjes së çmimeve i ka kontribuar domosdo edhe ndalimi i eksporteve të produkteve bazike nga shtetet e rajonit, nga të cilat Kosova importon jo pak produkte elementare ushqimore.

Në fakt, Kosova importon pothuajse të gjitha llojet e produkteve nga shtetet e rajonit dhe Evropës. Sipas të dhënave të ASK-së, importi i mallrave në janar të këtij viti ka kapur vlerën e 338.1 milionë eurove, ndërsa eksporti ka qenë në vlerë prej 64.2 milionë eurosh. Ecuria e ngritjes së çmimeve, sidomos të atyre ushqimore, gjatë marsit dhe gjysmës së prillit ka vazhduar njësoj, thuaja se, sikundër që piku i krizës së çmimeve të ngritura (në dhjetor 2021 dhe në janar 2022), të jetë i egër, i vrullshëm për t’u bërë tani në këto ditë dhe thuaja i papërballueshëm për shumicën e kosovarëve me gjendje të lodhur financiare.

Nuk pati ditë që konsumatorin kosovar të mos e priste befasia e pakëndshme e ngritjes së rrufeshme të çmimeve, me të hyrë qoftë në shitore të vogla, në markete apo në megamarketet tona. Tani, janë të vjetëruara dhe thuaja të pavlera për krahasime, apo për analiza të ndryshme, përqindjet e ngritjes së çmimeve të shpallura në fillim të këtij muaji nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për të gjitha produktet bazë ushqimore, por edhe të mallrave të tjera.

Përqindjet e ngritjes së çmimeve të të gjitha mallrave, e në veçanti të atyre bazë ushqimore, pra e mallrave të së ashtuquajturës shportë familjare, janë ndjeshëm më të larta se të ASK-së. Janë shtrenjtuar gjatë marsit dhe gjysmës së prillit, të gjitha produktet: që nga ato të qumështit (bylmetrat), ku çmimi i djathrave është ngritur ndjeshëm gjatë marsit dhe fillim prillit. Prodhuesit kosovarë të djathrave, thuaja pa përjashtim kanë ngarendur sikur duke garuar se kush do jetë i pari edhe në ngritjen e çmimeve edhe në aplikimin sa më të shpejtë të tyre.

Tani një kilogram i djathit “Rugova” ka tejkaluar 7 euro. Por, nuk ia lëshojnë rrugën fare as prodhuesit e tjerë, as “Drena”, as “KAB”-i, as “Kabashi”, as djathi i Sharrit, e as ai i “Bylmetit”. Eshtë ngritur edhe çmimi i djathit që vie në tregjet tona nga Sjenica.

Po kështu, është ngritur në këtë periudhë ndjeshëm edhe çmimi i kosit të prodhuar në Kosovë, të jogurtit vendor dhe të importuar, dhe të produkteve të tjera me origjinë nga qumështi.

Buka, në shumë furra në kryeqytet tregtohet tani me çmime të reja. Te të gjitha llojet e bukës janë ngritur çmimet me dhjetëra centë. Edhe mielli po tregtohet gjithandej në Kosovë me çmime të rritura, dhe kjo ngitje merret si pretekst e ngritjes së çmimeve të bukës nga shumë tregtarë, edhe pse ata ende i kanë stoqet e miellit të siguruara me çmime të vjetra.

Ndërsa, vaji ushqimor, për rrethanat kosovare ka mbërritur te çmimet stratosferike, megjithë ca uljeve të kushtëzuara të çmimit në fillim të marsit, nga presioni i publikut.

Si rrjedhojë e çmimeve të ngritura ka pasuar edhe rritja e inflacionit në fund të marsit, siç thuhet në publikimin e ASK-së në 10 për qind, edhe pse vendi ynë ka në përdorim euron si valutë zyrtare, pra valutë të fortë dhe të fuqishme që do të duhej t’i bënte ballë goxha fuqishëm lëvizjeve inflatore.

Megjithë këtë trend inflator dhe megjithë tendencën e përditshme përshkallëzuese të ngritjes agresive të çmimeve, në Kosovë, në institucionet e republikës sonë, akoma nuk kanë gjetur dhe as nuk kanë deklaruar ndonjë masë, veprim preventiv, apo normë për parandalimin e ngritjës së egër të çmimeve.

Te shumë shtete të rajonit dhe të Evropës pati goxha veprime dhe masa për të parandaluar përshkallëzimin e krizave si pasojë e daljes jashtë kontrollit të ngritjes së çmimeve. Në disa shtete fqinje, u përcaktua ‘plafoni’ i çmimeve për produktet bazë, te disa pati ngrirje çmimesh për kohë të caktuara, e te disa ndalje eksporti për prodhimet elementare etj.

Ç‘është e vërteta, së fundi, saktësisht para dy-tre ditësh edhe dikasteri përkatës i Qeverisë sonë kumtoi informacionin për ndalimin e eksportit për disa produkte bazë…

Mirëpo, për joseriozitetin e kësaj mase flet e dhëna së pos se është shumë e vonuar, në të ka absurditete të tilla si “Kosova do të ndalojë eksportin e kripës”, thuaja se vendi ynë qenka prodhues i këtij produkti. Është, poashtu, joserioze, cinik dhe goxha me njëfarë sarkazme përmbajtja e vedimit të Qeverisë, ku parashihet ndalimi i eksportit të vajit, produkt ky që në Kosovë nuk prodhohet që kur është mbyllur shumë vjet më përpara Fabrika e Vajit në Ferizaj. Në Kosovë, ekzistojnë disa stabilemente ku vaji i importuar në sasi më të mëdha amballazhohet (mbushën shishet).

Duke i bërë një analizë të shkurtër trendit rritës të inflacionit në Kosovë, njohësi i ekonomisë, Edison Jakurti, konstaton se në bazë të inflacionit të shënuar sipas ASK-së në muajt janar, shkurt dhe mars e që ishte 7.1%, 7.5%, përkatësisht 10%, vlera reale e pagës nominale është aktualisht ndjeshëm më e ulët.

Sipas Jakurtit,“nëse paga juaj nominale këtë vit ishte 500 euro në muaj, vlera e saj reale ishte rreth 438 euro në janar, rreth 433 euro në shkurt, dhe rreth 422 euro në mars”.

Në postimin e Jakurtit në facebook, në vazhdim thuhet se “atë që në marsin e vitit 2021 keni mundur ta bleni me 500 euro, për ta blerë në këtë mars do t’ju duheshin 550 euro. Nëse vazhdon ky trend, subvencionet do të bëhen gjithnjë e më impotente e politikat që targetojnë drejtpërsëdrejti çmimet gjithnjë e më të nevojshme”.

Kjo është gjendja aktuale pak a shumë e ecurive të çmimeve dhe të atyre inflatore te ne. Mirëpo, për kosovarët, e sidomos kosovarin e rëndomtë, atë të varfërin, i cili mezi ia del ta sigurojë bukën e gojës, dhe të tillë janë shumica e kosovarëve, edhe ditët e muajt në vazhdim nuk premtojnë ndonjë kthesë më të favorshme. Përkundrazi, në bazë të vrullit të ngritjes së çmimeve, ka gjasë reale që do të pasojnë ditë edhe më të ngrysura, kohë edhe më shqetësuese sa i përket ecurive dhe zhvillimeve në sferën e çmimeve, e që drejtpërsëdrejti reflektohet në mirëqenien e tyre dhe jetën sociale të shumicës absolute të banorëve të Kosovës.

Ne, Kosova pra, nuk jemi aq të fuqishëm për t’i bërë ballë lëkundjes aq agresive të çmimeve, thuaja se të të gjitha produkteve. Kosova nuk është e izoluar nga ndikimi i çmimeve dhe krizat globale, siç ishte ajo e shkaktuar nga ngritja e çmimeve të karburanteve dhe të gazit e energjisë elektrike, dhe tani së fundi kriza e shkaktuar nga lufta ruso-ukrainase, në një masë priten të ketë ndikim më afatgjatë edhe në vendin tonë.

Dhe, ç’është më keq, pos ndihmës së fundit financiare, që ç’është e vërteta, nuk ishte e vogël (një e dhjeta e buxhetit për ta zbutur krizën sociale nuk është para e vogël për Kosovën me potencë të kufizuar financiare), nuk ka ndonjë masë që më efektivisht do të ndikonte në parandalimin e rritjes së proceseve inflatore, që nuk po ndalen.

Ndërkohë, më duket i diskutueshëm konstatimi i guvernatorit të BQK-së se ndërmarrja e ndonjë mase për parandalimin e inflacionit do të ndikonte negativisht në rritjen ekonomike.

Guvernatori, sipas medieve, ditë më parë ka thënë saktësisht: “në disa takime të mbajtura me Bankën Qendrore Evropiane, nuk është marrë ndonjë masë që do të parandalonte rritjen e inflacionit, me qëllim që të mos pengohet rritja ekonomike në vend”.

“Prandaj, edhe ne, si Bankë Qendrore, por po mendoj edhe Qeveria, nëse marrim masa me qëllim që ta ndalim inflacionin – edhe pse është shumë e vështirë, sepse është inflacion i importuar – atëherë do ta ndikojmë ose do të kemi efekt negativ në rritjen ekonomike”, kishte theksuar guvernatori.

Megjithatë, ndër ekspertë, ka shumë të tillë që vlerësojnë se institucionet e Kosovës dhe veçmas Qeveria, duhet të gjejnë forma për zbutjen e situatës së krijuar, edhe nëse shkaktarët e rritjes së çmimeve – siç është lufta në Ukrainë – pushojnë. Pasi që çmimet nuk kanë për t’u kthyer në gjendjen e mëparshme.

Ndësa, masa të tilla kanë ndërmarrë tashmë disa vende të rajonit dhe të Evropës. Si do që të jetë, këto përmasa ngritje çmimesh dhe kjo shkallë inflacioni e shënuar në muajin mars, është një sinjal i fortë për t’ua përkujtuar kosovarëve, sidomos autoriteteve dhe zyrtarëve të vendit, se zymtësia financiare do të vazhdojë, mbase edhe me përmasa më të ashpra se këto të tashmet. Dhe me këtë sfidë financiare duhet të përballen kosovarët, gjithsesi. /Buletini Ekonomik/