FMN përgjysmon parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin 2022, më e ulëta në rajon

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në dritën e zhvillimeve të reja pas sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, ka ulur ndjeshëm pritshmërinë për rritjen ekonomike të Shqipërisë, me më shumë sesa përgjysmim.

Në raportin e prillit të “Pasqyrës Ekonomike Globale”, të sapopublikuar, FMN parashikon që ekonomia shqiptare do të rritet ketë vit me vetëm 2%, nga 4.5% që ishte parashikimi në muajin tetor. Ky ngadalësim vjen pasi në vitin 2021, ekonomia vendase u rrit me 8.5%, pas rënies me 3.5% në vitin 2020, kur ekonomia vuajti pasojat e pandemisë. Ritmet e rritjes pritet të jenë të ulëta edhe në vitin 2023, me 2.8% dhe do të përshpejtohet lehtë në 3.4% deri në vitin 2027.

Vendi ynë vlerësohet se do të ketë rritjen më të ulët në rajon. Për Malin e Zi vlerësimi është 3.8, për Bosnjë Hercegovinën 2.4%, për Kosovën 2.8%. Maqedonia e Veriut pritet të ketë një rritje prej 3.2%. Më pak pritet ta ndiejë luftën Serbia, që vlerësohet se do të zgjerohet me 3.5% këtë vit dhe do të përshpejtohet në 4% vitet në vijim.

Reklama e sponzorizuar

Të gjitha institucionet ndërkombëtare kanë rishikuar në ulje javët e fundit pritshmërite për rritjen ekonomike të vendit, për shkak të efekteve që po jep në ekonominë globale lufta e Rusisë ndaj Ukrainës. Por, FMN deri tani është më pesimistja. Ulja e parashikimit të FMN-së lidhet me luftën dhe ndikimin e saj në partnerët kryesorë të vendit (si Italia) si dhe situatën energjetike.

Sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ekonomia e Shqipërisë pritet të zgjerohet me 3.3% në vitin 2022, duke u ulur me 0.4 pikë përqindje, në krahasim me projeksionin e muajit nëntor.

Banka Botërore në raportin e fundit ”Lufta në Rajon” për Europën Qendrore dhe Azinë pret tashmë që ekonomia vendase të rritet me 3.2 për qind, ose 0.6 pikë përqindje më pak se raporti i mëparshëm. Edhe për vitin 2023, ekonomia pritet të rritet me 3.4%, ose 0.3 pikë përqindje më pak se vlerësimi i mëparshëm.

Ulet pritshmëria për rritjen globale

Sipas perspektivës Ekonomke Globale të prillit të FMN-së, të titulluar, “Lufta frenon rimëkëmbjen ekonomike”, perspektivat ekonomike globale janë përkeqësuar ndjeshëm që nga parashikimi i fundit në janar. Në atë kohë, FMN parashikonte që rimëkëmbja globale të forcohej nga tremujori i dytë i këtij viti pas një ndikimi jetëshkurtër të variantit Omicron. Që nga ajo kohë, perspektiva është përkeqësuar, kryesisht për shkak të pushtimit rus të Ukrainës – duke shkaktuar një krizë tragjike humanitare në Europën Lindore – dhe sanksioneve që synojnë të bëjnë presion ndaj Rusisë për t’i dhënë fund konflikteve.

Përtej ndikimeve të menjëhershme humanitare, lufta do të frenojë rëndë rimëkëmbjen globale, duke ngadalësuar rritjen dhe duke rritur inflacionin edhe më tej. Raporti parashikon që rritja globale të jetë në 3.6 për qind në 2022 dhe 2023, përkatësisht 0.8 dhe 0.2 pikë përqindjeje më e ulët se në parashikimin e janarit. Ulja e vlerësimit reflekton kryesisht ndikimet e drejtpërdrejta të luftës në Rusi dhe Ukrainë dhe efektet globale të saj.

Si Rusia ashtu edhe Ukraina parashikohet të përjetojnë tkurrje të mëdha të PBB-së në vitin 2022. Kolapsi i rëndë në Ukrainë është rezultat i drejtpërdrejtë i pushtimit, shkatërrimit të infrastrukturës dhe eksodit të njerëzve të saj.

Në Rusi, rënia e mprehtë reflekton ndikimin e sanksioneve me ndërprerjen e lidhjeve tregtare, dëmtim të madh të ndërmjetësimit financiar të brendshëm dhe humbjen e besimit.

Ukraina pritet të ketë një rënie ekonomike prej -35% dhe Rusia prej -8.5%.

Raporti thekson se efektet ekonomike të luftës po përhapen gjerësisht – si valët sizmike që burojnë nga epiqendra e një tërmeti – kryesisht përmes tregjeve të mallrave, tregtisë dhe lidhjeve financiare. Për shkak se Rusia është një furnizues kryesor i naftës, gazit dhe metaleve, dhe, së bashku me Ukrainën, të grurit dhe misrit, rënia aktuale dhe e pritshme e ofertës së këtyre mallrave tashmë i ka rritur ndjeshëm çmimet e tyre.

Europa, Kaukazi dhe Azia Qendrore, Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, dhe Afrika Sub-Sahariane janë më të prekura. Rritja e çmimeve të ushqimit dhe karburantit do të dëmtojë familjet me të ardhura më të ulëta në nivel global, duke përfshirë këtu shtetet e Amerikës Jugore dhe Azisë./Monitor/