Forca e gruas në biznes, profilet e 4 sipërmarrëseve të mëdha shqiptare

Të gjitha kanë mbi 20 vjet në biznes dhe secila më vete është histori suksesi në fushën ku ka zgjedhur të investojë. E kthyer në traditë, në kuadrin e festës së 8 Marsit, “Monitor” sjell rrëfimin e katër grave drejtuese të kompanive të  listuara ndër sipërmarrjet më të mëdha në vend sipas të ardhurave, në pronësi të femrave. Donika Mici, përfaqësuese e kompanisë “Donianna”, Merita Sheqi e “Rejsi Farma”, Eleni Babameto, përfaqësuese e kompanisë “Teuta” dhe Mimoza Çobo, sipërmarrëse e DENISA, me aktivitet në lëndët drusore, tregojnë vështirësitë e biznesit dhe sfidat e grave në sipërmarrje.

Donika Mici: Nga rënia e euros te koronavirusi, si po i kapërcejmë vështirësitë

Donika Mici, prodhuesja më e madhe e këpucëve shqiptare, në një rrëfim për “Monitor”, tregon se si po i përballon biznesi vështirësitë, që nga hapja e tregjeve globale, rënia e euros dhe paniku për përhapjen e koronavirusit. Për kompaninë “Donianna”, rënia e euros dha efekte dhe nga shteti nuk pati kompensim. Efektet po ndihen edhe nga frika e koronavirusit, ndërsa puna për sezonin e ri të këpucëve është pezulluar. Donika Mici, punëmarrësja më e madhe grua në vend, flet edhe për aspektin social, si mbrohen punonjësit, pavarësisht “goditjeve” të kompanisë.

Reklama e sponzorizuar

Donika Mici nuk do ta kishte menduar 27 vjet më parë, kur hapi ndërmarrjen e saj të parë, se në biznes do të përballej edhe me vështirësitë më urgjente të botës.

Nëse 30 vjet më parë, për të bërë biznes privat në Shqipëri, sfidë ishte të prodhoje jashtë formatit të një ndërmarrjeje shtetërore dhe ish-kooperative, sot për Donika Micin, prodhuesen e këpucëve, të mbash në këmbë kompaninë e ngritur vite më parë, sfidë është përballja me globalizmin ekonomik, rënien e euros dhe koronavirusin.

Në vështirësinë e globalizimit ekonomik, Donika Mici, prodhuesja e këpucëve në kompaninë “Donianna”,  rrëfen për “Monitor” se qëllimi ishte për t’u zgjeruar në tregje, duke vendosur në peshore plotësimin e tendencave të reja të blerësit me fitimin. Por edhe kjo pati kosto, pasi kishte barriera.

Me kalimin e viteve, kompania u zgjerua, u rrit konkurrenca, cilësia e mallit për blerësin u shtua gjithnjë e më shumë, u shtua promovimi i dy brendeve të këpucëve “Made in Albania”, por kompania “Donianna” nuk mbeti e paprekur nga rënia e euros. Fitimet u ulën 20 për qind, shteti nuk kompensoi humbjet.

“Në momentin që mendon se biznesi është konsoliduar, bie euroja. Prej dy vitesh, euroja shënoi rënie 20 pikë, uli 20 për qind fitimet tona. Nga shteti nuk pati asnjë kompensim për rënien e euros, fitimet shkuan në zero”, thotë Mici.

Për sipërmarrësen e prodhimit të këpucëve, tashmë vështirësia për të mbajtur të hapur biznesin është të përballet edhe me panikun nga koronavirusi. Donika Mici nuk dëshiron të qëndrojë në shtëpi. Me maskë dhe me mjete të tjera mbrojtëse, ajo merr pjesë në panaire, edhe pse vështirësitë janë rritur 90 për qind.

“Unë si grua, pavarësisht koronavirusit, me maskë kam shkuar nëpër panaire, kam udhëtuar jashtë, sepse kërkoj të vazhdoj aktivitetin tim.

Më është dashur të udhëtoj dhe kam udhëtuar me masa mbrojtëse. Të them të drejtën, udhëtimet kanë qenë të reduktuara. Kjo pasi nuk bëhet fjalë për një sëmundje të thjeshtë, për një grip të lehtë, por për një virus që edhe vetë studiuesit nuk po e kuptojnë çfarë është, nga vjen. Për ne që punojmë me jashtë, vështirësitë janë rritur 90 për qind, sepse nuk po arrijmë dot të negociojmë, të vijnë njerëzit pas panaireve të programojnë punën”, thotë Mici.

Biznesi është një aktivitet ekonomik, ku dikush duhet të prodhojë dhe të shesë që të ketë fitim.  Nëse ky aktivitet shtohet, kjo sjell më shumë para që të paguhen furnitorët, punonjësit, taksat e shtetit. Në Itali, për shkak të koronavirusit, Donika Mici thotë se në rrugë nuk gjen asnjë që të blejë, nuk ka blerës, nuk ka treg, dhe atëherë nuk ka edhe biznes.

“Nuk dimë edhe për sa kohë do të vazhdojë kjo situatë, që dyqanet të jenë bosh, rrugët e Milanos bosh, rrugët e Romës bosh. Nëse rrugët janë bosh, nuk ka turistë, nuk ka njerëz dhe nuk blihet asgjë dhe ne nuk prodhojmë gjë. Tregu është i mbyllur, dyqanet janë të mbyllura, dhe po nuk u shit atje, ne nuk prodhojmë dot në vend, pasi shumë klientë tanë, dyqanet më të mëdha i kanë jashtë vendit”.

Fakti tjetër që Mici përmend është se nuk po nis prodhimi i këpucëve për sezonin e ri. Kjo sipas saj nuk ndikohet as nga kushtet kombëtare, as nga fuqia dhe resurset e kompanisë, por nga rreziku botëror i koronavirusit.

“Vërtet në Shqipëri nuk ka rënë koronavirus, por ne jemi të goditur automatikisht, pasi punën e kemi me tregun e huaj.  Cikli ynë kërkon 45 ditë që nga dita e parë që ne fillojmë të bëjmë një urdhër. Pra, 45 ditë deri 2 muaj kërkon përgatitja e materialeve, ardhja e tyre. Ne po mbarojmë rezervat e sezonit të vjetër dhe ende nuk e dimë se sa do na zgjasë ky problem. Duhej të kishim filluar sezonin e ri, por nuk kemi asgjë të re, as urdhrat e konfirmuar, sepse edhe blerësit janë frenuar. Në Milano nuk ka këmbë njeriu, në Kinë dyqanet janë të mbyllura”, shpjegon Mici.

Në këtë situatë delikate për biznesin, pavarësisht vështirësive, për të kapërcyer situatën po mobilizohen resurset dhe fitimet e kompanisë, për të mbajtur të paprekur punëtorët.

Donika Mici është punëmarrësja më e madhe femër në vend. Punëtorët që prodhojnë këpucët, ajo i cilëson “aset i çmuar” dhe pavarësisht vështirësive që dalin, ata preken të fundit.

“Në të gjitha fabrikat janë të punësuar 1500 punëtorë. Te ne, punëtori është i fundit që goditet. Është si puna e kapitenit që e lëshon i fundit anijen kur fundoset. Kështu është për ne punonjësi, është gjëja më e shtrenjtë që kemi, është aset shumë i çmuar. Në fillim goditet fitimi i shoqërisë e gjithçka tjetër, i fundit që goditet është punëtori”, thotë Mici.

Sipërmarrësja e këpucëve thotë se ka ardhur koha që e gjithë bota të veprojë me “rrjetë sigurie” që puna të mos pengohet. “Shpresojmë që gjërat do të përmirësohen, do të ndryshojnë. Shpresojmë që bota do ta mendojë më gjerë situatën, të mos jetë e varur nga një treg ndërkombëtar që furnizon me gjithçka, siç është Kina. Kemi shpresën që biznesi të rikthehet pak nga pak në vendet ku ka qenë. Tashmë ne nuk mendojmë vetëm një variant për ecurinë e punës, por edhe variantin A dhe B.  Puna jonë ka frenuar, sepse furnitori ndërkombëtar ka frenuar punën, ka mbyllur fabrikat. Në momentin që atje bie diçka, bota frenon. Edhe ne jemi në këtë pikë që kemi frenuar”, shprehet përfaqësuesja e kompanisë “Donianna”.

Në vitin 1992, Donika Mici ka hapur ndërmarrjen e saj të parë, kur ishin të punësuar 75 punëtorë. Këpuca e parë e prodhuar në ndërmarrjen e quajtur “Doralba” ka qenë këpuca e një fëmije.  Në vitin 1998 ishte rritur aq shumë, sa mund të zhvendosej në një vend më të madh, si Italia, për prodhimin e këpucëve. Në vitin 2010 dalin për herë të parë në treg dy brendet shqiptare të këpucëve: “Donianna” dhe “Mici’s”. Në vitin 2013, pas 20 vitesh bashkëpunim me investitorët italianë, Donika Mici shkëputet, për të dalë në treg me markat e veta.

Historia 20-vjeçare  e kompanisë të barnave, Merita Sheqi: Qëndrueshmëria u shlye

20 vjet aktivitet për përsosmëri dhe cilësi i dhanë rezultat kompanisë “RejsiFarma”. Merita Sheqi, e palëkundur për standardet, edhe kur në vend nuk ekzistonin, si dhe bashkëpunimi me ndërkombëtarët, e bënë “RejsiFarmën” model në tregun e farmaceutikës.

Drejtuesja e kompanisë farmaceutike “RejsiFarma” nuk do ta mendonte se sipërmarrja e ngritur pas viteve të rrëmujshme ‘97, ku të gjithë kërkonin të iknin për një jetë më të mirë, do të përmbyste stereotipin e biznesit të pasigurt dhe do të sillte modelin se Shqipëria është vend i mundësive.

Kualiteti  dhe siguria te barnat, u respektuan vullnetarisht nga zonja Merita Sheqi, që pas viteve ’97 të kaosit ekonomik, kur me bashkëshortin, Nexhatin, ngritën biznesin.  Ky koncepti për biznes do të quhej “çmenduri” për kohën,  por ndër vite tregoi vizionin e kompanisë.

“Njëzet vjet më parë, kjo ishte një sfidë, pasi tregu ishte shumë i ndryshëm. Kishte pak rregulla në vend dhe një pjesë e konsiderueshme ishte treg i zi. Sidoqoftë, mbetëm të palëkundur në filozofinë tonë, duke qenë pionier në këtë model”, kujton me nostalgji znj. Merita Sheqi.

Edhe sot, si 20 vjet më parë, për Merita Sheqin, drejtuesen e kompanisë farmaceutike më të madhe në vend, “RejsiFarma”, etaloni i punës mbeten standardet. Nga viti në vit, prodhuesit e produkteve farmaceutike “vrapojnë” të mbushin tregun me risi dhe teknologji, por kryesorja mbetet siguria e barnave që ofrohen për popullatën. Me logjikën e tregut dhe kushtet e sigurisë të shëndetit, është e kuptueshme se pa plotësuar standardet, ndërkombëtarët nuk vendosin bashkëpunim, sidomos në një treg si Shqipëria.

“RejsiFarma” i ka zbatuar ato edhe kur në vend nuk ekzistonin apo nuk i kërkonte njeri, dhe zonja Sheqi thotë se bashkëpunimi në këto 20 vjet me markat ndërkombëtare rriti cilësinë dhe besimin për barnat e ofruara.

“Ne çdo vit kontraktojmë kompani të reja për të bashkëpunuar.  Ajo që i tërheq ata është performanca jonë, respektimi ynë ndaj standardeve rregullatore të BE-së. Ne i kemi respektuar ato standarde që përpara se ta kërkonte ligji shqiptar, dhe kemi përafruar procesin tonë me auditimin e brendshëm të këtyre kompanive sipas standardeve dhe cilësisë së kërkuar.

Ne shërbejmë si një shembull i përsosmërisë së korporatave në Shqipëri, duke qenë i pari që ka respektuar standardet e BE-së, dhe në mënyrë vullnetare. Markat na besojnë, sepse rekordi dhe reputacioni ynë flasin vetë. Gjithashtu, është e rëndësishme të përmendet që “RejsiFarma” përveç performancës së saj, është gjithashtu një kompani me integritet dhe etikë të lartë, e cila është shumë e vlerësuar nga partnerët perëndimorë”.

Merita Sheqi e thotë me gojën plot se pas dy dekadash aktivitet,  “RejsiFarma” është bërë një markë e besueshme për shqiptarët dhe të huajt, për të sjellë barna me standard si të Bashkimit Europian, dhe markat më të njohura farmaceutike ndërkombëtare.

“Jam shumë krenare që kemi qëndruar te parimet tona themelore. Ishte shumë e vështirë në fillim, kur mjedisi rregullator dhe tregu  ishin ndryshe. Sidoqoftë, qëndrueshmëria jonë u shlye, për shkak të performancës sonë dhe respektimit të vazhdueshëm të standardeve të larta, emri ynë jo vetëm që funksionon për ne, por konsiderohet një emër marke në Shqipëri. Farmacitë dhe pacientët i besojnë emrit tonë. Ne jemi shumë krenarë për këtë”.

Rritja e cilësisë dhe përsosmërisë ndryshoi ndër vite edhe vizionin e drejtueses së kompanisë për investime.  Sot Merita Sheqi thotë se, për t’iu përmbajtur rregullave të Europës dhe për t’u ofruar shqiptarëve barna me cilësi si qytetarëve europianë, janë kryer investime moderne.

“Ne kemi investuar në një sistem administrimi të kompanisë farmaceutike. Kjo, në mënyrë të veçantë, na lejon të përqendrohemi te gjurmueshmëria. Kemi investuar në IT dhe automatizimin e sistemit tonë të shpërndarjes. Këto sisteme lejojnë kontrollin në shpërndarjen e barnave. Përveç përqendrimit në automatizim, këto sisteme informatike janë të ndërlikuara, dhe është e rëndësishme që të ketë personel që është i trajnuar mirë për të operuar. Gjithashtu janë aplikuar sisteme të modernizuara të larta të monitorimit të temperaturës dhe zbulimit të zjarrit. Në përgjithësi, “RejsiFarma” posedon kompaninë farmaceutike më të madhe në vend me të gjitha standardet e aplikuara në BE dhe ka kaluar me sukses të gjitha auditimet ndërkombëtare”, shpjegon drejtuesja e kompanisë.

Edhe për të ardhmen, Merita Sheqi thotë së do të vazhdojë të investojë si në logjistikë, ashtu edhe në standarde, që shumë kompani të huaja të vijnë në Shqipëri.  Zonja Sheqi sugjeron si domosdoshmëri për tregun farmaceutik, rivlerësimin e çmimeve të barnave nga qeveria, për të qenë më fleksibël me tregun e huaj.

“Një fushë për përmirësim është se ne do të duhet të rivlerësojmë çmimet farmaceutike në të ardhmen e afërt. Ne jemi të njohur për çmimet tona të ulëta. Sidoqoftë, kostoja e prodhimit ndryshon ndër vite, por ato ndryshime nuk reflektohen në çmime. Qeveria jonë duhet të përshtatet dhe të jetë më fleksibël, dhe ne duhet të bëjmë një vlerësim dhe referencë në shumë vende për të krahasuar çmimet. Kryesorja është që markat ndërkombëtare të mos e lënë tregun vetëm sepse çmimi nuk është konkurrues. Ne duam të sigurojmë jo vetëm që kompanitë të qëndrojnë, por që ndërmarrjet e reja të vazhdojnë të vijnë. Qëllimi ynë është t’u japim qytetarëve shqiptarë të njëjtin akses si qytetarët e BE-së ndaj barnave cilësore”.

Në aktivitetin e saj, gara për tenderat publikë është pjesë e rëndësishme e punës. “Tenderat janë publikë dhe gjithçka është transparente. Procedura është e saktë dhe fiton çmimi më i mirë”. Ajo thotë se do të ishte mirë që në tenderat e shëndetësisë, shteti të kishte mundësinë që të financonte produkte cilësore, por ky standard nuk është arritur ende në vende si Shqipëria.

Eleni Babameto: Ëndrra është realizuar dhe tejkaluar

Kompania “Teuta”, 100 për qind  shqiptare, që prej vitit 2008 merret me prodhimin e produkteve ushqimore. Ajo ka aksionerë bashkëshortët Babameto dhe dy djemtë: Ermalin dhe Edlirin. Pas 25 vjetësh nga nisja e punës, kompania përveç dy brendeve shqiptare, “Teuta” dhe “Gold”, të hedhura në treg, importon edhe produktet ushqimore të huaja aq të pëlqyera për shqiptarët, si “Scoti” apo “Ponti”.  Pas këtyre viteve punë, sakrificash dhe vështirësi, zonja Eleni Babameto në rrëfimin për “Monitor” pohon me krenari se ëndrra e familjes u realizua dhe produktet ushqimore me cilësi janë në tavolinat e çdo familjeje shqiptare.

Jo të gjitha gratë janë të gatshme të rrezikojnë gjithçka për të hyrë në biznes. Që biznesi të rritet dhe të ecë përpara, duhet të  investosh jo vetëm paratë, por edhe kohën për fëmijët dhe familjen. Për një grua si Eleni Babameto, që punon për të bërë të suksesshëm biznesin me novacione, prodhime, ide, angazhime, takime, sakrificat e mëdha e kanë bërë edhe më të fortë.

Eleni Babameto, me profesion inxhiniere kimiste, rrëfen për “Monitor” se si u rrit dhe u zhvillua kompania e ngritur 25 vjet më parë, e cila fillimisht importonte ushqimet bazike, që i mungonin tregut të sapodalë nga izolimi ekonomik.

Me kalimim e viteve, përparësitë e kësaj kompanie dalluan nga të tjerat, për shkak të personalitetit dhe punës së drejtueses për t’u rezistuar ndryshimeve ekonomike. “Uria” e tregut për produkte të reja rriti edhe sfidën e kompanisë për zgjerim, futjen e teknologjive, trajnimin e burimeve njerëzore, elementë të domosdoshëm për një biznes të një shoqërie kapitaliste.

Kompania “Teuta”, falë punës dhe principeve ekonomike që udhëheqin drejtuesen e saj, prej vitit 2008 është 100 për qind shqiptare dhe ka hedhur në treg dy brende shqiptare për ushqimet, “Teuta” dhe “Gold”. Aktiviteti i biznesit fokusohet në import-eksport, si dhe prodhimin dhe shpërndarjen e ushqimeve bazë, si orizi, fasule, niseshte, sheqeri, mielli, vaj luledielli.

“Në profesion jam inxhiniere kimiste. Që në përfundim të studimeve kam punuar në disa ndërmarrje ushqimore, si inxhiniere në prodhim, përgjegjëse fabrike apo drejtoreshë në vitet e para të demokracisë. Kjo më ka dhënë eksperiencën e nevojshme për të qenë e përgatitur për të nisur dhe drejtuar një biznes privat më vonë. Në momentet e ndryshimeve të mëdha në vendin tonë, unë isha drejtuese në këtë ndërmarrje ku sot ne punojmë.

Ajo u ble nga dy firma të huaja që kishin mundësitë financiare për të filluar një biznes, por duke mos pasur mundësinë ta ndiqnin e drejtonin atë, sepse kishin edhe biznese të tjera, më përzgjodhën që ta drejtoj, duke më huazuar edhe një kuotë të vogël pjesëmarrjeje, të cilën shumë shpejt e shleva me punë.

Biznesi nisi si import i lëndëve të para ushqimore bazë, ku mungesa ishte më e madhe. Më pas u futëm fuqimisht në prodhim, paketim dhe tregtim të produkteve ushqimore me një standard të ri që nuk njihej te ne”, thotë Babameto. Në rrugëtimin e saj për të vazhduar aktivitetin ekonomik që nisi 25 vjet më parë, Eleni Babameto kujton se si vështirësitë ekonomike të vendit ndikonin te klima e biznesit.

“Ne nuk kishim as eksperiencën e duhur për ekonominë e tregut. Nuk kishim teknologjinë bashkëkohore. Stafi ishte i mangët dhe i patrajnuar, financat të kursyera, për të mos thënë që edhe bankat vetë nuk ishin të gatshme për të kredituar.

Për të plotësuar ndonjë nga këto boshllëqe, kam qenë e detyruar të  mbuloja disa pozicione njëherësh, jo vetëm administratore, por edhe inxhiniere prodhimi, menaxhere shitje etj. Këto ishin vështirësitë e fillimit, por më vonë gjërat ndryshuan”, thotë Babameto.

Drejtuesja e kompanisë “Teuta” thotë se vështirësitë që ka kaluar për të vazhduar aktivitetin e saj, që nga mungesa në familje apo oraret e gjata, e kanë bërë më të fortë. Për zonjën Babameto, ndihma e bashkëshortit në biznes është e çmuar.

“Të ngresh një biznes, duke filluar nga zero, që jo vetëm t’i rezistojë kohës, por edhe të jetë çdo vit edhe më i suksesshëm, është shumë e vështirë, si për burrat, edhe për gratë. Pasi të bësh biznes do të thotë të sakrifikosh, të punosh dhe të mendosh më shumë se të tjerët, orë pa orë; të heqësh dorë nga pushimet me familjen, nga festat, nga një kafe me shoqërinë apo familjarët.

Të gjitha këto në një kohë kur je grua, nënë e dy fëmijëve të vegjël 5 dhe 13 vjeç, që kanë nevojë për praninë dhe përkujdesjen tënde. Ishte koha kur duhej bërë diçka, duhej marrë një vendim, të cilin e morëm së bashku me bashkëshortin. Ndihma e tij ka qenë shumë e madhe për mua dhe pa të nuk do ia dilja dot.

Të bësh biznes do të thotë të marrësh përsipër rreziqe, sepse jo gjithmonë puna shkon mbarë. Ka edhe dështime, të cilat janë pjesë e biznesit, por sidoqoftë të bëjnë më të fortë”, tregon Eleni Babameto.

Kompania “Teuta” e  prodhimit të produkteve ushqimore shqiptare, të vetmit aksionerë ka bashkëshortët Babameto dhe dy djemtë: Ermalin dhe Edlirin. Të ishe kompani e madhe në Shqipërinë post-komuniste nuk ishte kusht vetëm përmirësimi i teknologjisë, por edhe përfaqësimi i qytetit dhe vendin tënd  me brende unike, ashtu siç ndodhte në ekonomitë e zhvilluara. Pas këtyre viteve punë dhe sakrifica, zonja Eleni Babameto pohon me krenari se ëndrra e familjes u realizua. Përveç brendeve shqiptare, kompania importon edhe produktet ushqimore të huaja aq të pëlqyera për shqiptarët, si “Scoti” apo “Ponti”.

“Shumë shpejt, pas tre vjetësh punë, biznesit iu bashkua im shoq. Po ashtu, ka më shumë se 10 vjet që në shoqëri ka hyrë edhe kontributi i dy djemve, Ermalit dhe Edlirit, që kanë sjellë frymën e re, idetë e reja, teknikat e reja të menaxhimit. Frytet e këtij kombinimi të eksperiencës me novatorizmin janë shumë të dukshme në fuqizimin e prezencës së produkteve tona, si në raftet e supermarketeve, por më tepër në tryezat e familjeve shqiptare.

Sot do të thoja jo pa krenari, që ëndrra është realizuar dhe tejkaluar. Sot pas 25 vitesh, ne jemi një realitet i suksesshëm në tregun shqiptar me të gjithë gamën e produkteve nën brandet shqiptare “Teuta” dhe “Gold”, por edhe brandeve shume prestigjioze ndërkombëtare, si “Scotti”, “Olitalia”, “Star”, “Ponti”, “Lessafre”, “Vic”. Në këtë ditë feste të 8 Marsit, festës së gruas, që në të vërtetë është dita e afirmimit të gruas me të gjitha të drejtat që i takojnë, u uroj suksese të gjitha grave biznesmene dhe jo vetëm atyre! Të luftojnë dhe të tregojnë në çdo sektor aftësitë e tyre që sigurisht nuk i kanë më të pakta se burrat. Lumturi në familjet e tyre!”, shprehet znj. Babameto.

Mimoza Çobo, 30 vjet në biznes: Pas suksesit të kompanisë qëndron një skuadër e përkushtuar

Mimoza Çobo prej 30 vitesh drejton kompaninë 100 % familjare, “Denisa shpk”. Në rrëfimin e saj për “Monitor”, znj. Çobo tregon si nisi puna në maj të vitit ’90, me importin e mallrave ushqimore, deri kur, në vitet 2000, kompania u orientua te importi i lëndëve drusore për mobilje. Guximi dhe serioziteti për investim në sektorë të paeksploruar e shndërroi kompaninë “Denisa” në bashkëpunëtore  me “Hyat Holding”, një ndër 10 kompanitë më të fuqishme në botë.

Në maj të vitit 1990, Mimoza Çobo me profesion mësuese, jo rastësisht së bashku me bashkëshortin dhe vajzat nuk zgjodhi të largohej nga Shqipëria, por të qëndronte me familjen. Ndërrimi i sistemit politik dhe ekonomik u shfrytëzua 30 vjet më parë nga Mimoza Çobo si një mundësi e artë për të investuar në vendin e saj, siç ajo shprehet në rrëfimin e saj të parë për “Monitor”.

Pasiguria dhe dilemat që shoqëruan të gjithë shqiptarët drejt “ botës së re”  nuk do ta stepnin znj. Çobo të niste punën e kompanisë “Denisa shpk”, e pozicionuar ndër 20 filizat e para të sipërmarrjes private të sistemit kapitalist dhe që mbahen ende në këmbë.

“Është një moment që e kujtoj shpesh, reflektoj shumë mbi atë kohë. Ishte pa diskutim një nga vendimet më të rëndësishme, jo vetëm për mua, por për të gjithë familjen. Ishte koha kur të gjithë donin të iknin, dhe unë mendoja a është kjo gjëja e duhur për fëmijët e mi, a po bëj veprimin e duhur.

Ishim të rinj të gjithë në biznes, sistemi kapitalist sapo kishte nisur dhe unë pashë një mundësi të artë për të punuar dhe investuar në vendin tim. Nuk zgjodha në asnjë moment ta braktis vendin, por zgjodha të bashkëpunoj me një shtet të huaj, siç ishte Bullgaria, për të sjellë produkte të ndryshme në Shqipëri. Arsyeja nuk ishte rastësore, por strategjike sepse afërsia me këtë vend, zhvillimi ekonomik dhe industrial që ata kishin, i bënin një bashkëpunëtor potencial në rajonin tonë të varfër”, tregon znj. Çobo, një grua e sinqertë në përjetimet e saj, pas të cilave fshihet siguria, angazhimi profesional dhe korrektesa, të kthyera sot në sinonim të kompanisë.

Në vitet ’90, aktiviteti ekonomik i kompanisë “Denisa shpk”, e drejtuar nga Mimoza Çobo u zhvillua në importimin e produkteve ushqimore, materialeve të ndërtimit dhe atyre elektroshtëpiake, pasi siç tregon znj. Çobo, tregu ishte “i uritur” për këto mallra.

Në vitet 2000, sektori i ndërtimit njohu hov të vrullshëm në vend, çka solli që kompania “Denisa” , nisur nga kërkesat e tregut të orientohej te importi i lëndëve drusore për prodhim të mobiljeve. “Unë jam munduar gjithmonë të ofroj në treg atë për të cilën vendi ka nevojë. Ndërtimi i vrullshëm pas viteve 2000 domosdoshmërisht kërkonte mobilimin e këtyre hapësirave të reja banimi apo shërbimi”, tregon zonja Çobo.

Në këtë periudhë, kompania nisi bashkëpunimin me “Kastamonu Entegre”, degë e kompanisë ndërkombëtare “HyatHolding”, e listuar si ndër tre kompanitë më të mëdha në Europë dhe e 10-ta më e fuqishme në botë. Mimoza Çobo shprehet se ky bashkëpunim e shndërroi jo vetëm  në 100 kompanitë më të mëdha në Shqipëri, por edhe lider në importin e lëndëve drusore. Drejtuesja e kompanisë kujton se sfidat për një grua që niste biznes në vitet ‘90 ishin të jashtëzakonshme.

“Mendoni në një vend si Shqipëria, një grua që merret me biznes. Nuk duhet ta shikoni si është situata sot. Askush nga ne nuk kishte një edukim që e lidhte me sipërmarrjen private. Por kjo është sfida kryesore e atyre që guxojnë, të realizosh atë që duket e pamundur në një terren aspak të përshtatshëm. Kur mendoj sot, si fillim jam e lumtur që koha dhe sakrifica ime në këtë angazhim ia ka vlejtur”, shprehet Mimoza Çobo.

Edhe sot pas 30 vjetësh nga themelimi i saj, kompania “Denisa shpk” është 100 për qind familjare. Në ekipin drejtues janë bashkëshorti dhe 3 vajzat e zonjës Çobo. Pavarësisht se dominon “powerwoman”, kjo nuk e pengon Mimoza Çobon të shkëputet nga kompania, të cilës  vazhdon t’i qëndrojë ende në kokë si ditën e parë. Pjesën më të madhe të ditës e kalon në kompani, por Mimoza Çobo shprehet se emocionet më të mëdha i përjeton kur çdo ditë çon mbesën në kopësht dhe në pasditet që kalon me nipin e vogël, fëmijët e vajzës së madhe, Denisës.

Jam shumë e lumtur të kem pranë vetes njerëz që më kanë besuar prej fillimit, si bashkëshorti im. Por nuk mund ta bënim vetëm ne këtë biznes dhe sigurisht pas këtij emri të madh qëndron një skuadër e përkushtuar dhe shumë profesionale. Sot ne na janë bashkuar edhe vajzat tona, të cilat kanë një rol thelbësor në atë çfarë ofron kompania dhe projektojnë të ardhmen e saj nesër. Është një sipërmarrje 100% familjare. Qëllimi im kryesor ka qenë t’u jepja vajzave të mia një edukim cilësor. Nuk e kam menduar që ato të punonin patjetër në kompaninë time. Por, ato zgjodhën që dijen dhe eksperiencën e fituar jashtë vendit ta investojnë në biznesin e familjes.

Denisa ka studiuar për financë në Londër dhe më pas punoi në kompani të njohura ndërkombëtare në Zvicër. Sot është njeriu që menaxhon të gjitha financat e kompanisë. Paola zgjodhi të studiojë në Firence për arkitekturë dhe pas eksperincës në profilin e saj në studiot arkitekturore dhe inxhinierike më të famshme botërore, zgjodhi sërish familjen dhe sot është përgjegjëse për projektimin e të gjithë investimeve të departamentit të ndërtimit në kompaninë tonë. Nensi sapo është diplomuar në menaxhim biznesi dhe po hedh hapat e parë në profilin e saj”, rrëfen znj. Çobo. Për të ardhmen, Mimoza Çobo ka plane të reja për zhvillimin dhe perfeksionimin e kompanisë./Monitor.