Gjykata shtyn ekzekutimin e vendimeve për lejen ujore për hidrocentralin “Lepenci 3”

Hidrocentrali Lepenci

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar sërish propozimin e GLPS-së dhe OJQ “Gjethi” për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve për leje ujore dhe mjedisore për hidrocentralin “Lepenci 3”.

Organizatat GLPS dhe “Gjethi”, në fund të vitit 2021, kishin paraqitur padi me kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për leje ujore dhe të vendimit për leje mjedisore të lëshuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për hidrocentralin “Lepenci 3” në Kaçanik.

“Lidhur me kërkesën e palës paditëse për shtyrje të ekzekutimit të vendimeve të kontestuara, Gjykata Themelore, Departamenti për Çështje Administrative përsëri ka vërtetuar se paditëset kanë ofruar prova të besueshme, të cilat vërtetojnë faktin se ekzekutimi i vendimeve do t’i sillte dëm paditësve, i cili dëm vështirë do të riparohej dhe se shtyrja e ekzekutimit të vendimeve të kontestuara nuk është në kundërshtim me interesat e publikut. Andaj, Gjykata ka vendosur që të aprovojë shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të kontestuara deri në vendosjen përfundimtare të çështjes”, thuhet nga Themelorja.

Reklama e sponzorizuar

Gjykata e Apelit kishte prishur aktvendimin e parë të Themelores për këtë çështje, pas ankesave të parashtruara nga pala e paditur, dhe lënda u kthye në rivendosje në Themelore.

Themelorja sërish ka marrë vendim për shtyrje të ekzekutimit për leje ujore dhe mjedisore.

“GLPS dhe Gjethi mirëpresin vendimin e gjykatës dhe mbesin të përkushtuar në mbrojtjen e të drejtës së qytetarëve në pjesëmarrje në vendimmarrje, mbrojtjen e natyrës dhe luftimin e shmangies së kërkesave ligjore nga institucionet publike. Siç kanë theksuar organizatat paditëse në padi, procesi që i ka paraprirë lëshimit të Lejes Ujore dhe Lejes Mjedisore për Hidrocentralin Lepenci 3 në Kaçanik, ka pasur shkelje ligjore si: (i) mos-zbatimi i procedurës së koncesionit (ii) mungesa e debatit publik apo mungesa e njoftimit adekuat të publikut për të, (iii) degradimi i natyrës e cila rrethon lumenjtë dhe përtej saj, si dhe (iv) mohimi i të drejtës së banorëve të Kaçanikut për ujë të pijshëm dhe të ujitjes. Mbi këtë bazë, GLPS dhe Gjethi kanë kërkuar nga Gjykata që të shtyjë ekzekutimin e vendimeve të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe në fund t’i anulojë këto vendime”, thuhet nga GLPS.