Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, paralajmëroi se Kosova rrezikon të humbasë miliona euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian, pasi disa reforma kyçe duhet të miratohen deri më 30 qershor 2026. Ai theksoi se, për shkak të mungesës së Kuvendit funksional, projektligjet e nevojshme nuk mund të procedohen dhe miratohen në kohë.
Gjatë mbledhjes së parë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, ku u diskutua zbatimi i Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor, Kurti bëri të ditur se 10 reforma skadojnë në fund të qershorit. Sipas tij, nëse ato nuk miratohen brenda afatit, Kosova do të humbasë një pjesë të fondeve të parapara nga ky plan.
“Kjo është vërtetë sfidë për neve si Qeveri dhe humbje e kohës dhe mjeteve për neve si shtet. Pikërisht për shkak që nuk kemi Kuvend por kemi zgjedhje, një numër i konsiderueshëm i reformave nga Plani i Rritjes nuk do të arrijnë të përmbyllen me sukses përbrenda afatit të paraparë dhe të paralajmëruar. Konkretisht kemi 10 reforma që skadojnë më 30 qershor. Nëntë prej tyre të cilat tashmë janë të rrezikuara duke shkaktuar humbje të milionave eurove”- tha Kurti.
Sipas tij, bëhet fjalë për 12 projektligje. Tri prej tyre janë miratuar: Projektligji për Energji, ai për Energji Elektrike dhe Projektligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi.
“Projektligjet e tjera si gjashtë të pakos së reformës në drejtësi, për ndihmë shtetërore, për kamatë të banesave dhe transaksioneve bankare, për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, janë në finalizim dhe do të mund të miratoheshin në këtë muaj, po të kishim Kuvend funksional”- tha ai.
Kurti tha se janë në një situatë ku opozita zgjedh për mos të shkojë në Kuvend, “e edhe kur vjen shikon cilat ligje me i blloku.”.
Ai ritheksoi se Kosova është ndër vendet e para që ka përmbyllur reformat e Planit të Rritjes.
Kallxo.com më 07.05. 2026, raportoi se nëse deri më 30 qershor 2026 Kosova nuk e zbaton Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes, rrezikon të humbasë fonde me vlerë dhjetëra milionëshe të parapara nga Bashkimi Europian.
Aktualisht, vendi nuk ka Kuvend funksional, ndërsa ekziston mundësia që kjo gjendje të vazhdojë edhe gjatë muajit qershor, apo edhe më tej.
Zgjedhjet janë caktuar për 7 qershor, dhe proceset pasuese – numërimi i votave, certifikimi i rezultateve dhe konstituimi i Kuvendit – pritet të zgjasin përtej këtij afati.
Aktualisht, vendi nuk ka Kuvend funksional, ndërsa ekziston mundësia që kjo gjendje të vazhdojë edhe gjatë muajit qershor, apo edhe më tej.
Zgjedhjet janë caktuar për 7 qershor, dhe proceset pasuese – numërimi i votave, certifikimi i rezultateve dhe konstituimi i Kuvendit – pritet të zgjasin përtej këtij afati.
Komisioni Europian në një përgjigje për KALLXO.com, tha se Kosova ka të drejtë të përfitojë deri në 882.6 milionë euro, me kusht të përmbushjes së hapave të Agjendës së Reformave dhe nëse plotësohen kushtet e përgjithshme dhe parakushtet për pagesë.
Institucioni, shtoi se pas ratifikimit të vonuar të Marrëveshjes për Instrumentin dhe Marrëveshjes së Huas, Kosovës i duhet të përshpejtojë zbatimin e Agjendës së Reformave për të shmangur humbjen e fondeve që lidhen me hapat reformues, afatet e të cilëve po afrohen.
Në përgjigje, rikujtuan se afati i ardhshëm i raportimit do të jetë më 30 qershor 2026 dhe pas vlerësimit të përmbushjes së hapave të Agjendës së Reformave – me kusht që të jenë plotësuar kushtet e përgjithshme dhe parakushtet – mund të bëhet lëshimi i rregullt i fondeve në kuadër të Planit të Rritjes.
“Me përfundimin e periudhës së parë të tolerimit (grace period) më 30 qershor të këtij viti për 13 hapa reformues, Kosova rrezikon të humbasë fonde nëse nuk shënon progres në zbatimin e Agjendës së Reformave”- shkruan në përgjigje.
Kur Komisioni Europian kishte nisur bartjen e mjeteve të parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh për Kosovën pas ratifikimit të marrëveshjevem, Qeveria kishte bërë me dije se në Agjendën e vet të Reformave që është bazë për ndarjen e mjeteve të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike – Kosova është zotuar të zbatojë 111 hapa reformash, duke mbuluar fusha kyçe si sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital, si dhe kapitali njerëzor.
Në prill, por para se të shpërndahet Kuvendi i Kosovës dhe shkuarjes në zgjedhje të reja, Komisionerja europiane për Zgjerim, Marta Kos, ka paralajmëruar me shkrim gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor se rrezikojnë që deri në mesin e këtij viti të humbasin kolektivisht mbi 700 milionë euro nga Plani i Rritjes, për shkak të moszbatimit të reformave.
Kos u ka kërkuar të gjithëve vendeve të përshpejtojnë reformat e parashikuara në Planin e Rritjes, në mënyrë që të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e kësaj pakoje financiare.
Ndryshe, këstin e parë ose disa mjete nga Plani i Rritjes i kanë marrë pesë shtete të rajonit, me përjashtim të Bosnjë e Hercegovinës, e cila është vonuar me miratimin e agjendës reformuese.
Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro: 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë të kredisë.
Më 13.02.2026, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen ndërkombëtare me Bashkimin Europian – Planin e Rritjes.
Kjo është një ndër marrëveshjet me vlerën më të madhe dhe më të rëndësishmet që përfiton Kosova.
Për shkak të ngërçit të gjatë politik dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja, Plani i Rritjes kishte mbetur pa u ratifikuar për më shumë se një vit, duke mbajtur pezull shumën prej 882 milionë eurosh.









