Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) e sheh gazin natyror si njërin prej opsioneve kryesore për tranzicionin e qëndrueshëm të energjisë në Kosovë.
Sipas INDEP-it, gazi mund të përdoret si kapacitet me lirim dukshëm më të vogël të dioksidit të karbonit për të lehtësuar tranzicionin në vend të rolit tradicional të ngarkesës bazë gjatë gjithë orarit.
Ata zhvillimin potencial të sektorit të gazit natyror në Kosovë në përputhje me zhvillimet e infrastrukturës rajonale të gazit, e shohin si një mundësi të madhe për të mbështetur këtë tranzicion.
Kjo pasi, gazi natyror është gjithashtu një plotësues/zëvendësues i mundshëm për energjinë e ripërtëritshme sepse mund të kompensojë ndërprerjen e energjisë së prodhuar nga burimet e ripërtëritshme – kur mungojnë era ose rrezet e diellit.
Qeveria duhet ta përfshijë gazin natyror në Strategjinë e Energjisë 2022-2031
Punimi më i fundit rreth tranzicionit energjetik të Kosovës nga INDEP, i rekomandon Qeverisë së Kosovës që të përfshijë gazin si objektiv të Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2022-2031, të prioritizojë dhe të vendosë investimet në gazin natyror në Kosovë, si dhe të implementojë interkoneksionet e planifikuara të gazit natyror me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë.
Gjithashtu, për planin e gazifikimit të Kosovës, ata thonë se Qeveria duhet të fokusohet në krijimin e infrastrukturës së gazit dhe të themelojë një kompani të re publike të quajtur potencialisht “Gazi i Kosovës”, si dhe të konsiderojë si opsion ndërtimin e një impianti të ri me gaz (250 MW) në një periudhë afatshkurte dhe afatmesme.
Sipas këtij instituti, gazi duket të jetë burimi më i qëndrueshëm i cili ofron fleksibilitetin e nevojshëm për integrimin e burimeve të ripërtëritshme, përcjell Buletini Ekonomik.
Për më tepër, INDEP vlerëson se kyçja në linjat rajonale të furnizimit me gaz natyror është një mundësi e rëndësishme dhe e dobishme për Kosovën si në aspektin e rritjes së sigurisë energjetike të furnizimit dhe diversifikimit të burimeve të energjisë, ashtu edhe në aspektin e rritjes së përgjithshme ekonomike.
Aktualisht, janë duke u zhvilluar një numër i projekteve të infrastrukturës kritike të gazit (tubacionet e furnizimit dhe ndërlidhësit në shtetet fqinje) që mund të mbështesin diversitetin dhe sigurinë e furnizimit me energji në Kosovë.
Përveç kësaj, opsionet e furnizimit me gaz në Ballkanin Perëndimor pritet të rriten me ndërtimin e Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), alternativat e furnizimit të Kaspikut dhe importin e LNG-së nga Greqia ose Kroacia. Në bazë të kësaj, INDEP vlerëon se fluksi i parashikuar i furnizimeve konkurruese të gazit në rajon do të rezultojë me stabilitet çmimesh dhe tepricë të furnizimit që do të mbështesë zhvillimin e industrisë së gazit natyror të Kosovës.
Këto projekte janë gjithashtu në përputhje me objektivat e përgjithshme të KE-së dhe promovojnë bashkëpunimin dhe integrimin e tregut, të dyja këto parakushte për integrim në BE.
Nuk ka sisteme tjera energjetike që janë plotësisht miqësore me ambientin
Nga INDEP thonë se aktualisht nuk ka sisteme të cilat janë plotësisht miqësore ndaj ambientit, pasi çdo sistem ka kostot e tij të imponuara ndaj ambientit, qoftë në ndotje ose në një lloj kontaminimi të burimeve natyrore.
Për shembull, panelet diellore ndërtohen duke përdorur materiale shumë toksike, kurse turbinat e erës në kohët e fundit kanë shkaktuar vdekjen e mijëra zogjve sepse lartësia e tyre dhe valët e zërit tërheqin shpendët fluturues.
Hidrocentralet janë mjaft të pastra, por kanë shkatërruar ose ndryshuar habitatet natyrore të peshqëve dhe gjallesave të tjera ujore, ndërsa energjia bërthamore prodhon mbetje që janë shumë të rrezikshme.
E duke u nisur nga kjo, INDEP potencon se ekziston mundësia që gazi natyror të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në mbështetje të Kosovës për të trajtuar të ashtuquajturën Trilemën Energjetike: dekarbonizimin, sigurinë e furnizimit dhe energjinë e përballueshme.
Në punimin e publikuar para disa ditëve nga INDEP-i, thuhet se tanimë është vërtetuar se zëvendësimi i drejtpërdrejtë i thëngjillit me gaz natyror për prodhimin e energjisë elektrike, redukton jashtëzakonisht emetimet e gazrave serë.
Sipas kësaj analize të INDEP, gazi natyror ka një të ardhme të ndritur afatmesme dhe afatgjate, për sa kohë që industria e gazit pranon tranzicionin e energjisë dhe rreshtohet me burimet e ripërtëritshme për të prodhuar produkte pa karbon, veçanërisht hidrogjen, duke përfshirë gjithashtu gjetjen, përdorimin dhe ruajtjen e karbonit.
Disa prej përparësive të rëndësishme të gazit natyror janë këto: është jashtëzakonisht i adaptueshëm dhe mund të përdoret për shumë qëllime si për ngrohje, ftohje, gatim, depozitim të mbeturinave, transport dhe si lëndë ushqyese për kimikate, plehra dhe produkte farmaceutike.
Kosova ka qenë e përfshirë në një numër inicativash në nivel ndërkombëtar, siç është Deklarata e Sofjes për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor e nënshkruar në nëntor të vitit 2020, ku Kosova u zotua që deri në vitin 2050, do të bëhet një vend neutral ndaj klimës për sa i përket energjisë, ekonomisë qarkore, ndotjes, bujqësisë dhe biodiversitetit.
Prandaj, INDEP thotë se vendi ynë duhet të fokusohet që të ketë sinergji ndërmjet të gjitha strategjive zhvillimore relevante në Kosovë dhe të zhvillojë një strategji afatgjatë energjetike me një plan të qartë, si dhe të përcaktojë datën kur do të ndalojë përdorimin e thëngjillit.
Kapacitet e vjetruara të thëngjillit janë joefikase
Sipas INDEP-it, kapacitetet e vjetruara të thëngjillit janë joefikase, të shtrenjta për t’i përdorur dhe shkaktojnë dëme të mëdha në shëndetin e qytetarëve dhe mjedisit.
Termocentraleve kosovare iu ka mbaruar jetëgjatësia dhe paraqesin kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin energjetik në Kosovë, siç edhe është dëshmuar në ngjarjet e fundit, vlerësojnë nga INDEP.
Ndërkohë, mekanizmat e çmimit të karbonit (CPM) që vendosin tarifa për emetimet në sektorët e energjisë dhe ato industriale, mund të jenë një mjet i fuqishëm për ndalimin dhe daljen graduale të shteteve nga përdorimi i thëngjillit.
Kështu, një nga mundësitë e diskutuara në këtë punim nga INDEP, është investimi në një impiant të ri CCGT me gaz me mundësi akumulimi të energjisë me bateri, që mund të zëvendësojë impiantet e vjetra të linjitit dhe të reduktojë emetimet e karbonit.
Sipas IEA, që nga viti 2010, kalimi nga thëngjilli në gaz ka kursyer rreth 500 milionë tonë CO2 në botë – një efekt i barabartë ky me vënien e 200 milionë automjeteve elektrike shtesë (EV) në rrugë, me energji elektrike me zero karbon në rrugë gjatë periudhës së njëjtë./Buletini Ekonomik/