Inflacioni në Austri është rritur në nivelin më të lartë në 40 vjet, prej 6.8 për qind, në muajin mars. Kjo është shifra më e lartë që nga nëntori 1981.
“Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, jeta në Austri është shtrenjtuar aq shumë sa që nuk ishte prej më shume se 40 vjetëve më parë: Norma e inflacionit ishte 6.8 për qind në mars të vitit 2022. Herën e fundit po kaq i lartë inflacioni ishte në nëntor të vitit 1981, atëbotë 7.0 për qind. Faktori vendimtar pas rritjes së çmimeve në mars ishte rritja e çmimit të karburantit, i cili më parë kishte qenë një nxitës i fortë i çmimeve. Edhe çmimet për energjinë shtëpiake kanë vazhduar të rriten, veçanërisht çmimet e naftës për ngrohje, të cilat janë dyfishuar me 118,5 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i Statistikave të Austrisë, Tobias Thomas, përcjell albinfo.at.
Çmimet e karburantit
Energjia, uji, banimi
Mesatarisht, uji, banesa dhe energjia kushtojnë 9.7 për qind më shtrenjtë. Edhe çmimet e naftës për ngrohje prej +118.5 për qind janë rritur masivisht. Çmimet e gazit (mars: +71,9 për qind) dhe kostoja e energjisë elektrike (mars: +16,5 për qind) u rritën ndjeshëm.
Çmimet për ngrohje qendrore janë rritur me 12,2 për qind dhe për lëndët djegëse të ngurta me 14,4 për qind. Hotelet dhe restorantet gjithashtu rritën çmimet e tyre me rreth 6.6 për qind.
Shtrenjtohen edhe produktet ushqimore
Pijet joalkoolike dhe ushqimet janë shtrenjtuar për 5.8 për qind, pak më shumë se në shkurt (+4.3 për qind). Kjo ishte kryesisht për shkak të ushqimeve më të shtrenjta (mars: +5.4 për qind). Çmimet e produkteve të drithit dhe bukës u rritën me 7,2 për qind, perimet me 9,0 për qind, mishi me 4,1 për qind dhe pijet joalkoolike me +9,8 për qind. Çmimet e kafesë në veçanti u rritën ndjeshëm (mars: +12.3 për qind)
Ndërkohë, veshjet dhe këpucët, kanë mbetur të qëndrueshme (+0,1 për qind).
Kjo ka bërë që partitë opozitare në Austri të bëjnë thirrje për të bërë më shumë për të ndihmuar njerëzit që kanë probleme me kostot e karburantit dhe faturat shtëpiake.
Partitë SPÖ, FPÖ dhe NEOS kanë bërë thirrje për lehtësim të mëtejshëm për popullatën. Transmetuesi ORF raporton se në mars çmimet e karburantit u rritën me më shumë se gjysmën (50.7 për qind) krahasuar me një vit më parë. Nafta u rrit me 55 për qind dhe benzina premium me 45.3 për qind. Strehimi, uji dhe energjia kushtojnë mesatarisht 9.7 për qind më shumë.
Sipas një sondazhi të fundit nga instituti i kërkimit të opinionit Ipsos, nëntë në dhjetë njerëz në Austri po i ndjejnë tashmë efektet e inflacionit në jetën e tyre të përditshme, veçanërisht kur bëjnë blerje dhe mbushin makinat e tyre. Më shumë se gjysma e 500 njerëzve të anketuar planifikojnë të shkurtojnë blerjet jothelbësore në të ardhmen e afërt.
Inflacioni ka të ngjarë të mbetet i lartë në muajt e ardhshëm. Sipas një parashikimi të Institutit të Kërkimeve Ekonomike (WIFO), çmimet e konsumit mund të rriten deri në shtatë për qind këtë vit për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë.