Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dje ka lansuar skemën e “Granteve të Përputhshme”, duke nënshkruar marrëveshje individuale me 139 biznese vendore.
Grantet nga kjo ministri janë në kuadër të “Projektit të Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport-CERP’’, me huamarrje nga Banka Botërore, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas ministres së Industrisë, Rozeta Hajdari, me anë të këtyre marrëveshjeve po përkrahen bizneset vendore me potencial eksporti, do të ketë rritje të punësimit, si dhe të ardhura kombëtare.
Qeveria synon pjesëmarrjen në zinxhirin e vlerës në rajon
Hajdari thotë se qeveria synon që Kosova të jetë pjesë e zinxhirit të vlerës, në rajon dhe më gjerë.
Sipas saj, përderisa edhe kemi përparësi konkurruese, duhet ta shfrytëzojmë për investime në Kosovë.
“MINT përmes projektit Konkurrueshmëria dhe Gatishmëria për Eksport – CERP, në vlerë prej 9,8 milion euro, me huamarrje nga Banka Botërore, synon t’i mbështesë ndërmarrjet vendore në ngritjen e konkurrueshmërisë dhe aftësisë eksportuese”, ka thënë ministrja.
Ky projekt pritet që të përmirësojë kualitetin e produkteve vendore dhe efikasitetin në prodhim, përpunim dhe shërbim.
Po ashtu, do të mundësojë edhe digjitalizimin e komunikimit dhe shërbimeve.
Lexo edhe:
MINT miraton tri projektligje, në mesin e tyre edhe ai për Mbrojtjen e Konkurrencës
Nga këto grante përfitojnë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe ato të mesme, ku përmes granteve, ato do të përmirësojnë konkurrueshmërinë për eksport.
Ato do të përmbushin kërkesat për zbatimin e standardeve dhe çertifikimin e produkteve të kërkuara për tregjet e eksportit.
Bizneset duhet t’i kenë produktet kualitative dhe të çertifikuara
Për të qenë pjesë e zinxhirit të vlerës në nivel rajonal dhe më gjerë përmes eksportit, Hajdari tha se bizneset duhet t’i kenë produktet kualitative dhe të çertifikuara.
Me anë të këtyre marrëveshjeve për grante, qeveria do të financojë edhe blerjen e makinerive të prodhimit dhe përpunimit si dhe pajisjeve që përdoren për trupat e vlerësimit të konformitetit.
Gjithashtu, do të mundësojë qasjen në Shërbimet e Zhvillimit të Biznesit/Trajnime, si dhe financimin e pajisjeve të vogla për komunikim digjital.
Nga 139 biznese vendore përfituese të skemës, 31 gra janë ndërmarrëse që janë shpallur fituese të grantit.
Madje, nga 5 fituesit e parë, me më së shumti pikë janë 2 gra ndërmarrëse të suksesshme: zonja Emine Duraku nga ndërmarrja Agrokrusha Sh.p.k dhe zonja Arlinda Canaj nga ndërmarrja NMA Sh.p.k.
“Me sa më shumë produkte cilësore në tregjet ndërkombëtare, përveç kontributit në ekonomi, ndërmarrësit tanë të vyeshëm, rrisin edhe më shumë imazhin e Republikës sonë”, përfundon komunikata nga MINT. /Buletini Ekonomik/