Greqia po shqyrton masat për të frenuar rritjen e çmimeve të energjisë elektrike dhe për të zbutur ndikimin tek konsumatorët nëse Bashkimi Europian nuk merr masa në kohë për këtë çështje, deklaroi zëdhënësi i qeverisë greke, Giannis Oikonomou.
Pushtimi rus i Ukrainës ka sjellë rritjen e çmimeve të gazit, si dhe ka nxitur frikën për mungesën e furnizimeve bazë për prodhimin e energjisë.
Ashtu si shumë vende të tjera europiane, Greqia mbështetet shumë tek Rusia, me importet që furnizojnë 40% të gazit dhe 26% të naftës së saj.
“Nëse nuk ka përgjigje të shpejtë dhe të menjëhershme europiane, do të ketë një plan kombëtar për një tjetër ndërhyrje vendimtare në çmimin e energjisë elektrike,” tha Oikonomou.
Ai tha se qeveria do të bëjë të ditur vendimin “në të ardhmen e afërt”.
Greqia ka shpenzuar rreth 4 miliardë euro për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për familjet, bizneset dhe fermerët që nga viti i kaluar./ Reuters