Me pjesëmarrjen e vetëm 33 deputetëve në votim, nuk ka kaluar mocioni procedural për të futur në rend të ditës formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK e kanë lëshuar seancën duke deklaruar se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim deri në formimin e këtij komisioni.
“Meqenëse opozitës ju mohua një e drejtë kushtetuese, që është mbikëqyrja parlamentare e punës së institucioneve, grupi parlamentar i LDK-së deri në formimin e komisionit hetimor parlamentar nuk do të marrë pjesë në asnjë votim. E lëshojmë këtë seancë”, ka deklaruar kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka deklaruar po ashtu se grupi i tij nuk do të marrë pjesë në votimet e mëtutjeshme.
“Sot mendoj që u bë një veprim jashtëzakonisht i dëmshëm nga mazhoranca me dëmtu frymën tonë parlamentare. Sot na e mohuat një të drejtë bazike me bo një hetim parlamentar në lidhje me krizën energjetike dhe shpenzimin e taksave të Kosovës. Si grup parlamentar i PDK-së nuk do të marrim pjesë në votime të mëtutjeshme, as në seancë më tutje. Përderisa abuzoni me një të drejtë tonë parlamentare, nuk ka kuptim qëndrimi jonë”, ka deklaruar Tahiri.
Gjithashtu edhe kryetari i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se do e lëshojnë sallën duke shtuar se është gabim i pa falshëm mos votimi i komisionit.
“Është gabim i pa falshëm mos votimi i komisionit hetimor. Jemi të detyruar me lëshu sallën, mos me marrë pjesë në votim”, ka thënë Besnik Tahiri .
Para votimit të mocionit procedural, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se do t’i japë të drejtë pjesërisht opozitës për futjen në rend të ditës për formimin e komisionit hetimor parlamentar për çështjen e menaxhimit të krizës energjetike duke shtuar se duhet hapur faza e propozimit të emrave për këtë komision.
“Unë dua t’i jap të drejtë pjesërisht opozitës, sepse atëherë kam qenë kryetar i grupit parlamentar parlamentar kur na është mohuar kjo çështje dhe kam dalë dhe kam thënë që ka qenë gabim dhe e pa drejtë. Për të qenë në konsistencë me këtë qëndrim timin po i jap të drejtë opozitës dhe mendoj që duhet ta hapim fazën e propozimit të emrave. Pastaj mazhoranca me votë e determinon a po dëshiron ta votojë ose jo”, ka deklaruar Konjufca.
Marrëveshjet ndërkombëtare nuk u shqyrtuan pasi sipas Konjufcës është e pamundshme që ato të votohen.
Gjithashtu është kaluar edhe pika e 7-të e cila ishte debat parlamentar në lidhje me situatën e sigurisë në vend, pasi prpozuesi i këtij debati AAK, e ka lëshuar sallën.