AKP diskuton për strategjinë përmbyllëse dhe bartjen e aseteve në Fondin Sovran

Tryezë diskutimi mes AKP-së, ministres së Ekonomisë dhe përfaqësuesve të Komisioneve Parlamentare

Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Komisioni Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti kanë mbajtur dje një tryezë diskutimi për Strategjinë Përmbyllëse të AKP-së, e cila parashihet të ndodhë gjatë viteve 2022-2024.

Gjatë kësaj tryeze është diskutuar lidhur me Fondin Sovran dhe është prezantuar lista e aseteve të mundshme për transferim në këtë Fond.

Nga AKP-ja, përmes një komunikate për media, thonë se gjatë këtij takimi është shtruar edhe nevoja e koordinimit më të ngushtë ndërinstitucional dhe caktimit të grupeve përgjegjës me qëllim të bartjes së listës së aseteve në fondin sovran, nga e cila rrjedhimisht do të varet strategjia përmbyllëse e AKP së.

Reklama e sponzorizuar

Pjesëmarrës në këtë diskutim ishin Bordi i Drejtorëve të AKP-së, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, e cila ka shpalosur qëndrimet e Qeverisë lidhur me Strategjinë Përmbyllëse të AKP-së dhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala.

Ndërsa, Fondin Sovran e përfaqësoi Arta Hoxha. /Buletini Ekonomik/