Park fotovoltaik mbi digën e hidrocentralit në Shqipëri, KESH licencohet për të nisur prodhimin e energjisë

Foto-ilustrim nga projekti

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) ka marrë licencën për veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga centrali fotovoltaik i Digës së Qyrsaqit.

Centrali i prodhimit të energjisë nga dielli ka një kapacitet prej 5143 kWp dhe është i vendosur mbi digën e hidrocentralit të Vaut të Dejës në Kaskadën e Drinit në veri të Shqipërisë, ka njoftuar sot Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në Facebook.

Objektiv kryesor i zhvillimit të këtij centrali është diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë elektrike nga KESH.

Reklama e sponzorizuar

Aktualisht KESH prodhon energji elektrike nga burimet hidrike në masën 100 për qind dhe një iniciativë e tillë është pozitive në funksion të shtrirjes së mëtejshme të kësaj teknologjie edhe në sipërfaqe të pashfrytëzueshme të ngjashme.

Risku i lartë hidrologjik, për shkak të natyrës së burimeve të prodhimit të energjisë elektrike si dhe nevojës për import të përvitshëm, jo vetëm që cenon sigurinë e sistemit por gjithashtu edhe atë të furnizimit për shkak të kostove që i shkaktohen sektorit dhe për rrjedhojë konsumatorit fundor.

Energjia e parashikuar për prodhim vjetor nga impianti fotovoltaik do të mjaftonte për furnizimin me energji të 1,900 familjeve.

“Diversifikimi i portofolit të aseteve gjeneruese të KESH sh.a është prioriteti ynë”, thuhet në njoftim.

Foto