Pse ulja e taksave të karburantit konsiderohet si një ide e keqe?

Fotografi ilustruese

Qeveritë që po përpiqen të mbrojnë njerëzit nga rritja e kostove të energjisë dhe karburantit, po pajtohen për një ide të thjeshtë: t’i ndihmojnë njerëzit që të blejnë karburant.

Këtë javë, kancelari i Britanisë, Rishi Sunak, uli tarifën e karburantit me 5 peni (0,07 dollarë) për litër, një ulje prej 9% për një vit.

Duke filluar nga 1 prilli, Franca do të ulë çmimin e karburantit me 15 cent (0,16 dollarë) për litër, për katër muaj.

Reklama e sponzorizuar

Vende të tjera europiane, përfshirë Italinë dhe Suedinë, kanë njoftuar gjithashtu shkurtime. Vitin e kaluar, Japonia prezantoi një subvencion të karburantit prej 5 ¥ (0,04 dollarë) për litër, i cili së fundmi u rrit në 25 ¥.

Në Amerikë, dy shtete kanë pezulluar taksat e karburantit dhe është paraqitur një projektligj në Kongres për të bërë të njëjtën gjë me taksën federale.

Këto ulje taksash janë një gabim. Ato vetëm sa do të shpërdorojnë para dhe do ta bëjnë më të vështirë eliminimin e karburanteve fosile në vendet e zhvilluara.

Ka mënyra më të mira për t’i ndihmuar njerëzit që të përballen me rritjen e çmimeve të energjisë.

Taksat e karburantit, ashtu si të gjitha taksat, prekin si blerësit, edhe shitësit. Kur taksat bien, blerësit paguajnë një çmim total më të ulët.

Si rezultat, ata kërkojnë më shumë karburant, gjë që i nxit shitësit të rrisin çmimet para taksave.

Ndarja e saktë e përfitimeve midis konsumatorëve dhe prodhuesve nuk është përcaktuar me saktësi, por një studim i uljes së taksave të naftës në Illinois dhe Indiana në vitin 2000, zbuloi se konsumatorët gëzonin vetëm 70% të përfitimeve.

Kjo do të thotë se shkurtimet e sotme të taksave të karburantit, janë të kota. Qeveritë mund të shpenzojnë të njëjtën shumë parash për politika të tjera për të ndihmuar familjet, pa pësuar një humbje prej 30%.

Kjo gjithashtu i bën politikat e pamoralshme, sepse prodhuesit që përfitojnë nga këto masa, përfshijnë edhe Rusinë, naftën e së cilës Europa vazhdon ta blejë, pavarësisht pushtimit të Ukrainës.

Megjithëse politikat tatimore të një vendi të vogël nuk ka gjasa të ndikojnë shumë në çmimet globale të naftës, kur një numër i madh vendesh ul menjëherë tarifat e karburantit, kjo do të rriste kërkesën në shkallë globale, duke ndihmuar në mbushjen e arkës së Rusisë.

Qeveritë duhet të përpiqen të zvogëlojnë kërkesën për karburant, jo ta rrisin atë. Çmimi i karburantit nuk ka një efekt të shpejtë në numrin e njerëzve që ngasin automjete, sepse shumë udhëtime janë të pashmangshme.

Por kjo mund të ndryshojë, pasi puna nga shtëpia u ka dhënë shumë njerëzve një mundësi të dytë, në vend të udhëtimit në zyrë.

Në terma afatshkurtër, ruajtja e taksave të karburantit do të ndihmonte për ta larguar Europën nga nafta ruse, duke e bërë të uritur ekonominë ruse për valutë të huaj.

Edhe me sanksionet e tanishme, industria e energjisë po paralajmëron se Europës, së shpejti mund t’i duhet të racionojë naftën, e cila po bëhet gjithnjë e më e pakët.

Në një periudhë afatgjatë, tarifat e karburantit i nxisin njerëzit të përdorin makina elektrike ose transportin publik, duke reduktuar emetimet e karbonit.

Gjithashtu, kjo do të lehtësonte edhe efekte anësore, si rrugët e mbipopulluara dhe ajri i ndotur.

Këto synime janë më pak urgjente se kriza energjetike dhe shkurtimet e sotme janë paraqitur si të përkohshme.

Por në përgjithësi, rritja e taksave të karburantit është diçka jashtëzakonisht e vështirë, sepse këto taksa janë shumë të papëlqyera, çka do të thotë se shkurtimet mund të bëhen të përhershme.

Në vitin 2011, Britania u përpoq të zbatonte një rritje të planifikuar të tarifës së karburantit, për shtatë muaj.

Tani, zoti Sunak e ka kthyer vendimin. Taksa federale e Amerikës për karburantin ka qenë 18.4 cent për gallon, që nga viti 1993.

Në të dyja rastet, taksa ka qëndruar konstante, edhe pse inflacioni ka gërryer vlerën e saj reale. Në janar, karburanti përbënte pak më shumë se 1 dollarë, për çdo 50 dollarë që shpenzonte një konsumator i zakonshëm amerikan.

Pjesa e shpenzimeve është ende më e ulët se mesatarja që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1959.

Shoferët vërejnë shtrenjtimin e karburantit dhe si rrjedhojë, besimi i konsumatorit amerikan është më i ulëti në më shumë se një dekadë.

Por çmimi i lartë i sotëm i naftës nuk do t’i dëmtojë shoferët aq shumë sa embargot e naftës të viteve 1970.

Ka mënyra më të mira për t’i ndihmuar familjet në vështirësi sesa ndryshimi i mekanizmit të çmimeve.

Qeveritë duhet të mbështesin përkohësisht të ardhurat e të varfërve në mënyra që nuk nxisin konsumin e karburantit.

Zoti Sunak ka ulur taksat për personat me të ardhura të ulëta dhe të mesme, që është një fillim i mirë, por ai gjithashtu duhet ta kishte bërë më bujare kredinë universale në Britani.

Kalori dhe xhaul

Për më tepër, mbështetja e të ardhurave, ndryshe nga ulja e taksave për shoferët, ndihmon në kompensimin e spektrit të plotë të forcave që po dëmtojnë standardet e jetesës.

Goditja më e madhe për kuletat e Europës nuk vjen nga nafta, por nga kostoja e ngrohjes dhe energjisë elektrike.

Çmimet e ushqimeve janë rritur gjithashtu. Jo të gjithë i japin makinës, por ama, të gjithë kanë nevojë për ngrohje dhe ushqim. /The Economist/