Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, ka njoftuar se kanë pezulluar lejet e importit për katër kompani të naftës që operojnë brenda territorit të Kosovës.
Për pezullimin e lejeve, ajo tha se MINT-i është bazuar në fakte, të cilat i ka konstatuar Dogana.
‘Kosova Rafinery’, ‘Kulla Exim’, ‘In Oil’ dhe ‘Petrol Company’, janë kompanitë të cilave u janë pezulluar lejet, tregoi ministrja Hajdari në një konferencë për media.
Ndaj këtyre operatorëve, Hajdari tha se janë duke u zhvilluar procedura për cilësi të derivateve të naftës.
Hajdari gjatë konferencës për media së bashku me drejtorin e Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka thënë se Dogana e Kosovës ka gjetur parregullsi tek katër subjekte që merren me përpunimin e produkteve të naftës, të cilat sipas tyre, rrezikojnë cilësinë e produkteve dhe mund t’i sjellin dëm buxhetit të shtetit.
Sipas ministres Hajdari, kompanitë, të cilave iu është pezulluar autorizimi për import të naftës, u kanë shitur produkte të naftës kompanive të palicencuara dhe e kanë shmangur akcizën duke e deklaruar gabimisht produktin.
“Dogana nuk ua ka vazhduar autorizimet katër subjekteve. Disa nga subjektet u kanë shitur produkte të naftës kompanive të palicencuara, nuk kanë përdorur, mjete matëse të verifikuara dhe kanë shmangur akcizën duke deklaruar gabimisht përbërjen e produktit”, është shprehur Hajdari.
Ajo ka shtuar se MINT-i ua ka pezulluar këtyre subjekteve edhe lejet e importit të lëndës së parë dhe shitjen me shumicë të produktit final, që është vaji i rëndë ose mazuti. Kurse njërës kompani, ia ka pezulluar edhe importin e vajrave të rënda.
Hajdari ka treguar se edhe në kazermat e FSK-së është gjetur naftë me përmbajtje të lartë të sulfurit kohën e fundit.
“Në një rast kemi gjetur disel me përmbajtje të sulfurit prej 77.4 miligram për kilogram që tejkalon shumëfish shkallën e lejuar prej 10 miligram për kilogram. Për këto raste do të njoftojmë edhe prokurorinë”, ka shtuar ministrja.
Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka thënë se këto kompani kanë përfituar nga lirimi në taksë të akcizës, ku si pasojë e kësaj ka pasur edhe shmangie të pakontrollueshme të të hyrave.