Reshjet e javëve të fundit kanë dyfishuar rezervën energjetike të Shqipërisë. Të dhënat zyrtare tregojnë se niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës është rritur me 18 metra.
Më 25 mars, Fierza ishte në kuotat e 259 metrave, 25 metra më pak se mesatarja historike, ndërsa sot ka arritur nivelin e 277 metrave.
Edhe me këtë nivel, Fierza sërish ndodhet 10 metra më pak se mesatarja shumëvjeçare.
Prurjet mesatare në këtë liqen arrijnë në 250 m3/s, ndërsa në Koman dhe Vaun e Dejës janë më të ulëta.
Prodhimi ditor i Kaskadës së Drinit është 6450 MWh, sa 1/3 e kërkesës për konsum, duke detyruar Korporatën Elektroenergjetike që pjesën tjetër të energjisë t’a importojë.
KESH ka blerë së fundi 1.1 milion euro energji elektrike , kundrejt një çmimi mesatar 190 euro/MWh.
Rezerva energjetike në hidrocentralin e Fierzës është dyfishuar duke arritur 673 GËh. Me këtë sasi vendi mund të përballojë 42 ditë furnizim të pandërprerë me energji.
Fierza është hidrocentrali kryesor që përballon ruajtjen e rezervës hidrike, ndërsa prodhimi më i madh i energjisë elektrike bëhet nga Komani. /Euronews Albania/