Rikthehet në operim projekti lundrues solar në Shqipëri

Projekti lundrues i Statkraft në digën e Banjës në Shqipëri

Kompania norvegjeze Ocean Sun ka konfirmuar se ka rikthyer në operim pjesën e parë të projektit lundrues solar të ndërmarrjes Statkraft në digën e Banjës në Shqipëri.

Ky projekt lundrues solar ka rifilluar operimin më 1 prill, pas një incidenti në verën e vitit të kaluar, kur pajisjet ishin dëmtuar nga një tornado dhe kësisoji, ishte ndërprerë operimi.

Aksidenti ndodhi vetëm një javë pasi Statkraft kishte filluar operimin komercial të njësisë së parë të projektit.

Reklama e sponzorizuar

Ndryshe, njësia e parë e projektit të Statkraft mbulon një sipërfaqe prej 4 mij metrash katror dhe ka kapacitet të përgjithshëm të instaluar të prodhimit të rrymës prej 500 kilovatësh në kohë të pikut, dhe përbëhet nga pothuajse 1,600 panele solare.

Statkraft ka për qëllim të realizojë edhe tri projekte tjera lundruese në digën e Banjës, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 1.5 megavatësh në kohë të pikut.

Në të njëjtën digë, kjo kompani tashmë operon me hidrocentralin me kapacitet prej 72 megavatësh.

Statkraft, kompani udhëheqëse në Evropë për hidro energji dhe ndër prodhuesit më të mëdhenj të energjisë nga burime të ripërtëritshme në kontinent përfaqësohet në Shqipëri përmes dy kompanive, Devoll Hydropower dhe Statkraft Renewables Albania.