Situata në 3 hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin po vazhdon të përmirësohet si pasojë e reshjeve të shiut dhe dëborës që kanë përfshirë veriun e Shqipërisë.
Hidrocentrali i Fierzës, i cili pak ditë më parë ishte në gjendje kritike, vetëm në 24 orët e fundit ka pësuar një tjetër rritje prej 2 metrash.
Sot, ujëmbledhësi më i madh në Shqipëri rezulton të jetë në kuotën e 265.14 metrave, nga 263 që ishte një ditë më parë, apo 4 metër më shumë se sa në raportimin zyrtar të KESH të datës 1 Prill. Prurjet në Fierzë shkojnë deri në 700 m3 uje në sekonde.
Edhe në 2 hidrocentralet e tjera të Drinit, ka një rritje të lehtë të nivelit. Komani këtë të diele është në kuotën e 173.8 metrave ndërsa Vau Dejes në 75 metër.
Prurjet janë më të paketa se një ditë me parë ndërsa edhe prodhimi është ulur në 9000 mwh.
Këto dy vepra energjetike, janë drejt gjendjes normale për periudhën në të cilën ndodhemi, pasi Komani është më pak se 3 metra nga pika maksimale, ndërsa Vau – Dejës vetëm 1 metër. /Top Channel/