Rubla pritet të forcohet, zgjerohen kërkesat e Rusisë për pagesa në monedhën vendase edhe për mallra të tjera

Pagesa në Rubla do të përdoret më shumë ne tregtinë e jashtme të Rusisë, deklaron zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Kjo deklaratë vjen pas dekretit të presidentit Vladimir Putin mbi rregullat e reja të tregtisë së gazit natyror me vendet e listuara si “jomiqësore”.

Putin deklaroi se blerësit e huaj të gazit natyror rus duhet të paguajnë në rubla nga muaji Prill.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij kjo bëhet duke hapur llogaritë bankare ruse ose do të rrezikojnë që kontratat e tyre ekzistuese të ndërpriten.

Rusia pritet të zgjerojë kërkesat e saj për pagesa në rubla nga gazi dhe mallra të tjera të eksportuara.

Kjo pasi besueshmëria e dollarit dhe euros është dobësuar nga sanksionet perëndimore kundër Rusisë, shprehet Peskov në një intervistë për mediat ruse.

Vendet europiane paguanin gazin në euro ose dollarë.

Ndërsa tani duhet të paguajnë Gazprom, gjigantin e industrisë së gazit rus, në rubla, por ende po vijojnë të paguajnë në monedhën e specifikuar në kontratë.

Peskov shton se modeli, megjithëse një sistem fillestar pagese, do të zgjerohet për të përfshirë mallra të tjera dhe do të bëhet një pjesë gjithnjë e më shumë e marrëdhënieve të jashtme ekonomike dhe tregtare të Rusisë.

Ai nuk specifikoi se cilat eksporte do të paguhen në rubla.

Kremlini zyrtar ka deklaruar më herët  se duke përfshirë gazin, mallrat në rubla duhet të zgjerohen për të përfshirë naftën bruto, drithrat, metalet, plehrat, qymyrin dhe lëndën drusore./SCAN TV/