Vlera e totalit të depozitave të sigurueshme në bankat që operojnë në Shqipëri ka prekur rekord historik gjatë vitit 2021 duke prekur shifrën e 1.11 trilionë lekëve, ose rreth 9.2 mld euro, nga rreth 1.03 trilionë lekë që ishte në fund të vitit 2020.
“Scan Intelligence Unit” ka analizuar të dhënat historike për këtë tregues duke u mbështetur në raportet vjetore të publikuara nga “Agjencia e Sigurimit të Depozitave”.
Të dhënat janë të disponueshme deri në vitin 2003, vit i cili përkon dhe me fillimet e veprimtarisë së saj. Nga një vështrim i përgjithshëm vihet re një trend rritës i depozitave të sigurueshme nga individët, nga viti 2003 deri në vitin 2021.
Gjatë vitit 2003 vlera e depozitave të sigurueshme nga individët regjistrohej në 275 mld lekë ose 2.2 mld euro, ndërkohë që gjatë vitit 2021 ky tregues ka prekur vlerën e 1.11 trilionë lekëve ose siç e përmendëm më lart, në valutë përkthehet në 9.2 mld euro. Rritja në përqindje nga viti 2003 deri në vitin 2021 arrin në 304 %.
Ecuria e depozitave të sigurueshme në lekë përgjatë viteve ka qenë pozitive përveç vitit 2018-të, ku vërehet një rënie e lehtë krahasuar me vitin 2017-të. Kjo rënie është fiksuar në 0.1%, nga 922.9 mld lekë gjatë vitit 2017-të, në 922.3 mld lekë gjatë 2018-ës.
Në thuajse dy dekada rritja është e ndjeshme, edhe si pasojë e efektit kohë. Por, nga ana tjet%r, shifrat sinjalizojnë një rritje graduale të besimit të individëve në sektorin bankar.
Gjatë vitit 2020, rritja e depozitave të sigurueshme nga individët regjistrohet në 8%.
Theksojmë se depozitat e sigurueshme të individëve përbëjnë pjesën më të madhe të totait të depozitave të sigurureshme dhe përfshijnë jo vetëm nivelin e depozitave, por edhe interesat.
Për vitin 2021, totali i depozitave të sigurueshme në vendin tonë fiksohet në 1.35 trilionë lekë, nga të cilat 82% i zotërojnë individët, ndërsa pjesën e mbetur, sipërmarrjet dhe shoqëritë e kursim kreditit./Scan Intelligence Unit/