Termocentrali i ContourGlobal në Bullgari, Maritsa East 3, ka deklaruar se ka prodhuar më shumë se 13% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike në Bullgari në tremujorin e parë të vitit 2022.
Ndryshe, energjia elektrike e prodhuar nga ky termocentral me qymyr ka mbuluar kërkesën për furnizim me rrymë për rreth 1 milionë e 400 mijë amvisëri në Bullgari për periudhën janar-mars 2022, ose gjysmën e kërkesës së amvisërive për rrymë në këtë vend, kanë thënë përfaqësuesit e këtij termocentrali përmes komunikatës për media.
73% të aksioneve të termocentralit 908 megavatësh Maritsa East 3 janë në pronësi të ndërmarrjes ContourGlobal, ndërsa pjesa tjetër prej 27% është në pronësi të ndërmarrjes shtetërore kombëtare të energjisë elektrike në Bullgari.
Ndryshe, ContourGlobal ishte përzgjedhur nga Qeveria e Kosovës për të ndërtuar termocentralin e ri me qymyr, ‘Kosova e Re’.
Madje, në fund të vitit 2017 Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar disa marrëveshje me kompaninë për ndërtimin e termocentralit me kapacitet prej 500 megavatësh, e që do të kushtonte rreth 1.3 miliard euro.
Si i tillë, ky projekt përfaqësonte investimin më të madh të huaj në Kosovë.
Në mars të këtij viti, kompania ContourGlobal kishte njoftuar se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e termocentralit, me arsyen se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por po ashtu ishin theksuar edhe ndryshimet politike që kishin ndodhur në Kosovë.
Në atë kohë në pushtet ishte koalicioni qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. /kosovo.energy/