Termokos nënshkruan kontratën për njehsorë, ngrohja do të paguhet varësisht nga konsumi

Termokos ka njoftuar se Korporata e Sfidave Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), përkatësisht Fondacioni i Mileniumit në Kosovë (MFK) ka nënshkruar kontratën me konzorciumin e kompanive “Enerco LLC & HFC Grupa & Inter Adria”, për vendosjen e matësve të nxehtësisë dhe valvulave termodinamike tek konsumatorët.

“Fillimisht kompanitë punëkryese do të bëjnë disa hulumtime vlerësuese të instalimeve të ngrohjes tek konsumatorët tanë, gjë do t’i paraprijë fillimit të punimeve në teren për vendosjen e matësve digjitalë si dhe valvulave termodinamike tek konsumatorët”, ka sqaruar Termokos në komunikatën për media.

Vendosja e matësve do të ndryshojë metodën e deritanishme të faturimit. Deri më tani, faturimi bëhej bazuar në sipërfaqen ngrohëse dhe pas vendosjes së matësve, faturimi do të bëhet sipas konsumit të energjisë ngrohëse të secilit konsumator.

Reklama e sponzorizuar

“Kjo metodë, para së gjithash, do të jetë shumë e levërdishme ekonomikisht për konsumatorët, pasi që do të kenë mundësi, që nëpërmes kursimit të energjisë termike të kursejnë edhe buxehtin e tyre familjar”, kanë thënë nga Termokos.

Duke kursyer energjinë ngrohëse, konsumatorët do të ndihmojnë ndërmarrjen Termokos që energjinë e kursyer ta shpërndaj tek konsumatorët e rinj.