Vazhdon shtrenjtimi i derivateve, pavarësisht se u paralajmërua se do të ketë rënie

Nafta
Pikë e shitjes së derivateve

Një ditë më parë, çmimi për një litër naftë ishte 1.55 euro, ndërsa aktualisht çmimi i naftës për litër është 1.59, e në disa vende 1.58 euro

Në Kosovë pati sërish lëvizje të çmimit të naftës. Një ditë më parë u raportua se kishte ulje të çmimit të karburanteve, por gjatë së premtës ky çmim vetëm se ishte rritur.

Madje, çmimet e furnizimit me naftë po dallojnë nga kompanitë e ndryshme të derivateve në vend.

Reklama e sponzorizuar

Gjatë së enjtes, çmimi për një litër naftë ishte 1,55 euro, ndërsa një ditë më pas litri i saj shitej 1.59 euro, e në disa vende 1 cent më pak.

E këtë luhatje të çmimeve qytetarët po e shohin si sfidë.

Përderisa në tregjet ndërkombëtare çmimi i naftës ka filluar të bie, në Kosovë nuk po ndodhë e njëjta.

E njëri prej qytetarëve në Prishtinë, këtë rritje po e arsyeton me situatën ku është përfshirë rajoni dhe e gjithë Evropa.

Lufta në mes Ukrainës dhe Rusisë vazhdimisht po përmendet si një faktor që ka ndikuar për rritjen e çmimeve për shumë produkte.

E kjo situatë sipas njohësit të çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliut, ka krijuar spekulacione tregtare.

Gërxhaliu vlerëson se duhet të ketë më shumë kontrolla nëpër kompanitë e derivateve.

Ndryshe, çmimi i naftës në Gjermani është aktualisht 2.03 euro, në Zvicër dhe Greqi 2.05 euro, kurse ne vendet e tjera evropiane kryesisht më i ulët.

Çmimet më të larta janë vërejtur në Holandë, Norvegji dhe Finlandë. Në këto vende është për 25-30% çmimi më i lartë se mesatarja evropiane.