Vjollca Çavolli, drejtuese e Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës, në një intervistë më të gjerë për Buletinin Ekonomik, flet për vështirësitë dhe sfidat e të qenurit pjesë përbërse e gjeneratës së parë të programuesve në Kosovë dhe për sfidat me të cilat u përballë ajo si grua për të arritur këtu ku është sot. ”Ndjekja e këtij profesioni dhe aspiratat për të arritur në majat e TIK-ut në Kosovë, ka qenë një proces i vështirë dhe që më ka konfrontuar me shumë situata të palakmueshme dhe në disa raste edhe diskriminuese”, thotë ajo në këtë intervistë.
Blendrita Avdiu
Vjollca Çavolli, sot drejton Shoqatën për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës, nëpërmjet së cilës synohet krijimi i mundësive më të mëdha për ata që janë të interesuar për këtë sektor. Ajo është bashkëthemeluese edhe e Qendrës së Inovacionit të Kosovës, e cila është një mundësi për të gjithë studentët, të rinjtë, por edhe të moshuarit që kanë ide kreative. Ajo në vitin 1978, ishte në shkollë të mesme dhe vendosi të bëhej pjesë e gjeneratës së parë të programuesve. Në klasën e saj në atë kohë ishin vetëm tetë vajza.
Në një intervistë më të gjerë për Buletinin Ekonomik, ajo flet për vështirësitë dhe sfidat e të qenurit pjesë përbërse e gjeneratës së parë të programuesve në Kosovë dhe për sfidat me të cilat u përballë ajo për të arritur këtu ku është sot.
”Ndjekja e këtij profesioni dhe aspiratat për të arritur në majat e TIK-ut në Kosovë, ka qenë një proces i vështirë dhe që më ka konfrontuar me shumë situata të palakmueshme dhe në disa raste edhe diskriminuese”, thotë ajo në këtë intervistë.
Sipas saj, sot për t’u përcaktuar në drejtimin e TIK-ut është shumë më e lehtë për vajzat dhe gratë. Megjithatë, thotë ajo, ka ende shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim, sepse ende kemi një hendek në mes gjinive, të cilët duan të ndjekin fushën e TIK-ut për të bërë karrierë.
Duke komentuar të dhënat se krahasuar me rajonin, ku diku 17 për qind e studentëve në fakultetet e teknologjisë janë vajza, në Kosovë ky numër arrin në 38 për qind, Vjollca Çavolli, në intervistën për Buletinin Ekonomik thotë se “duke u bazuar në aktivitetet tona dhe projektet të cilat i zbatojmë në përmirësimin dhe zhvillimin e sektorit të TIK-ut në Kosovë, me plot përgjegjësi mund të them se synimi jonë është përfshirja në numër sa më të madh e vajzave dhe grave në këtë sektor. Ky përkushtim i joni besoj që ka pasur një ndikim të madh në këto rezultate. Pra, përfshirja e e vajzave dhe grave në mënyrë proporcionale në nismat dhe aktivitetet tona, ka bërë që të jemi më mirë në përfshirje të vajzave dhe grave në TIK se sa vendet e rajonit”.
Intervistën e plotë të Vjollca Çavollit, drejtuese e Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës, mund ta lexoni në vazhdim:
Buletini Ekonomik: Zonja Vjollca, a e pate të vështirë të bëhesh pjesë përbërse e gjeneratës së parë të programuesve në Kosovë? Cilat ishin sfidat me të cilat u përballe për të arritur synimin dhe vizionin tënd?
Vjollca Çavolli: Po, me të vërtet ka qenë një sfidë e madhe sepse në atë kohë, profesioni për programues apo edhe fusha e teknologjisë informative, ka qenë i menduar të jetë vetëm për burrat. Prandaj ndjekja e këtij profesioni dhe aspiratat për të arritur në majat e TIK-ut në Kosovë, ka qenë një proces i vështirë dhe që më ka konfrontuar me shumë situate të palakmueshme dhe në disa raste edhe diskriminuese.
Buletini Ekonomik: A kanë qenë më të zorshme paragjykimet që një grua të përcaktohet për sektorin e teknologjisë informative, apo pabarazia, ose diskriminimi thuaja i hapët i botës maskuliste se kjo është “punë meshkujsh”?
Vjollca Çavolli: Sikurse e kam cekur në përgjigjen time paraprake, jemi ballafaquar me shumë sfida dhe situata të vështira përgjatë realizimit të ëndrrave tona, por kjo asnjëherë nuk na ka ndaluar së vazhduari rrugën tonë drejt arritjes së qëllimeve tona.
Buletini Ekonomik: Diku, me një rast për medie keni deklaruar se “rruga që e ndërmarrin gratë e vajzat në këtë fushë është gjithmonë tri – katër herë më e vështirë se ajo e burrave dhe djemve”, a vazhdon të jetë kështu, apo tashmë ka ndërruar gjendja dhe botëkuptimi?
Vjollca Çavolli: Për fat të mirë ajo që e kemi përjetuar gjenerata jonë kohë më parë, nuk është evidente në kohët e sotme. Sot për t’u përcaktuar në drejtimin e TIK-ut është shumë më e lehtë për vajzat dhe gratë. Megjithatë, ka ende shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim, sepse ende kemi një hendek në mes gjinive të cilët duan të ndjekin fushën e TIK-ut për të bërë karrierë.
Buletini Ekonomik: Sidoqoftë, ju ia dolët dhe sot drejtoni Shoqatën për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës. Cili është roli, por edhe misioni i kësaj Shoqate?
Vjollca Çavolli: Shoqata si një katalizator në industrinë dinamike të teknologjisë, përshpejton rritjen dhe progresin në ekonomi. STIKK ofron një platformë që bashkon liderët e teknologjisë për t’u lidhur dhe bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe mbështet me entuziazëm anëtarët që shtyjnë përpara kufijtë e teknologjisë. Që nga themelimi në 2008, STIKK arriti suksese të shumta dhe u bë një nga shtytësit kryesorë të industrisë së TIK-ut dhe komunitetit të TIK-ut në Kosovë. Gjatë përpjekjeve drejt zhvillimit të vazhdueshëm të industrisë së TIK, STIKK ka realizuar projekte të shumta që kanë për qëllim promovimin e sektorit të TIK-ut të Kosovës, përmirësimin e kornizës ligjore, implementimin e hulumtimeve dhe analizave specifike të industrisë si dhe të ndihmojë në zhvillimin profesional të akterëve të sektorit.
Pra misioni i STIKK është të krijojë një mjedis më të favorshëm për TIK-un duke përkrahur vendosjen e standardeve, mundësitë e arsimimit si dhe duke avokuar për të siguruar investime të reja. Gjithashtu do të ketë një rol qendror në stimulimin e rritjes dinamike të sektorit të TIK në Kosovë, duke hapur mundësi të reja dhe duke rritur aftësinë konkurruese të sektorit në vend dhe jashtë tij.
Buletini Ekonomik: E keni themeluar tashmë edhe Qendrën e Inovacionit të Kosovës. Çka do të thotë kjo qendër, cilën mundësi e kanë të rinjtë që kanë ide kreative për t’u arsimuar dhe aftësuar në fushën e teknologjisë informative?
Vjollca Çavolli: Ne si STIKK jemi shumë krenar me themelimin e kësaj qendre. Ajo është një qendër që synon të lidhë komponentin e kërkimit dhe zhvillimit në fushën shkencore me sektorin e biznesit, duke u fokusuar në krijimin e mundësive të reja të punës të orientuara drejt së ardhmes, bazuar në njohuritë dhe teknologjinë e re.
Qendra ka për synim krijimin e vendeve të reja të punës dhe prosperitetin e bizneseve në sektorët e TIK-ut dhe të Energjisë së Gjelbër të Kosovës përmes inovacionit, mbështetjes së ndërmarrësve, Startup-eve dhe bizneseve ekzistuese, duke pasur fokus të veçantë në përfshirjen proporcionale në aspektin gjinor.
Buletini Ekonomik: Në këtë kontekst, sa kanë mundësi reale të përfshihen gratë në proceset e aftësimit dhe arsimimit në këtë fushë në të dy asociacionet e krjuara nga ju dhe si e komentoni të dhënën se krahasuar me rajonin, ku diku 17 për qind e studentëve në fakultetet e teknologjisë janë vajza, në Kosovë ky numër arrin në 38 për qind?
Vjollca Çavolli: Duke u bazuar në aktivitetet tona dhe projektet të cilat i zbatojmë në përmirësimin dhe zhvillimin e sektorit të TIK-ut në Kosovë, me plot përgjegjësi mund të them se synimi jonë është përfshirja në numër sa më të madh të vajzave dhe grave në këtë sektor. Ky përkushtim i joni besoj që ka pasur një ndikim të madh në rezultatet të cilave ju i referoheni. Pra, përfshirja e vajzave dhe grave në mënyrë proporcionale në nismat dhe aktivitetet tona, ka bërë që të jemi më mirë në përfshirje të vajzave dhe grave në TIK se sa vendet e rajonit.
Buletini Ekonomik: Tani, pra, si i vlerësoni trendet e rritjes së interesimit dhe angazhimit numerikisht shumë më shumë të të rinjëve të të dyja gjinive në aftësimin për teknologjinë informative?
Vjollca Çavolli: Trendi i rritjes së interesimit të angazhimit të të rinjve për aftësim në TIK, është i natyrshëm për shkak se në të njëjtën kohë kemi edhe një hov të madh të zhvillimit të TIK-ut si industri, ku jo vetëm se është duke u ndryshuar koncepti i punës në të gjitha sferat, por edhe vërehet kërkesa e madhe për profesionistë të kësaj fushe. Edhe pse trendi i atyre të cilët përcaktohen për karrierë në TIK është në rritje, prap se prap nuk mund të mbulohen nevojat e tregut për profile të tilla.
Buletini Ekonomik: Po mundësitë e punësimit, qoftë në vend, qoftë në botë, të atyre që kanë krjiuar përgatitje të mirë profesionale në teknologjinë informative, cilat janë sot?
Vjollca Çavolli: Me avancimin e teknologjisë dhe hapjen e tregjeve çdo ditë e më tepër, mundësitë për t’u punësuar për ata të cilët janë të kualifikuar në këtë sektor janë të shumta. Gjithashtu duhet të theksojmë se pas situatës që e kemi pasur me pandeminë e COVID-19, koncepti i të punësuarit ka ndryshuar shumë. Kjo për shkak se më nuk është e domosdoshme të jemi prezent në një objekt të caktuar për të kryer punët dhe detyrat tona. Pra, me fillimin e aplikimit të punës nga distanca, mundësitë për t’u punësuar nga punëdhënës kombëtar apo edhe ndërkombëtar është tejet e lartë dhe kërkesa për punëtorë të kualifikuar në këto profile sa vjen e rritet. Kjo për shkak edhe të natyrës së punës në këtë sektor. /Buletini Ekonomik/