Ngritje kaotike e çmimeve në Kosovë, dhe heshtja e pakuptueshme institucionale

Dyqan i produkteve ushqimore

Tani, tregtarët kosovarë, thuaja të gjithë, nuk i ngrisin më çmimet me nga 50 e më shumë për qind deri në qind për qind për njëherë, siç ndodhi në fund të vitit të kaluar dhe në fillimin e këtij viti, por i ngrisin për çdo ditë, mëngjes për mëngjes, e mbase edhe dy herë brenda ditës në përçindje më të vogla, por që brenda javës, pastaj, arrijnë “objektivin” që të kenë çmimet enorme të ngritura të shumë produkteve, sidomos të atyre qenësore-ushqimore.

Mehmet GJATA

Çmimet, as ngritja e as ulja e tyre, tashmë pas rënies së sistemit socialist, thuaja në asnjë shtet të botës, (eventualisht, hiç Kubën) nuk kontrollohen nga shteti. Do të duhej të përcaktoheshin dhe të jenë rrjedhojë e ofertës dhe kërkesës, parim ky ndër më qenësorët në sistemet kapitaliste.

Reklama e sponzorizuar

Në shtetet e konsoliduara dhe me traditë, tek çmimet rol të rëndësishëm, domosdo, luan ndershmëria dhe morali i tregtarëve. Të ndershmit, shumica absolute e tregtarëve në këto shtete, që nga ky virtut varet perspektiva dhe ardhmëria e biznesit të tyre, në asnjë mënyrë nuk ngarendin për të shfrytëzuar situatat, baticat dhe zbaticat në tregjet e vedit të tyre, por as në ato globale, as që u shkon ndërmend të bëjnë ndonjë përpjekje për t’u pasuruar brenda ditës, ose çastit. Dhe kur domosdoshmërisht duhet ngritur ndonjë çmim, bëhet çështje, diskutohet në institucione, dhe tregtarët veprojnë sipas instruksioneve të tyre.

Në shtetet normale, karshi parimeve parësore të ofertës dhe kërkesës, funksionojnë mrekullisht edhe institucionet që përcjellin zhvillimet në ecuritë e çmimeve, të tregtimit dhe sidomos të pengimit të krijimit të monopoleve, që për pasojë, pastaj, kanë “lojën” me çmime.

Nuk ndodhë në këto shtete, pos në ndonjë krizë ekstreme tepër të rrallë dhe të çastit, që çmimet, qoftë me shumicë, qoftë ato me pakicë të shfrenohen dhe të dalin totalisht jashtë kontrollit, siç po ndodh te ne në kohët e fundit.

Çka tregojnë të dhënat zyrtare?

Nuk ka ditë të vetme që në Kosovë nuk ndodhin ngritje çmimesh të të gjitha produkteve, edhe atyre nga importi edhe sosh vendore, pa dallim. Sidomos tashmë thuaja se është bërë rutinë që në minimarketet, marketet, supermarketet dhe megamarketet e tregtarëve kosovarë, të bërë “të pasur” brenda një kohe fare të shkurtër, të mos ketë çmime të reja, të ngritura më herët edhe me përqindje frikësuese.

Tani, tregtarët kosovarë, thuaja të gjithë, nuk i ngrisin më çmimet me nga 50 e më shumë për qind deri në qind për qind, siç ndodhi në fund të vitit të kaluar dhe në fillimin e këtij viti, por i ngrisin për çdo ditë, mëngjes për mëngjes, e mbase edhe dy herë brenda ditës në përçindje më të vogla, por që brenda javës, pastaj, konsumatori i vëmendshëm veç kur e sheh çmimin e shumë produkteve, sidomos të atyre qenësore-ushqimore, të ngritur përgjysmë më shumë.

Këto të dhëna nuk janë retorikë boshe, sa për të thënë diçka, janë fakte dhe të vërteta absolute. Ecuria e ngritjes së çmimeve, sidomos të atyre ushqimore, gjatë marsit dhe prillit të këtij viti ishte e vrullshme dhe në “rënie të lirë’.

Ndërkohë, në këto ditë të fillim majit, hapi i ngritjes së çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm është bërë i pandalshëm, sado që duket suksesiv.

Nuk ka ditë që konsumatorin kosovar të mos e pret befasia e pakëndshme e ngritjes së rrufeshme të çmimeve, me të hyrë qoftë në shitore të vogla, në markete apo në megamarkete. Dhe rritja e çmimeve për produktet bazike ushqimore në Kosovë, nga prilli i vitit të kaluar është rritur 11.2 për qind, thuhet në raportin e ri të Agjencisë së Statistikave (ASK).

ASK-ja thekson se Indeksi i Harmonizuar për Çmimet e Konsumit për muajin prill 2022, është rritur 1.5 për qind.

Sipas raportit “Indeksi i Harmonizuar Çmimeve të Konsumit, prill 2022”, ngritja më e madhe e çmimeve vërehet te vajrat dhe yndyrnat ushqimore me 15.6 për qind, ndjekur nga gazi me 10.8 për qind dhe shërbimet e transportit me 3.9 për qind.

“Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1.5 për qind në muajin prill 2022, krahasuar me muajin mars 2022. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te buka dhe drithërat me 1.2 për qind, mishi me 3.6 për qind, qumështi, djathi dhe vezët me 0.9 për qind, vajrat dhe yndyrat ushqimore me 15.6 për qind, pemët me 1.5 për qind, perimet me 5.4 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat me 2 për qind”, thuhet në raport.

Lista e çmimeve të ngritura në këtë periudhë, sipas ASK-së, është e pafund. Janë ngritur çmimet për salca, erëza, kripë, ushqim për fëmijë, kafe, çaj dhe kakao, uji, pije joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet pijet alkoolike, gazi, lëndët djegëse të ngurta, pajisjet shtëpiake, , qelqurinat, mjetet e kuzhinës, veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake, karburantet, shërbimet për transport, etj., etj.

Kjo ngritje e shfrenuar çmimesh, s’do mend se e ka ndikuar rritjen e inflacionit në përqindje rekorde në këto vite.

Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin prill ka arritur në 11.2 për qind. Kjo, sipas ASK-së, kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të bukës dhe drithërave me 24.3 për qind, mishi me 13.5 për qind, qumështi, djathi dhe vezët me 21.7 për qind, vajrat dhe yndyra ushqimore me 51.3 për qind, perimet me 13.8 për qind, sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat me 15.9 për qind, prodhime të ndryshme ushqimore me 11.6 për qind, kafeja, çaji dhe kakao me 13.6 për qind, uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet me 5.9 për qind, duhani me 4.8 për qind dhe mirëmbajtja dhe rregulli i vendbanimit me 8.2 për qind”.

“Veshët e shurdhër” institucional

Në këtë rrebesh çmimesh të rritura, vetëm ndonjë zë, aty-këtu (opozitar) dëgjohet, siç ishte ai i LDK-së, i shprehur nëpërmjet një kominikate të këtoditëshme.

“Me shqetësim të thellë po e përcjellim rritjen rekorde të çmimeve”, thuhet në reagimin e këtij subjekti politik opozitar.

“Rritja rekorde e çmimeve, për çdo muaj po vazhdon të bëhet më e papërballueshme për qytetarin. Inflacioni në muajin prill ka arritur në nivele alarmante prej 11.2%, më e larta deri më tani”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

LDK ka ofruar edhe propozime konkrete në menaxhimin dhe tejkalimin e kësaj krize, si: pako fiskale dhe ekonomike, heqjen e TVSH-së për produktet bazike si dhe reduktimin e akcizës dhe TVSH-së në naftë.

LDK thotë se Qeveria ka injoruar propozimet konkrete të saj për menaxhimin e krizës së çmimeve, “duke e bërë kështu Kosovën vendin e vetëm pa masë konkrete në zbutjen e papërballueshmërisë së qytetarëve tanë”.

Dhe me kaq, sikur ka përfunduar angazhimi i këtij subjekti opozitar në përpjekjet për të frenuar kaosin e krijuar nga rritja enorme dhe ‘anarkike’ e çmimeve.

Por, sidoqoftë, gjithsesi është më mirë një reagim fare i paefektshëm dhe jorezultativ, siç është ky i LDK-së, se sa të bëhesh “i shurdhër”, si pjesa dërmuese e subjekteve politike opozitare dhe siç janë bërë institucionet kompetente shtetërore, ato që e kanë detyrë dhe obligim të korektojnë, gjithnjë ku është e mundur, deformitetet e shkaktuara me rritjen shfrenuese të çmimeve, të parandalojnë me masa efektive “shpërthimin” kaotik të çmimeve dhe së paku të mos heshtin pafundësisht, siç janë duke heshtur këtyre ditëve.

Sepse, duhet përkujtuar, se kosovarët, e sidomos kosovari i rëndomtë, ai i varfëri, i cili mezi ia del ta sigurojë bukën e gojës (që të tillë janë shumica e kosovarëve), po përjetojnë ditë të vështira të mbijetesës, periudhë të ngrysur, shqetësuese si pasojë e ecurive dhe zhvillimeve në sferën e çmimeve, e që drejtpërsëdrejti reflektohet në mirëqenien e tyre dhe jetën sociale të shumicës absolute të banorëve të Kosovës.

Ne, Kosova pra, nuk jemi aq të fuqishëm për t’i bërë ballë lëkundjes aq agresive të çmimeve – njëherë të energjisë elektrike, e tani, sidomos të çmimeve të produkteve bazike-ushqimore. Nëse vazhdon ky kaos dhe anarkia në ecuritë e çmimeve, s’do mend se do të ketë domosdo çmime të reja më të larta të të gjitha produkteve qoftë esenciale, qoftë të produkteve e shërbimeve të shumta, aq të nevojshme për qytetarin. Do të ketë, natyrisht, shqetësime të reja sociale, të të gjithë atyre që çmimet enorme të ngritura vazhdojnë t’ua keqësojnë dhe t’ua vështirësojnë jetën e përditshme, do të vazhdojnë shtresimet e shoqërisë kosovare-të pasurit do të bëhen edhe më të pasur, ndërkohë që të varfërit dhe shtresa e mesme do të varfërohen edhe më tej, do të shtohet shumë numri i banorëve kosovarë që do t’u bie ndjeshëm fuqia blerëse e kështu me radhë.

Masat parandaluese të mundshme dhe të aplikueshme edhe në ekonominë e tregut, siç është tashmë kjo e jona, dhe siç po i aplikojnë shtetet njësoj të varfëra sikundër jemi ne, dhe shtetet e rajonit e përtej, janë më se të nevojshme dhe më se të domosdoshme. Madje, tani e këtu e sa më shpejtë.

Të shihen përvojat e fqinjve dhe shteteve me gjendje pak a shumë identike me Kosovën, masat e tyre më të efektshme në parandalimin e kaosit të mëtejshëm të shkaktuar nga ngritja e pa ndalur e çmimeve, sidomos të produkteve bazike ushqimore, dhe të provohet, së paku, të aplikohen edhe në vendin tonë. Të shihet, fundja, efekti i këtyre masave. Vetëm të rrish duarkryq, të soditësh nga ‘nën hije’, siç po bëjnë departamentet kompetente të Ministrisë së Ekonomisë, Autoritetit Kosovar të Konkurrencës dhe të Bankës Qendrore të Kosovës, e të Shoqatave të konsumatorëve, është më së keqi. Është sikur të jesh pjesëmarrës dhe i përfshirë në ligësitë e tregtarëve tanë të pandërgjegjshëm, që duan të “peshkojnë në ujin e turbulltë”, dhe që duan të pasurohen brenda natës. /Buletini Ekonomik/