Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar sërish pas vendimit të ZRRE-së për shtyrjen e ekzekutimit vendimit për tarifat e shtrenjta të energjisë.
Ai përmes një statusi në facebook, iu ka drejtuar qytetarëve, duke iu thënë se që nga sot, faturat elektrike do të llogariten pa shtrenjtim.
Por, tarifat e paguara me të shtrenjtën nga muaji shkurti e deri më sot, ai ia atribuoi qeverisë aktuale, duke thënë se “qeveria e paaftë e Kosovës ju ka detyruar të paguani kundërligjshëm rrymën me rritje deri në 100%”.
Sipas tij, pas kthimit të tarifave të vjetra, tani duhet kthyer edhe paratë, siç i quan ai “të plaçkitura kundërligjshëm për disa muaj rresht”.
Gjithashtu, ai kërkoi që Bordi i ZRRE-së, “që i ngarkoi familjet kosovare me çmime astronomike të energjisë” – duhet të shkarkohet menjëherë, pasi ai vlerëson se ata nuk kanë më asnjë kredibilitet.
Abdixhiku shton se që nga e hëna, LDK do të nisë të gjitha procedurat e nevojshme parlamentare në këtë drejtim, kurse Kuvendi i Kosovës ka për detyrim sanksionimin e paligjshmërisë. /Buletini Ekonomik/
Postimi i plotë i Abdixhikut në facebook:
Të dashur qytetarë,
Nga sot, fatura tuaja elektrike do të llogariten pa shtrenjtim. Por, nga shkurti e deri më sot, qeveria e paaftë e Kosovës ju ka detyruar të paguani kundërligjshëm rrymën me rritje deri në 100%.
Tarifat u detyruan t’i kthejnë. Tani duhet kthyer edhe paratë e plaçkitura kundërligjshëm për disa muaj rresht. Janë para tuaja; u janë marrë pa të drejtë. Dhe jo vetëm kaq. Bordi i Qeverisë e ZRRE-së, i njëjti që për muaj rresht e në mes të dimrit, ngarkoi familjet kosovare me çmime astronomike në energji – duhet të shkarkohet menjëherë. Ata s’kanë më asnjë kredibilitet.
Nga e hëna, LDK do të nisë të gjitha procedurat e nevojshme parlamentare në këtë drejtim. Kuvendi i Kosovës ka për detyrim sanksionimin e paligjshmërisë.
Shkarkimi është i paalternativë. Siç është e paalternativë dhe përgjegjësia morale e secilit deputet, ministër e vet kryeministrit që me bindje plot mbronin këtë vendim plaçke e diskriminimi që tani më ka marrë vulën e turpit e paligjshmërisë.
Ktheni paratë; shkarkojeni Bordin; mbani përgjegjësi!











