ATK ju kërkon bizneseve ta dokumentojnë origjinën e mallit

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka njoftuar të gjithë tatimpaguesit se në bazë të Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, kërkohet dokumentimi i origjinës së mallit.

Në njoftimin e tyre në Facebook ATK thotë se aktivitetet e tyre, në vazhdimësi do të përqendrohen pikërisht te tatimpaguesit, të cilët posedojnë mallra pa origjinë.

Sipas tyre, secili tatimpagues duhet të ofrojë dokumentacionin mbështetës, i cili arsyeton prejardhjen e mallit si në vendndodhjen, apo vendndodhjet e tatimpaguesit, ashtu edhe për mallrat në qarkullim jashtë vendndodhjes së tatimpaguesit.

Reklama e sponzorizuar

Ata po ashtu thonë se, secili tatimpagues duhet të dokumentojë të gjitha mallrat nga koha e pranimit (qoftë përmes importimit, blerjes, shkëmbimit apo mënyrave tjera) deri sa ato të jenë shitur apo ndryshe të jenë sistemuar, përfshirë dokumentacionin e shitjes apo sistemim tjetër.

E në bazë të kësaj, inkurajohen të gjithë tatimpaguesit që t’i përgjigjen në mënyrë të saktë detyrimeve tatimore, në të kundërtën ATK, do të detyrohet që të ndërmarrë masat ndëshkuese sipas legjislacionit tatimor.

“Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju do të kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenies shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore”, përfundon njoftimi i ATK-së./Buletini Ekonomik/