Murtezaj lavdëron performancën e ATK-së

Ilir Murtezaj- Drejtor i Përgjithshëm e Administratës Ttaimore të Kosovës

Sipas Ilir Murtezajt, drejtor i përgjithshëm i ATK-së, nga janari deri në prill të këtij viti janë inkasuar 269.5 milionë euro tatime, apo rreth 40 milionë më tepër se që kishte parashikuar nga ATK-ja.

Siç tha ai, “krahasuar me vitin e kaluar kemi rreth 70 milionë euro më tepër të hyra, apo rreth 34.1 për qind më shumë”.

Cilët faktorë kanë ndikuar në rritjen e performancës së ATK-së, sipas Murtezajt dhe ç’është reforma e konsolidimit dhe funksionimit të mbledhjes së borxheve?

Reklama e sponzorizuar

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, ditë më parë, në një paraqitje publike në njërin nga televizionet kombëtare të vendit, ka thënë se performanca e ATK-së në katër muajt e parë të këtij viti, ka qenë e shkëlqyeshme.

Sipas Murtezajt, nga janari deri në prill të këtij viti, janë inkasuar 269.5 milionë euro tatime, apo rreth 40 milionë më tepër se që kishte parashikuar ATK-ja.

Ndërsa, siç tha ai “krahasuar me vitin e kaluar kemi rreth 70 milionë euro më tepër të hyra, apo rreth 34.1 për qind më shumë”.

Ai ka numëruar disa faktorë që kanë ndikuar në rritje të performancës. Në vend të parë e ka renditur fuqizimin e kontrollit të brendshëm, pastaj rritjen e efikasitetit në mbledhje të borxheve dhe rritjen e transparencës.

“Përmes sistemit elektronik, bizneset që kanë qarkullime të larta e kanë pagesë minimale apo zero, ato dërgohen në inspektorat tatimor. Bëhet fjalë për biznese të përgjithshme”, ka saktësuar Murtezaj.

Ndër faktorët që kanë ndikuar në rritjen e përformancës së ATK-së, ai ka renditur edhe automatizimin e proceseve të punës.

“Sistemi elektronik tash identifikon rastet për kontroll e në të kaluarën duhej rastet të identifikoheshin nga individi”, sqaroi Murtezaj.

Sipas tij, bazuar në analizat kanë konstatuar se sektori i ndërtimtarisë dhe gastronomisë, janë dy sektorët ku ka më tepër informalitet.

“Në këtë drejtim nga viti i kaluar, nga viti 2020 më saktë, kemi filluar projektin e ndërtimtarisë duke zhvilluar kontrolle që të identifikohen të gjitha shmangiet tatimore të gjithë kontraktorëve të x projekteve në sektorin e ndërtimtarisë. Ka prodhuar rezultat kjo. Më pas kemi sektorin e akomodimit, apo gastronomisë. Gjithashtu është evidente fakti që prodhojnë informalitet fiskal. Jemi dëshmitar edhe në Prishtinë shembull që vazhdon të mos lëshohet kupon fiskal”, tha Murtezaj.

Murtezaj ka vënë në dukje se gjatë viteve të fundit është rritur gama e tatimpaguesve. Madje, sipas tij, karshi vitit të kaluar, në këtë katërmujor është rritur numri i tatimpaguesëve për afro 7 për qind.

Murtezaj ka ripërsëritur se remitencat nga diaspora nuk do të tatohen.

Ai ka thënë se tatohen të hyrat tjera që sigurohen nga qytetarët, por jo edhe remitencat. Sa i përket rritjes së pragut të pagave që do të tatohen nga 80 në 250 euro, Murtezaj thotë se kjo nuk do të ketë ndikim negativ në ATK.

“Efektet tatimore në këtë drejtim nuk do të jenë të mëdha. Deri tash kemi pagën deri 80 euro që nuk tatohet e nga 80-250 euro tatohet me 4 për qind. Nuk është peshë e madhe. Efekti i ndryshimit është i madh te qytetari”, ka thënë Murtezaj.

Por, kjo rritje e pragut duhet votuar në Kuvend.

Murtezaj ndërkohë ka treguar se bazuar në projektin e nisur në nëntor të vitit të kaluar për të formalizuar punëtorët, janë identifikuar 2170 punëtorë që nuk ishin të formalizuar dhe janë formalizuar.

Në një intervistë më të hershme për Buletinin Ekonomik, Ilir Murtezaj pati thënë se është reforma e konsolidimit dhe funksionimit të mbledhjes së borxheve, reformë kjo e cila ka filluar në fillim të vitit 2020, dhe përkundër periudhës pandemike, kjo reformë është vlerësuar dhe bazuar në të dhënat dhe rezultatet, konfirmohet që ka qenë reformë e qëlluar. Ka qenë rekomandim i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Ne e kemi implementuar në tërësi ashtu siç na është rekomanduar, dhe kemi punuar së bashku me ta për ta shtyrë përpara këtë reformë.

Duke shpjeguar kuptimësinë e kësaj reforme, Murtezaj vuri në dukje se ndryshimi mes asaj më parë dhe tani është se në funksionin e mbledhjes së borxheve në vazhdimësi, “ne si ATK jemi kritikuar ose jemi vlerësuar jo mirë si nga institucionet vendore ashtu edhe nga ato ndërkombëtare, sepse në vazhdimësi trendi i stokut të rritjes së borxheve ka shkuar duke u rritur”.

Në vitin 2019, ka qenë kthesa e parë e madhe, do të thotë që ka ndodh si rezultat i ngritjes së llogaridhënies në përgjithësi së stafit të monitorimit më të mirë nga ne si menaxhmet tek ky funskion dhe kemi arritur që në fund të vitit 2019, të ulim stokun e borxhit për 6% ose rreth 20 milionë euro.

“Në vitin 2020, gjatë periudhës së dytë të vitit 2019, e kemi zhvilluar këtë reformë, i kemi bërë të gjitha përgatitjet e reformës, dhe në vitin 2020 kemi filluar me 1 shkurt 2020, kemi filluar reformën duke bërë konsolidimin e stafit fillimisht, nga të gjitha zyret regjionale që kanë qenë në një zyrë të vetme në Prishtinë, dhe ky konsolidim nuk ka të bëjë vetëm me koncentrimin fizik të stafit, por edhe me ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive sipas nënfunksioneve të funksionit të mbledhjes”, ka thënë Murtezaj për Buletinin Ekonomik.

Sipas tij, katër departamente të mbledhjes së borxheve janë katër shtylla, ku shtylla e parë ka të bëjë me trajtimin e borxheve të hershme si dhe borxheve të reja, dhe zyrtarët që i takojnë kësaj shtylle kanë për obligim që brenda periudhës 20 ditore t’i zhvillojnë të gjitha procedurat duke njoftuar tatimpaguesin për borxhin që ka, duke i kërkuar që të paguajë borxhin, pastaj vendosjen e barrës tatimore, dhe pengun në pasuritë e luajtshme.

Në ditën e 21-të, nëse nuk i kryejnë zyrtarët punët e përcaktuara, rasti kalon në divizionin e dytë, i kryjtën si kryjtën këta punët, nëse s’i kryejnë kanë për të dhënë përgjegjësi pse s’i kanë kryer punët, nëse i kryejnë do të thotë është në rregull.

Shtylla e dytë ka nën përgjegjësi menaxhimin e mbledhjes së borxheve po ashtu duke i kontaktuar prapë tatimpaguesit, ata të cilët në shtyllën e parë s’kanë arritur të paguajnë borxhin që t’i kërkojnë të paguajnë borxhin, ose të programojnë borxhin në rast se kanë vështirësi dhe arrijnë ta argumentojnë që nuk munden ta pagujajnë përnjëherë.

Në rast se sërish nuk arrihet marrëveshje, atëherë kanë për obligim që të vendosin bllokimet e llogarive bankare, të thesarit, të doganës e kështu me radhë, me qëllim që të nxitet tatimpaguesi që të paguajë, dhe këta në mandatin e tyre kanë 30 ditë kohë për t’i trajtuar të gjitha këto procedura. Në ditën e 31-të, nëse nuk i përfundojnë këto punë, rasti kalon tek shtylla e tretë.

Shtylla e tretë ka përgjegjësi që nëse s’janë kryer procedurat nga dy shtyllat e para, në rast se nuk është mbledhur borxhi, të përgatisë rastin për konfiskim, aty ku kemi barrë. Kjo shtyllë ka 3 muaj afat për ta përgatitur rastin dhe për ta bërë konfiskimin, dhe në rast se nuk arrihet edhe këtu, në këtë stad të mblidhet borxhi, atëherë kalon në stadin e katërt, ose në shtyllën e katërt, ku atje organizohet procesi i pranimit.

Vetëm afatin kohor s’e kemi lëshuar në funksion deri më 1 tetor, për shkak të pandemisë dhe reduktimit të stafit, ka sqaruar Murtezaj. /Buletini Ekonomik/