BERZH po shqyrton mundësinë e sigurimit të një kredie prej 22.5 milionë eurove për Termokos-in

Ndërmarrja Termokos

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka thënë të martën se po shqyrton ofrimin e një kredie sovrane deri në 22.5 milionë euro për Kosovën për ndërtimin e një termocentrali diellor, përcjell See News.

Financimi do t’i jepet hua kompanisë komunale të ngrohjes qendrore Termokos, në pronësi të qytetit të Prishtinës, për të bashkëfinancuar ndërtimin e centralit, i cili do të sigurojë kapacitet shtesë të energjisë termike për rrjetin e ngrohjes qendrore të qytetit, tha BERZH në një dokument përmbledhës të projektit.

Projekti do të bashkëfinancohet me një hua tjetër prej 17.5 milionë euro nga Banka shtetërore gjermane për investime dhe zhvillim Kreditanstalt fur Wiederaufbau (KfW), si dhe një grant investimi deri në 25 milionë euro nga qeveria gjermane, shtoi BERZH.

Reklama e sponzorizuar

Për më tepër, grantet e bashkëpunimit teknik pritet që të sigurohen nga programi i Ngrohjes Qendrore të Rinovueshme në Ballkanin Perëndimor ose Fondi Special i Aksionarëve të BERZH-it, tha banka.

Projekti parashikohet që të ketë një kosto prej 65 milionë eurove duke përfshirë edhe asistencën teknike.

Projekti është pjesë e Kornizës për Qytete të Gjelbra të BERZH-it, një qasje strategjike që target ka çështjet mjedisore në qytete të mëdha të zgjedhura në vendet që operon BERZH.