Hoti: Asnjë investim i jashtëm i rëndësishëm nuk është parë në dy vitet e fundit

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se pasiguria politike dhe ekonomike në Kosovë po i largon investitorët e huaj dhe vendor.

Sipas tij, paqartësia në dialogun me Serbinë, si dhe Marrëveshja e Ohrit që e betonoi status quo-në në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, po ndikojnë në rënien e investimeve të jashtme në Kosovë.

“Asnjë investim i jashtëm i rëndësishëm nuk është parë në dy vitet e fundit dhe as nuk duket në perspektivë. Një investitorë i huaj që ishte në procedura për të marrë statusin e investitorit strategjik u refuzua nga Qeveria, edhe pse vendimi i Qeverisë ishte dërguar për miratim në Kuvend. Jo vetëm investime të jashtme, por as investime vendore nuk mund të ketë me gjithë këtë paqartësi politike”.

Reklama e sponzorizuar

Tutje, ai ka shtuar se bizneseve nuk po iu ofrohet siguri as në politikat e brendshme ekonomike.

“Pa asnjë analizë paraprake dhe pa konsultim me komunitetin e bizneseve, Qeveria mori këto vendime: (a) i ndryshoi normat tatimore të tatimit në pronë, të cilat u bën progresive dhe e rritën deri në trefish ngarkesën e tatimit në pronë për biznese; (b) vendosi tua marrë komunave menaxhimin e zonave ekonomike dhe të vendos ato zona nën menaxhimin e drejtpërdrejtë të një Agjencie të re Qeveritare; dhe (c) vendosi të shfuqizojë ligjin për investime të huaja dhe ligjin për investime strategjike. Të dyja këto ligje i shkriu në kuadër të ligjit të investimeve të qëndrueshme, i cili do ta dëmtoj shumë perceptimin pozitiv që ka Kosova sa i përket mbrojtjes së investimeve të jashtme”.