Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) ka njoftuar të gjithë qytetarët e Kosovës se hyrjet dhe daljet në Kosovë dhe Mal të Zi, do të vazhdojnë të bëhen vetëm me karton të Gjelbër, respektivisht me policën e ashtuquajtur TPL Plus.
BKS përmes një njoftimi për media, ka theksuar se pas marrëveshjes së nënshkruar nga Byroja Kosovare e Sigurimit si dhe Byroja e Sigurimit e Malit të Zi vitin e kaluar, hyrja në territorin e Republikës së Malit të Zi, si dhe hyrja në Kosovë nga ky shtet, bëhet vetëm me TPL Plus, respektivisht karton të Gjelbër, pa paguar asnjë euro shtesë.
Ndërkohë, në rastet kur qytetarët e Kosovës gjatë hyrjes në territorin e Malit të Zi, nuk e posedojnë policën TPL Plus, atëherë ata duhet të paguajnë sigurimin kufitar.
Po e njëjta rregull do të vlejë edhe për qytetarët e Malit të Zi, të cilët në mungesë së kartonit të Gjelbër duhet të paguajnë policën kufitare.
Polica TPL Plus merret në kompaninë ku e keni sigurimin e automjetit dhe e njëjta vlen për hyrje në Republikën e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi. /Buletini Ekonomik/