BKS: Hyrje-daljet në Kosovë dhe Mal të Zi bëhen vetëm me Karton të Gjelbër, në mungesë të tij pason pagesa e sigurimit kufitar

Fotografi ilustruese

Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) ka njoftuar të gjithë qytetarët e Kosovës se hyrjet dhe daljet në Kosovë dhe Mal të Zi, do të vazhdojnë të bëhen vetëm me karton të Gjelbër, respektivisht me policën e ashtuquajtur TPL Plus.

BKS përmes një njoftimi për media, ka theksuar se pas marrëveshjes së nënshkruar nga Byroja Kosovare e Sigurimit si dhe Byroja e Sigurimit e Malit të Zi vitin e kaluar, hyrja në territorin e Republikës së Malit të Zi, si dhe hyrja në Kosovë nga ky shtet, bëhet vetëm me TPL Plus, respektivisht karton të Gjelbër, pa paguar asnjë euro shtesë.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, në rastet kur qytetarët e Kosovës gjatë hyrjes në territorin e Malit të Zi, nuk e posedojnë policën TPL Plus, atëherë ata duhet të paguajnë sigurimin kufitar.

Po e njëjta rregull do të vlejë edhe për qytetarët e Malit të Zi, të cilët në mungesë së kartonit të Gjelbër duhet të paguajnë policën kufitare.

Polica TPL Plus merret në kompaninë ku e keni sigurimin e automjetit dhe e njëjta vlen për hyrje në Republikën e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi. /Buletini Ekonomik/