Përmes një punëtorie përmbyllëse në Durrës, është certifikuar gjenerata e parë e Shkollës së Gjelbër, një projekt ky i përbashkët i KOFS-it dhe Institutit ‘Riinvest’.
Qëllimi i Shkollës së Gjelbër është t’i njoftojë pjesëmarrësit mbi çështjet mjedisore, duke inkurajuar debatin dhe avokimin në kontekst të agjendës së gjelbër.
Përmes ligjëratave interaktive dhe punëtorive jashtë vendit, me ligjërues vendorë dhe ndërkombëtarë, dhjetëra pjesëmarrës kanë pasur rastin të fitojnë njohuri themelore në lidhje me klimën dhe energjinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe ekonominë qarkore.
Me këtë rast, drejtori ekzekutiv i KFOS-it, Luan Shllaku, ka thënë se me gjeneratën e parë të certifikuar, themelet e kësaj shkolle tashmë janë vendosur.
Ndërkohë, në vjeshtë pritet të fillojë shkolla me gjeneratën e dytë.
“Qëllimi i shkollës ka qenë që të sjellim tek pjesëmarrësit sa më afër realitetit e çështjeve mjedisore. Njëherësh të adresohen sfidat që dalin prej infrastrukturës ligjore, por edhe sfidat që lidhen me problemet e praktikës në sektorin e energjisë”, ka thënë Shllaku.
Në punëtorinë përmbyllëse dy ditore në Durrës, është organizuar edhe një debat simulues mes pjesëmarrësve në grup. Në njërën anë, njëri grup që përkrahë politikat e gjelbra energjetike dhe grupi tjetër që mbështet politikat energjetike të bazuara në qymyr.
Ndryshe, pas përfundimit të shkollës, pjesëmarrësit kanë analizuar konceptet kryesore të Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së dhe agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. /Buletini Ekonomik/