Çmimet e produkteve rriten 50% – 452 mijë qytetarë në Maqedoninë e Veriut jetojnë nën kufirin e varfërisë!

Rreth 452 mijë qytetarë në Maqedoninë e Veriut jetojnë nën kufirin e varfërisë, sipas të dhënave të fundit nga Zyra Qendrore e Statistikave. Shumë qytetarë kanë vështirësi të mbyllin muajin.

Kostoja e jetesës në prill të këtij viti ishte 10.5 për qind më e lartë se në muajin prill të një viti më parë, ndërsa në të njëjtën kohë çmimet e produkteve që shiten me pakicë u rritën me 11.1 për qind.

Gjatë muajit të kaluar një rritje më të lartë të cmimit ka shënuar gjalpi, me 20%, i ndjekur nga perimet me 13%. Që nga fillimi i vitit, cmimi i energjisë elektrike 10% ndërsa në kryeqytetin Shkup, banorët të cilët ngrohen me gaz kanë parë një rritje prej 10% në faturat e tyre mujore.

Reklama e sponzorizuar

Borxhi i qeverisë arriti një nivel rekord prej më shumë se 7.1 miliardë eurosh ose mbi 60 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Për këtë vit parashikohet një deficit buxhetor prej 550 milionë eurosh i cili do të plotësohet me huamarrje të reja.

Ekonomistë të ndryshëm në vend shprehen se duhen marrë masa të menjëhershme dhe pse mund të jenë të ashpra. Si një prej tyre sugjerohet pushimi nga puna i stafit të panevojshëm në administratën shtetërore.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar 26 masa dhe rekomandime, të ndara në dy kategori: e para është mbrojtja e standardit jetësor të qytetarëve dhe e dyta është likuiditeti i kompanive. Gjithashtu janë kufizuar marzhet tregtare për çmimet e shitjes së ushqimeve bazë në tregtinë me shumicë dhe pakicë, masë kjo e vlefshme deri në fund të majit. Pensionistët dhe personat me asistencë sociale marrin 16 euro në muaj, në formë ndihme për të përballuar rritjen e cmimeve. Paga minimale është rritur deri në 290 euro.

Këtë vit shteti parashikohet të marrë 350 milionë euro hua. Informacione jozyrtare bëjnë të ditur se qeveria planifikon të marrë rreth 900 milionë euro hua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Këtë vit, shteti do të duhet të paguajë 188 milionë euro kredi dhe 164 milionë euro të tjera vetëm për interesa./Scan Tv/