Nga një këndvështrim rajonal, Europa kryeson me 9 nga 10 vendet e para. Nga ana tjetër, Lindja e Mesme dhe Afrika kanë numrin më të vogël të vendeve që arrijnë pragun e 10%.
Era dhe dielli gjenerojnë mbi një të dhjetën e energjisë elektrike në botë. Të marra së bashku, ato janë burimi i katërt më i madh i energjisë elektrike, pas qymyrit, gazit dhe hidrocentraleve. Grafiku informues, i bazuar te të dhënat nga Ember, tregon rritjen e prodhimit të energjisë elektrike nga këto dy burime të pastra gjatë dekadës së fundit.
Europa kryeson në energjinë diellore dhe të erës
Për herë të parë në vitin 2021, era dhe dielli gjeneruan 10.3% të energjisë elektrike globale, duke u rritur nga 9.3% në vitin 2020 dhe duke dyfishuar pjesën e tyre krahasuar me vitin 2015, kur u nënshkrua Marrëveshja e Parisit për Klimën.
Në fakt, 50 vende (26%) arritën të gjeneronin mbi një të dhjetën e energjisë së tyre elektrike nga era dhe dielli në vitin 2021, me shtatë vende që e arritën këtë prag për herë të parë: Kina, Japonia, Mongolia, Vietnami, Argjentina, Hungaria dhe El Salvadori. Danimarka dhe Uruguai arritën përkatësisht 52% dhe 47%, duke udhëhequr rrugën e teknologjisë për integrimin e rrjetit të burimeve të rinovueshme.
Nga një këndvështrim rajonal, Europa kryeson me 9 nga 10 vendet e para. Nga ana tjetër, Lindja e Mesme dhe Afrika kanë numrin më të vogël të vendeve që arrijnë pragun e 10%.
Nevojitet rritje e mëtejshme e burimeve të rinovueshme për të përmbushur objektivat globale të klimës
Sektori i energjisë elektrike ishte sektori me emetimin më të lartë të gazeve serë në vitin 2020. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, ky sektor duhet të arrijë emetimet zero neto në rang global deri në vitin 2040, për të përmbushur objektivat e Marrëveshjes së Parisit për kufizimin e ngrohjes globale në 1.5 gradë.
Dhe, për të arritur këtë qëllim, energjia e erës dhe e diellit duhet të rritet me gati 20% çdo vit deri në vitin 2030. Pavarësisht rritjes rekord të burimeve të rinovueshme, rritja e prodhimit të energjisë elektrike nga dielli dhe era aktualisht nuk i plotëson kriteret e kërkuara për të përmbushur objektivat e Marrëveshjes së Parisit.
Në fakt, kur bota u përball me një rritje të paprecedentë të kërkesës për energji elektrike në vitin 2021, vetëm 29% e rritjes globale të kërkesës për energji elektrike u plotësua nga dielli dhe era.
Tranzicioni në zhvillim e sipër
Edhe pse emetimet nga sektori i energjisë elektrike janë në nivelin më të lartë historik, ka shenja se tranzicioni global i energjisë elektrike është duke ndodhur. Qeveri si ajo e SHBA-së, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë po planifikojnë të rrisin pjesën e tyre të energjisë elektrike të pastër brenda një dekade e gjysmë.
Investimet po vijnë edhe nga sektori privat, me kompani si Amazon dhe Apple që po zgjerojnë pozicionet e tyre në energjinë e rinovueshme, për t’u bërë disa nga blerësit më të mëdhenj të kësaj energjie.
Në rrjet po shtohet më shumë energji elektrike e prodhuar nga dielli dhe era se kurrë më parë, ndërkohë që burimet e rinovueshme pritet të plotësojnë pjesën më të madhe të nevojave për energji elektrike të pastër, duke eliminuar gradualisht karburantet fosile. / Visual Capitalist