Gjermania përgatit planin e krizës për ndërprerjen e papritur të gazit rus

Zyrtarët gjermanë po përgatiten në prapaskenë për një ndërprerje të mundshme të papritur të furnizimeve me gaz nga Rusia, nëpërmjet një pakete emergjence që mund të përfshijë marrjen nën kontroll të disa firmave kritike, sipas burimeve të Reuters.

Përgatitjet që po udhëhiqen nga Ministria e Çështjeve Ekonomike tregojnë gjendjen e rritur të alarmit për furnizimet me gaz të ekonomisë më të madhe të Europës, i cili është kritik për prodhimin e çelikut, të plastikës dhe të makinave.

Gazi rus përbënte 55% të importeve të Gjermanisë vitin e kaluar dhe Berlini gjendet nën presion për të hequr dorë nga një marrëdhënie biznesi që, sipas kritikëve, po ndihmon në financimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Reklama e sponzorizuar

Gjermania ka thënë se dëshiron të shkëputet gradualisht nga furnizimet ruse, por megjithatë, ajo pritet të jetë shumë e varur nga Moska për furnizimet me gaz deri në mesin e vitit 2024.

Mbetet e paqartë nëse mund të ndodhë një ndërprerje e menjëhershme e furnizimeve. Zyrtarët u shprehën se Gjermania dëshironte të shmangte një përshkallëzim, si për shembull duke mbështetur një embargo europiane për gazin, pasi tashmë ajo ka mbështetur sanksionet kundër Moskës për qymyrin dhe naftën.

Por, ata tani druhen se Rusia mund të ndërpresë në mënyrë të njëanshme furnizimet me gaz dhe, për këtë arsye, duan të jenë në gjendje të përballojnë një situatë të tillë, nëse ajo ndodh.

Ndërkohë që ekziston një kornizë e gjerë dhe qeveria është e vendosur që të ndihmojë, detajet se si do të vihet në veprim ky plan janë akoma duke u diskutuar, thanë zyrtarët.

Qeveria do të mbështesë dhënien e kredive dhe të garancive të mëtejshme për të mbështetur firmat e energjisë, duke i ndihmuar ato që të përballen me rritjen e çmimeve, si dhe mund të marrë kontrollin e disa kompanitë kritike, si për shembull rafineritë, thanë disa zyrtarë.

I pyetur për të komentuar mbi këto masa, ministria e ekonomisë e Gjermanisë vuri në dukje deklaratat e kreut të saj, Zëvendës-Kancelarit Robert Habeck, se vendi kishte bërë “përpjekje intensive” në javët e fundit për të reduktuar përdorimin e energjisë ruse.

Muajin e kaluar, Berlini miratoi një ndryshim ligjor për të lejuar qeverinë që të marrë në kontroll kompanitë e energjisë, si mjetin e fundit në rast se do të jetë nevoja.

Tani, qeveria gjermane është duke diskutuar për mënyrën se si mund ta përdorë këtë masë në praktikë, si për shembull duke marrë kontrollin e rafinerisë PCK që operohet nga Rosneft i Rusisë në Schwedt afër Polonisë. Ajo përbën pjesën më të madhe të importeve të mbetura të naftës ruse në Gjermani dhe mund të goditej nga një embargo e naftës nga Bashkimi Europian.

Shtetëzimi i energjisë?

Një nga burimet tha se shtetëzimi i kompanive energjetike ishte një opsion që po shqyrtohej, por do të duhej të peshohej me kujdes dhe të justifikohej mbi bazën e sigurimit të furnizimeve me energji, më tepër sesa të një ndëshkimi ndaj Rusisë.

Gjermania gjithashtu mund të marrë aksione në kompani të tjera, thanë dy burime për Reuters. Në vitin 2018, vendi bëri një lëvizje të ngjashme kur banka shtetërore e zhvillimit KfW bleu 20% të operatorit të rrjetit të energjisë 50Hertz, për të shmangur një ofertë nga kompania State Grid e Kinës.

Paketa përfundimtare e emergjencës nuk është finalizuar ende nga qeveria. Një nga burimet paralajmëroi se marrja e aksioneve në disa kompani dhe ndërhyrja në rafinerinë Schwedt mbeteshin ҫështje në diskutim, por akoma nuk është vendosur se ҫfarë do të bëhet.

Zyrtarët po shqyrtojnë gjithashtu mënyrën se si KfW mund të lehtësojë presionin mbi kompanitë kritike, duke i mbështetur ato me kredi të mëtejshme, ose me linja kredie emergjence që mund të përdoren nëse çmimet e energjisë rriten së tepërmi.

Më herët gjatë këtij viti, KfW ndihmoi firmën gjermane të energjisë Uniper, divizionin e gazit të VNG të EnBW dhe operatorin e termocentralit me qymyr Leag për t’u përballur me situatën e paqëndrueshme në tregjet e energjisë.

Gjermania po shqyrton gjithashtu mënyrën se si do të racionojë gazin në rast emergjence. Agjencia rregullatore po konsideron faktin nëse do t’i japë përparësi industrisë ndaj familjeve, gjë që do të ishte një përmbysje e politikës aktuale ku furnizimi do të ndërpritej fillimisht për bizneset.

Diskutimet po zhvillohen në sfondin e luftës në Ukrainë dhe të një përplasjeje gjithnjë e më të ngarkuar midis Moskës dhe Brukselit, i cili ka mbështetur sanksione të ashpra për të izoluar Rusinë.

Presidenti rus Vladimir Putin u tha forcave të tij të armatosura në një paradë të hënën se ata po luftonin për vendin e tyre, por nuk ofroi të dhëna se sa do të zgjaste sulmi ndaj Ukrainës, të cilin Kremlini e konsideron një operacion special ushtarak./ Reuters/Monitor/