IEA: Bota po ia del të përballet nga reduktimet e furnizimit me naftë ruse

Bota nuk do të mbetet pa naftë pavarësisht prodhimit më të ulët nga Rusia, e cila është goditur nga sanksionet.

Kështu ka theksuar Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), e cila më parë ka theksuar se duke filluar nga muaji prill mund të kishte një reduktim të furnizimeve.

Sipas IEA-së, shtimi i prodhimit në vende të tjera dhe rritja më e ngadaltë e kërkesës për shkak të izolimeve të Kinës do të parandalojnë një deficit të madh.

Reklama e sponzorizuar

“Me kalimin e kohës, rritja e qëndrueshme e vëllimeve nga vendet e Lindjes së Mesme të OPEC+ dhe nga SHBA, së bashku me ngadalësimin e rritjes së kërkesës, pritet të shmangë një deficit akut të furnizimit, në rrethanat e reduktimit të furnizimeve nga Rusia”, tha IEA.

Vlerësimi i agjencisë me qendër në Paris sugjeron se ndikimi ekonomik nga sanksionet e mëtejshme mbi energjinë ruse që po mendohen nga Bashkimi Evropian, mund të jetë i kufizuar.

“Rritja e çmimeve të naftës dhe ngadalësimi i rritjes ekonomike pritet të ulin ndjeshëm rimëkëmbjen e kërkesës gjatë pjesës së mbetur të këtij viti, deri në vitin 2023”, theksoi agjencia.

Duke reflektuar rënien e eksporteve të produkteve dhe të kërkesës së brendshme, furnizimi me naftë ruse ra me rreth një milion fuçi në ditë gjatë muajit të kaluar – rreth gjysmë milioni fuçi në ditë më pak se parashikimi i agjencisë në muajin e kaluar.

IEA vlerëson se kjo shifër do të rritet në 1.6 milion fuçi në ditë në muajin maj, në 2 milionë në qershor dhe në gati 3 milionë nga korriku e tutje, nëse zgjerohen sanksionet ose nëse bllokohen blerjet e naftës nga Rusia.