Sipas raportit vjetor të ASK-së për vitin 2021, shihet se norma mesatare vjetore e inflacionit në vitin 2021, ishte 3.4 për qind. Ndërkohë që në janar të këtij viti, shkalla e inflacionit në Kosovë ka arritur në 7,1 për qind, për t’u rritur në shkurt në 7,4 për qind, dhe për të arritur në prill në stratosferë. Sipas të dhënave nga ASK-ja, në prill, shkalla e inflacionit në vendin tonë ka shkuar në 11, 2 për qind.
Mehmet GJATA
Trendi i rritjes së çmimeve në Kosovë nuk ka të ndalur. Tani, në katër muajt e 2022-tës, kanë ndryshuar vrullshëm ecuritë e ngritjes së çmimeve të të gjitha produkteve, por, gjithsesi, më së shumti janë ngritur çmimet e produkteve elementare ushqimore, atyre që përbëjnë shportën dhe që një familjeje i duhen përditë.
Duhet theksuar se tashmë çmimet e larta të shënuara më 2021 në Kosovë, që vlerësoheshin si rekorde, ose ndër më të lartat në dekadat e fundit, janë zbehur shumë, madje nuk kanë mbetur as për t’u përmendur krahasuar me çmimet e reja të ngritura në këtë periudhë të këtij viti.
Edhe më 2022, trendi i ngritjes së çmimeve ka lëvizur hovshëm dhe frikshëm. Nga dita në ditë kanë ndodhur ngritje enorme çmimesh thuajse të të gjitha produkteve, e sidomos të atyre esenciale ushqimore (buka, vaji, sheqeri etj).
Në prill, çmimet në Kosovë realisht janë atipike te shumë produkte ushqimore, duke shënuar rekorde të pamata karshi të gjitha periudhave të deritashme të shtetit të Kosovës dhe si të tilla kanë arritur të bëhen ndër më të lartat, në rajon, Europë dhe përtej. Për këtë kërcim të egër flasin të dhënat, numrat dhe shifrat, pra të bëra publike nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), por edhe shifrat çmimeve të ekspozuara në minimarketet, marketetet dhe supermarketet e tregjet e tjera të vendit, të evidentuara nga reporterët e Buletinit Ekonomik.
Sipas raportit vjetor të Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për vitin 2021 të ATK-së, shihet se norma mesatare vjetore e inflacionit në vitin 2021, ishte 3.4 për qind. Ndërkohë që në janar të vitit 2022, shkalla e inflacionit në Kosovë ka arritur në 7,1 për qind, për t’u rritur në shkurt në 7,4 për qind, dhe për të arritur në prill në stratosferë.
Sipas të dhënave të ASK-së, në prill shkalla e inflacionit në vendin tonë ka shkuar në 11, 2 për qind. Dhe kjo shifër, sipas të gjitha të dhënave është rekord mbi rekordet. Nëse inflacioni është rrjedhojë i ecurive të çmimeve, po në këto nivele kanë arritur ngritjet e çmimeve në këta muaj në vendin tonë.
Prandaj, ngritja e vrullshme e marramendëse e çmimeve, e shpejtë, e egër dhe atipike, i bënë të dhënat statistikore të ATK-së të vjetërura, praktikisht të papërdorëshme dhe të pa vlera. Sepse, sipas raportit vjetor të Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për vitin 2021, ngritje e çmimeve të konsumit gjatë vitit të kaluar, është shënuar tek buka dhe drithërat, që patën rritje prej 4.3 për qind, mishi gjatë kësaj kohe u rrit për 1.4 për qind, qumështi, djathi dhe vezët për 3.8 për qind, vajrat dhe yndyrërat për 22.9 për qind, perimet prej 4.1 për qind, si dhe sheqeri dhe ëmbëlsirat të cilat shënuan një rritje prej 2.2 për qind.
Edhe çmimi i kafesë, çajit dhe kakaos gjatë vitit 2021 u rrit për 2.4 për qind ujit, pijeve joalkoolike, lëngjeve nga pemët dhe perimet për 0.9 për qind, i pijeve alkoolike për 2.7 për qind.
Për 3.7 për qind u rrit edhe çmimi i duhanit, me 8.7 për qind çmimi i gazit, kurse me 5.9 për qind u rrit çmimi i lëndëve djegëse të ngurta, druve të zjarrit dhe peletit.
Më 2021 janë shënuar çmime të ngritura sipas ASK-së edhe te shumë produkte të tjera të nevojshme për familjet kosovare. Dhe si rrjedhojë e këtyre çmimeve, norma mesatare vjetore e inflacionit në vitin 2021 ishte 3.4 për qind, që është rreth tre herë më e ulët se shkalla e inflacionit të shënuar në muajin prill 2022, e që ishte 11,2. Kaq i bie të jenë ngritur çmimet nga janari deri në prill të këtij viti, përkatësisht tani në Kosovë ka ndodhur ngritja e çmimeve rreth tre herë më e lartë se në vitin e kaluar. Këto janë kalkulime dhe llogari që dalin nga të dhënat statistikore.
Ndërkohë, shifrat e çmimeve të ngritura të evidentuara këtyre ditëve në tregjet kosovare (minimarkete, markete dhe supermarkete), gjithsesi janë edhe më të frikshme. Një kilogram i miellit të misrit dje në tregun kryesor të gjelbër të kryeqytetit, tregtohej me 1,1 deri në 1,3 euro. Në fund të vitit të kaluar një kilogram misër ka kushtuar 60 deri në 70 centë rëndom.
Pa pretenduar për ta alarmuar gjendjen e ecurive të çmimeve në vend, ato po vazhdojnë të ngriten egërsisht, pamatë dhe po shënojnë rekorde të këqia.
Çmimet e ngritura në vendin tonë po i tejkalojnë të gjitha shtetet e rajonit në këtë aspekt. Kanë shkuar “në qiell” çmimet bazike të ushqimeve.
Brenda një viti, çmimi i miellit është rritur për 29 për qind, buka prej 17 për qind, vaji prej 46 për qind, qumështi prej 9 për qind, patatet prej 24 për qind, e mos të flitet për përqindjet e rritura të karburanteve.
Ndërsa është e ditur qartë se një familje kosovare me të ardhura mesatare, shumicën e shpenzimeve e ka në këto produktet bazike. Kjo rritje e egër çmimesh po e rëndon barrën ekonomike të qytetarëve, të cilët po e ndjejnë jo pak barrën e shtuar në buxhetet e tyre.
Këto fakte nuk është se nuk janë të ditura edhe nga institucionet shtetërore e vendimmarrëse në vend. Por, ato, institucionet e shtetit pra, ato kompetentet, fare pak janë duke u preokupuar me këtë problem të mprehtë, me valën kaq të vrullshme të ngritjes së çmimeve, që domosdo është me pasoja për zhvillimet ekonomike, mirëqenien e kosovarëve dhe thellimin e varfërisë së tyre.
Ngritja e pakontrolluar, në të shumtën e rasteve pa arsye, së paku në përqindje kaq të madha dhe rekorde e çmimeve të produkteve bazike ushqimore, e vështirëson shumë jetën normale të kosovarëve shumicë. Dhe me këtë “rënie të lirë’ të çmimeve, ç’është më keq, kosovarin e rëndomttë, me të ardhura të pakta, po e presin ditë gjithnjë e më të vështira, kohë edhe më shqetësuese sa i përket ecurive dhe zhvillimeve në sferën e çmimeve, e që drejtpërsëdrejti do të reflektohet më ndjeshëm në mirëqenien e tyre dhe dhe jetën sociale të shumicës së banorëve të Kosovës.
Deri kur, vetëm do të soditet ecuria e ngritjes kaq të egër dhe pa kontroll fare të çmimeve nga pushteti dhe insitucionet shtëtërore mbetet të shihet, siç mbeti të shihet se deri kur institucionet përgjegjëse për qeverisjen e Kosovës dhe të mirëqenies së kosovarëve, do të vazhdojnë të definojnë se kush është përgjegjës për marrjen me çështjen e ngritjes së çmimeve në këto përmasa në vend. /Buletini Ekonomik/