Kompanitë që shpërndajnë rrjetin nuk do të lejohen që të instalojnë pajisje të kompanisë Huawei në rrjetet e tyre me shpejtësi të lartë 5G, tha Qeveria kanadeze, duke iu bashkuar aleatëve të tjerë në ndalimin e kësaj kompanie kineze të teknologjisë.
Shtetet e Bashkuara, Britania, Australia, Zelanda e Re dhe shtete të tjera më herët kanë ndaluar apo kufizuar pajisjet nga Huawei në rrjetet e tyre 5G.
“Ne po njoftojmë për qëllimin tonë që të ndalojmë përfshirjen e produkteve dhe shërbimeve të Huawei dhe ZTE në sistemet e telekomunikacionit”, tha ministri i Industrisë, François-Philippe Champagne.
Në ndalesën e Kanadasë përfshihet edhe ZTE, kompani tjetër e madhe kineze e teknologjisë, që është në pronësi të shtetit.
Champagne shtoi se “ofruesve të rrjetit që tashmë e kanë të instaluar këtë pajisje do t’iu kërkohet që t’i heqin nga përdorimi”. Ai tha se kompanitë kanadeze që kanë përdorur pajisjet e kompanive kineze, nuk do të kompensohen.
“Ka shumë aktorë armiqësorë që janë të gatshëm të shfrytëzojnë dobësitë në mbrojtjen tonë”, tha ministri kanadez i Sigurisë Publike, Marco Mendicino.
Kina e ka dënuar këtë vendim duke thënë se kjo është një formë e “manipulimit publik” që u krye në koordinim me SHBA-në dhe që ka për qëllim “shtypjen” e kompanive kineze, në kundërshtim me parimet e tregut të lirë.
Qeveria amerikan për një kohë ka lobuar tek aleatët, përfshirë edhe Kanadanë, që të përjashtojë Huawei-n nga rrjetet e saj celulare shumë të shpejta 5G, për shkak të shqetësimeve se udhëheqësit komunistë të Kinës mund të detyrojnë këtë kompani që të ndihmojë në spiunazh kinbernetik.
SHBA-ja po ashtu ka paralajmëruar se do të shqyrtojë mundësinë e ndarjes së informacioneve të inteligjencës me çdo vend që përdor pajisje Huawei.
Huawei vazhdimisht ka hedhur poshtë akuzat.
Kjo kompani ka pasur prezencë në Kanada për vite me radhë dhe ka mbi 1,500 të punësuar.
Zhvillimi i rrjeteve 5G u mundëson njerëzve lidhje më të shpejta në internet dhe u ofron kapacitet më të madh të të dhënave. Huawei është furnizuesi më i madh në botë i pajisjeve të rrjetit për kompanitë telefonike dhe të internetit. Kjo kompani ka qenë simbol i përparimit në Kinë për t’u bërë fuqi botërore në fushën e teknologjisë. Por, kjo kompani ka ngritur shqetësime të sigurisë në SHBA. Disa analistë kanë thënë se kompanitë kineze shkelin rregullat dhe normat ndërkombëtare dhe vjedhin teknologji./REL/